Kanada

Kanada: Aksident avioni me 21 të plagosur në aeroportin Pearson të Torontos

  • Published in Kanada

Një aksident gjatë uljes, që përfshiu një avion të kompanisë Delta që vinte nga Minneapolis (SHBA), ka shkaktuar disa të plagosur në aeroportin Pearson të Torontos me Fotografitë nga pista e aeroportit tregojnë avionin të përmbysur, ndërsa krahët dhe bishti duken të shkëputur nga trupi i tij.

Në një deklaratë zyrtare, Delta konfirmoi se fluturimi 4819 kishte në bord 76 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Kompania ajrore theksoi se përparësia e saj kryesore në këto momente ishte kujdesi ndaj personave të prekur nga aksidenti.

Tre helikopterë të shërbimit të ambulancës ajrore Ornge u dërguan menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, një fëmijë me plagë të rënda u transportua në spitalin SickKids të Torontos. Gjithashtu, një grua rreth të dyzetave dhe një burrë rreth të gjashtëdhjetave u dërguan me urgjencë në spitalet e Torontos për trajtim mjekësor.

Shërbimi i urgjencës në rajonin Peel-it njoftoi se në total janë trajtuar 21 pasagjerë, të cilët kanë pësuar lëndime. Fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Ministrja kanadeze e Transportit, Anita Anand, ka deklaruar në një postim në rrjetin X se po e ndiqte nga afër situatën.

Sipas NAV Canada, organizata që menaxhon hapësirën ajrore kanadeze, disa fluturime janë vonuar për shkak të aksidentit.

Rreth dhjetë fluturime që ishin planifikuar të uleshin në Toronto u devijuan drejt aeroportit ndërkombëtar Montréal-Trudeau. Pas stabilizimit të situatës, ato do të vazhdojnë udhëtimin drejt destinacionit të tyre fillestar. Fluturime të tjera u devijuan edhe drejt aeroporteve të Ottawa, Hamilton dhe Quebec City.

Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA) konfirmoi se të gjitha fluturimet nga SHBA drejt aeroportit Pearson të Torontos janë pezulluar deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë, Agjencia Kanadeze e Sigurisë së Transportit ka dërguar një ekip hetimor në vendngjarje për të analizuar shkaqet e aksidentit.

Në aeroportin Pearson, të gjithë avionët u bllokuan në tokë për rreth 2 orë. Trafiku ajror rifilloi rreth orës 17:00.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Reuters/Arlyn McAdorey; Radio-Canada