Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 19 janar 2025

  • Published in Kanada

Gaspésie - Québec

 

-British Columbia, nëse Trump vendos tarifa GDP i provincës do ulet 0.6%

-Alberta, kryeministrja Smith nuk do mund të marrë pjesë në betimit e presidentit të SHBA

-Nova Scotia, kryeministri Houston heziton të publikojë letrat e mandatit të kabinetit ministror

-Quebéc, i ftohti arktik do përfshijë rajonin e Montrealit Metropolitan nga sot në mbrëmje

-Ontario, Greater Toronto Area kapërcen pragun e 7 milion banorëve

 

British Columbia - Nëse presidenti amerikan Donald Trump do vendosë të zbatojë aplikimin e tarifave doganore prej 25% mbi produktet kanadeze që eksportohen në Shtetet e Bashkuara, qeveria e British Columbia parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i provincës mund të bjerë me 0.6% që këtë vit. "Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë ekonomik për familjet e British Columbia që ne e marrim shumë seriozisht", deklaroi kryeministri David Eby, gjatë një konference për shtyp të enjten (16.01.). Qeveria Eby vlerëson se humbja kumulative që do derivojë nga vendosja e tarifave doganore për ekonominë e provincës mund të arrijë në 69 miliardë dollarë deri në vitin 2028. PBB-ja e British Columbia ishte 304 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe 299 miliardë dollarë në vitin 2022. Sipas Dhomës së Tregtisë së Kanadasë, numri i vendeve të punës që mbështeten nga eksportet drejt Shteteve të Bashkuara në British Columbia është 273,000, ndërsa sipas provincës, rreth 124,000 vende pune mund të suprimohen deri në vitin 2028. Humbjet më të mëdha do të regjistrohen në sektorin e shfrytëzimit të burimeve natyrore për eksport dhe në industrinë prodhuese përkatëse. Shkalla e papunësisë pritet të rritet 6.7% në vitin 2025 dhe 7.1% në vitin 2026, ndërkohë që në dhjetor 2024, shkalla e papunësisë në British Columbia ishte 6.0%. Ministrja e Financave, Brenda Bailey, pohoi se provinca po planifikon masa për t’iu kundërpërgjigjur pasojave të mundshme nga vendosja e tarifave doganore. Provinca gjithashtu po synon të diversifikojë marrëdhëniet e saj tregtare duke u orientuar drejt rajonit Azi-Paqësor, për t’u bërë më pak e varur nga eksportet drejt Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2023, 54% e eksporteve të provincës shkuan në Shtetet e Bashkuara, rreth 14% në Kinë, 11% në Japoni dhe 10% në vende të tjera të Azisë. "Kjo është pikërisht ajo që e dallon diversifikimin tregtar të British Columbia nga pjesa tjetër e Kanadasë, e cila është shumë më e varur nga Shtetet e Bashkuara si destinacion eksporti", deklaroi Brenda Bailey.

Brenda Bailey

Alberta - Sipas Radio-Canada, kryeministrja e Albertës, nuk do mund të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trump, që do të mbahet në ambiente të mbyllura nesër (20.01.), për shkak të motit të ftohtë që ka përfshirë kryeqytetin e SHBA, Washington. Betimi i Trump do të zhvillohet në Rotondën e Kapitolit në mesditë. "Shumica e të ftuarve me biletë nuk do mund të marrin pjesë personalisht në ceremoni, përfshirë Danielle Smith", deklaroi zëdhënësi i saj Sam Blackett, duke shtuar se vendi ku ajo do ta ndjekë ceremoninë ende nuk është konfirmuar. Pasdite, kryeministrja e Albertës do jetë në ambasadën e Kanadasë dhe më pas do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Shoqata e Guvernatorëve Republikanë. Vetëm të afërmit e Donald Trump do mund të jenë të pranishëm gjatë betimit. Organizatorëve do t’u duhet gjithashtu të gjejnë një vend tjetër që rreth 250,000 persona me bileta të mund të ndjekin ceremoninë. Një nga zgjidhjet e propozuara nga Trump është arena Capital One, e cila mund të mbajë rreth 20,000 spektatorë. Danielle Smith planifikon të qëndrojë në Washington deri të enjten (23.01.) për të takuar guvernatorë, zyrtarë të tjerë dhe drejtues të bizneseve nga industri të ndryshme.

