Kanada

Tarifat doganore: Nuk justifikohet trajtimi që po i bëhet Kanadasë, deklaron Pierre Poilievre

  • Published in Kanada

Lideri konservator Pierre Poilievre ka deklaruar sot (02.04) se si Kanadaja ashtu edhe Shtetet e Bashkuara do të humbasin nga lufta tregtare që sapo ka filluar me vendosjen e tarifave doganore nga presidenti amerikan Donald Trump. "Ne tashmë jemi në një luftë tregtare që askush nuk do ta fitojë. Të dy vendet do të jenë humbës", u shpreh ai gjatë një konference për shtyp në Vancouver të British Columbia.

Siç ishte parashikuar, kryeministri Justin Trudeau njoftoi dje (01.02) për kundërpërgjigjen kanadeze disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa prej 25% mbi të gjitha produktet kanadeze dhe 10% mbi burimet energjetike të Kanadasë.

Kanadaja do të aplikojë gjithashtu tarifa doganore reciproke prej 25%. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi që nga e marta e ardhshme (04.04.) për 30 miliardë dollarë produkte amerikane dhe brenda 21 ditëve për 125 miliardë dollarë mallra shtesë.

Birra dhe vera amerikane, uiski burbon, frutat, lëngjet e frutave, pajisjet elektroshtëpiake, si dhe materiale si druri dhe plastika do të jenë ndër produktet e prekura.

Sipas kreut të opozitës konservatore Poilievre, Kanadaja duhet t'i përgjigjet tarifave doganore të vendosura nga Shtetet e Bashkuara me tarifa reciproke "një dollar për një dollar". Paratë e mbledhura nga këto tarifa kundërpërgjigjëse duhet të investohen drejpërdrejt në ndihmë të punëtorëve dhe bizneseve. "Nuk do të tërhiqemi përballë këtyre kërcënimeve dhe tarifave. [...] Nuk ka asnjë justifikim për trajtimin që po marrim sot", theksoi ai.

Lideri konservator vlerëson se Kanadaja duhet të synojë produktet amerikane që nuk i nevojiten vendit ose ato që mund të prodhohen brenda vendit, si alumini dhe çeliku Rikthimi i prodhimit në vend të aluminit dhe çelikut do evitojë importimin e tyre.

Tregtia e lirë mes provincave dhe ulja e taksave

Poilievre shtoi gjithashtu se Kanadaja duhet ta shfrytëzojë këtë situatë për të zhvilluar më tej tregtinë ndërmjet provincave. "Duhet të eliminojmë të gjitha barrierat për të garantuar një tregti të lirë brenda Kanadasë", u shpreh ai.

Në planin e tij të masave, Poilievre propozon gjithashtu uljen e taksave dhe tatimeve, dhënien e dritës jeshile për projekte të rinj tubacionesh dhe minierash, si dhe forcimin e sigurisë kufitare.

I pyetur nëse do të mbështesë një plan emergjent të liberalëve në rastin se Parlamenti do rimblidhet, Poilievre deklaroi se nuk mund të komentojë për masa që ende nuk janë bërë të ditura.

Më herët sot në mëngjes, Donald Trump reagoi ndaj kundërpërgjigjes kanadeze për tarifat doganore. Në një mesazh të publikuar në rrjetin e tij Truth Social, ai pretendoi se pa suficitin e saj tregtar me Shtetet e Bashkuara, Kanadaja nuk do të ekzistonte më si një shtet i qëndrueshëm. Ai gjithashtu sugjeroi edhe një herë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara.

"Këtu, në Kanada, ne do të mbrojmë sovranitetin tonë, kufijtë tanë, historinë dhe të ardhmen tonë", iu përgjigj Poilievre deklaratës së Trump.

Burimi: The Canadian Press

Foto: CPAC