Donald Trump vendos tarifa doganore prej 25% për çelikun dhe aluminin
- Published in Kanada

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar dje (10.02) një dekret për të zyrtarizuar vendosjen e një tarife doganore prej 25% për çdo import çeliku ose alumini në Shtetet e Bashkuara. Shtëpisë së Bardhë ka njoftuar që kjo masë do të hyjë në fuqi më 12 mars.
Sipas Institutit Amerikan të Hekurit dhe Çelikut, Kanadaja është furnizuesi kryesor i çelikut dhe aluminit për Shtetet e Bashkuara, e ndjekur nga Brazili, Meksika, Koreja e Jugut dhe Vietnami, Kanadaja është gjithashtu një furnizues i rëndësishëm i aluminit për Shtetet e Bashkuara, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusia dhe Kina.
“Sot, po i thjeshtoj tarifat tona doganore për çelikun dhe aluminin, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo. Është 25%, pa përjashtime ose lëshime. Dhe vlen për të gjitha vendet”, deklaroi Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, Trump konfirmoi se po shqyrtonte një përjashtim për Australinë, pas deklaratave të kryeministrit australian Anthony Albanese. Sipas presidentit amerikan, kjo ndodh për shkak të një suficiti tregtar me këtë aleat të Oqeanisë. “Nuk duam që kjo të dëmtojë vendet e tjera, por ata kanë përfituar prej nesh për vite e vite”, akuzoi presidenti amerikan.
Duke folur për gazetarët nga Zyra Ovale, ai gjithashtu konfirmoi se do të vendoste në dy ditët e ardhshme tarifa doganore të ashtuquajtura “reciproke”. Importet në Shtetet e Bashkuara nga vende të treta do të tatohen me të njëjtën normë si produktet amerikane në këto vende.
I pyetur për mundësinë që disa vende të vendosin masa hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara si përgjigje ndaj këtyre tarifave, Donald Trump u përgjigj: “Kjo nuk më shqetëson”.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu të dje (10.02.) dëshirën e tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara.
Sipas këshilltarit të tregtisë dhe industrisë së presidentit amerikan, Peter Navarro, tarifat e reja do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e industrisë amerikane të çelikut dhe aluminit, si dhe në forcimin e sigurisë ekonomike dhe kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Këto tarifa do t'i japin fund konkurrencës së pandershme të huaj, do të stimulojnë prodhimin vendas dhe do të sigurojnë prodhimin tonë të çelikut dhe aluminit si shtylla kurrizore e sigurisë ekonomike dhe kombëtare amerikane”, tha ai për gazetarët.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë. Bëhet fjalë për të garantuar që Amerika të mos ketë kurrë nevojë të varet nga vendet e huaja për industri kritike si çeliku dhe alumini”, shtoi Navarro.
Një precedent në vitin 2018
Nuk është hera e parë që presidenti Trump vendos tarifa doganore për çelikun dhe aluminin nga Kanadaja. Ai e ka bërë këtë edhe në mars 2018, gjatë mandatit të tij të parë.
Fillimisht, Kanadaja pat përfituar nga një përjashtim për këto tarifa, por më 31 maj 2018, ajo u përfshi në këtë masë. Si përgjigje, qeveria kanadeze vendosi kundërmasa tarifore ndaj produkteve amerikane, si lëngu i portokallit nga Florida.
Pothuajse një vit më vonë, më 17 maj 2019, Shtëpia e Bardhë njoftoi se ishte arritur një marrëveshje për të ndaluar rritjen e furnizimeve me çelik dhe alumin nga Kanadaja dhe Meksika, duke i dhënë fund konfliktit tregtar.
Ky cikël i ri tarifash vjen ndërsa, javën e kaluar, vendosja e planifikuar e tarifave doganore prej 25% për të gjitha importet nga Kanadaja dhe Meksika u shty me një muaj, deri më 4 mars.
Ottawa dhe Meksiko arritën ta sigurojnë këtë shtyrje në minutën e fundit, pasi riafirmuan angazhimin e tyre për të forcuar kufijtë e tyre me Shtetet e Bashkuara për të luftuar trafikun e fentanilit dhe fluksin e emigrantëve të paligjshëm.
Kundërmasa nga Kanadaja?
Në një postim në platformën X, dje (10.02.) në mbrëmje, ministri federal i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, François-Philippe Champagne, e cilësoi tarifën doganore mbi çelikun dhe aluminin si “tërësisht të pajustifikuar”. Ai theksoi se këto burime mbështesin industri kyçe në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë mbrojtjen, ndërtimin detar dhe automobilistikën.
Ministri Champagne shtoi se Kanadaja po zhvillon konsultime me partnerët e saj ndërkombëtarë. “Përgjigja jonë do të jetë e qartë dhe e matur”, shtoi ai.
E mbështetur nga një konsensus i provincave dhe territoreve, qeveria federale ka deklaruar tashmë se Kanadaja do të vendosë kundërmasa tarifore prej 25% ndaj 155 miliardë dollarëve të produkteve amerikane, nëse Donald Trump e vë në zbatim kërcënimin e tij tarifor.
Ndërkohë, kryeministri i Quebec-ut, François Legault, shkroi të dielën (09.02.) në X se Quebec eksporton 2.9 milionë tonë alumin në Shtetet e Bashkuara, çka përfaqëson 60% të nevojave të tyre. “A preferojnë ata ta marrin nga Kina?”, sugjeroi ai.
Ai shtoi gjithashtu se kjo situatë tregon se duhet të fillohet të rinegociohet marrëveshja e tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara sa më shpejt dhe të mos pritet rishikimi i planifikuar për vitin 2026.
Në pjesën tjetër të botës
Në Francë, ministri i Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot, deklaroi se Bashkimi Evropian do të përgjigjet njësoj si gjatë mandatit të parë të Trump-it, duke synuar produkte simbolike si burboni dhe motoçikletat Harley-Davidson. “Nuk ka hezitim kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave tona”, pohoi ai për TF1.
Në Gjermani, ministri i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck, bëri thirrje për të vazhduar rrugën e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, Komisioni Evropian njoftoi të hënën se nuk kishte marrë ende ndonjë njoftim për tarifa të reja doganore.
Deri tani, Donald Trump ka ushtruar më shumë presion mbi partnerët e Shteteve të Bashkuara sesa mbi rivalin e tyre të madh, Kinën, e cila që nga e marta është përballur me tarifa doganore prej 10% mbi ato që tashmë ekzistonin.
Masat hakmarrëse kineze, të bazuara në taksa shtesë ndaj disa produkteve amerikane, hynë në fuqi po dje (10.02.). Ato prekin mallra amerikane me vlerë 14 miliardë dollarë, ndërsa tarifat doganore të shpallura nga presidenti amerikan përfshijnë 525 miliardë dollarë mallra kineze.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, theksoi dje (10.02.) se, për Pekinin, nuk ka fitues në një luftë tregtare apo doganore.
Burimi: CBC/Radio-Canada me informacionet e Agence France-Presse, Reuters dhe The Canadian Press.
Foto: Istock; Associated Press/Alex Brandon