Nova Scotia - Kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston, ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse do t’i bëjë publike dokumentet e detyrave të ministrave të kabinetit të tij. Houston u shpreh se janë duke u zhvilluar diskutime mbi objektivat e qeverisë së tij për mandatin e dytë, pas fitores bindëse të partisë së tij në zgjedhjet provinciale më 26 nëntor. Ai u pohoi gazetarëve pas një mbledhjeje të kabinetit të enjten (16.01.) se ende nuk e dinte nëse këto objektiva do të përfshiheshin në letra tradicionale mandati dhe do të publikoheshin online. Pas fitores në mandatin e parë në vitin 2021, Houston e ndoqi praktikën dhe publikoi dokumentet ku përshkruheshin pritshmëritë politike për çdo ministër të kabinetit, por tani ai mendon se mund të jetë kundërproduktiv publikimi i politikave publike para se ato të jenë përpunuar plotësisht, pasi një veprim i tillë do t’i ekspozonte ato ndaj kritikave që mund të krijojnë perceptime të gabuara. Nga ana e saj, liderja e opozitës NPD, Claudia Chender, ka deklaruar se ka vënë re një tendencë në rritje të qeverisë për të mos informuar në masën e duhur qytetarët, përmes masave të tilla si mosbërja publike e raporteve dhe heqja dorë nga publikimi i letrave të mandatit të ministrave.

Québec - Një valë të ftohti arktik do të përfshijë provincën Québec nga mbrëmja e sotme (19.01.), duke shkaktuar një ndjesi të ftohti polar me erë edhe në rajonin e Montrealit Metropolitan. Vala e të ftohtit do vazhdojë të ndihet në metropol deri të mërkurën në mbrëmje (22.01.). Environment Canada emetoi paralajmërime për të ftohtin ekstrem për shkak të një mase të madhe ajri arktik që po lëviz nga perëndimi në lindje të vendit. "Në Québec, kjo "vorbull polare" do të shkaktojë uljen e temperaturave mbi 30 gradë nën pikën e ngrirjes në disa rajone, veçanërisht në Abitibi-Témiscamingue, një zonë që do të preket më shumë me temperatura të ndjera deri në -40 gradë dhe temperatura reale rreth -30 °C". Edhe pse rajoni i Montrealit Metropolitan do të shpëtojë nga temperaturat ekstreme të Abitibit, ai gjithsesi do të përjetojë temperaturat më të ftohta të regjistruara këtë dimër. Në Montreal, nga sot deri të mërkurën, agjencia federale parashikon temperatura që do të variojnë nga -13 °C gjatë ditës deri në -23 °C gjatë natës. Temperaturat e ndjera, nga ana tjetër, do të jenë midis 30 dhe 37 gradë nën pikën e ngrirjes. Nga sot në mbrëmje (19.01.) deri nesër, një erë e lehtë dhe reshje dëbore të herëpashershme do të bëjnë që ndjesia e të ftohtit të arrijë në -25 gradë, ndërsa temperatura reale do të zbresë në një minimum prej -22 °C gjatë natës nga e hëna në të marten (21.01.). Megjithëse me diell të lehtë, ditët e së martës dhe të mërkurës, kur temperaturat do të variojnë nga -13 °C në -21 °C, pritet të jenë ditët më të ftohta të javës, sipas parashikimeve të Environment Canada.

Ontario - Për herë të parë në historinë e Kanadasë më shumë se 7 milionë vetë banojnë në të njëjtën zonë metropolitane. Sipas Statistics Canada, popullsia e GTA (Greater Toronto Area) arriti në 7,106,379 banorë më 1 korrik 2024. "Pas një rritjeje rekord prej 268,911 personash brenda një viti (+3.9%), popullsia GTA e kaloi kufirin prej 7 milionë banorësh", thuhet në raportin më të fundit të agjencisë federale mbi vlerësimet demografike rajonale. Për të vendosur këto shifra në perspektivë, analisti kryesor në Qendrën e Demografisë të Statistics Canada, Sébastien Lavoie, kujton se "e gjithë Kanadaja, nga viti 2010 deri në 2020, kishte një rritje mesatare prej rreth 400,000 personash në vit. Prandaj, 268,000 banorë të rinj në Toronto brenda një viti është një numër shumë domethënës". Për më tepër, rajoni metropolitan tani përfaqëson 44.1% të popullsisë së Ontarios. Kjo rritje e fortë i atribuohet kryesisht imigracionit në përgjithësi dhe numrit të rezidentëve jo të përhershëm në veçanti.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada