Beteja tregtare USA-Kanada: Presidenti Trump shtyn një muaj afatin e tarifave doganore
- Published in Kanada

Në këmbim, Kanadaja do të emërojë një "car" përgjegjës për çështjen e fentanilit në kufi.
Kanadaja dhe Meksika mund të marrin frymë lirisht, të paktën deri në mars: aplikimi i tarifave doganore që kërcënoi të vendoste presidenti Donald Trump u shty një muaj.
Pas Meksikës dje (03.02.) në mëngjes, e cila pranoi dërgimin e 10,000 ushtarëve në kufirin verior, ishte radha e Kanadasë të arrinte një marrëveshje me presidentin amerikan, i cili hoqi dorë nga vendosja e menjëhershme e barrierave tarifore mbi produktet që eksportohen në Shtetet e Bashkuara.
Kështu, për momentin Kanadaja shmang tarifat doganore prej 10% që do të preknin sektorin e saj energjetik dhe ato prej 25% që do të zbatoheshin për mallrat e tjera kanadeze që kalojnë kufirin.
Pas bisedës së tij të dytë brenda disa orësh me kreun e ri të Shtëpisë së Bardhë, Justin Trudeau u shpreh i kënaqur në rrjetin social X duke i konsideruar produktive diskutimet dhe duke deklaruar se Kanadaja do të dislokojë nga ana e saj rreth 10,000 agjentë kufitarë në terren për të mbrojtur kufirin me fqinjin jugor.
Kryeministri kanadez gjithashtu njoftoi se i ka premtuar presidentit amerikan masa të reja për të luftuar trafikun e fentanilit drejt Shteteve të Bashkuara, përfshirë:
-Emërimin e një “cari” përgjegjës për çështjen e fentanilit;
-Futjen e karteleve meksikane në listën e entiteteve terroriste;
-Mbikëqyrjen e kufirit 24 orë në ditë, 7 ditë në javë;
-Krijimin e një force të përbashkët goditëse me Shtetet e Bashkuara për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e fentanilit dhe pastrimin e parave.
Trudeau gjithashtu bëri të ditur se ka nënshkruar një direktivë të re për shërbimet e inteligjencës, e fokusuar në krimin e organizuar dhe fentanilin, e cila do të mbështetet nga një investim prej 200 milionë dollarësh.
Një burim qeveritar i konfirmoi Radio-Canada dhe CBC se telefonatat midis Justin Trudeau dhe Donald Trump zgjatën rreth 45 minuta dhe se ishte Kanadaja që e propozoi idenë e emërimit të një “cari” përgjegjës për luftën kundër fentanilit.
Në një mesazh në rrjetin e tij Truth Social, presidenti Trump u shpreh shumë i kënaqur me këtë rezultat të parë. “Kanadaja ka pranuar të garantojë sigurinë e kufirit tonë verior dhe t’i japë fund fatkeqësisë vdekjeprurëse që përfaqësojnë drogat si fentanili, të cilat vërshojnë në vendin tonë, duke vrarë qindra mijëra amerikanë dhe duke shkatërruar familjet dhe komunitetet në mbarë vendin”, pohoi ai.
Në Truth Social, Donald Trump këmbënguli megjithatë se kërcënimi për tarifat doganore mbetet në fuqi duke theksuar se “tarifat doganore të shpallura të shtunën do të pezullohen për një periudhë 30-ditore, për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje ekonomike përfundimtare me Kanadanë”.
Sipas të dhënave të Shërbimit Doganor dhe të Mbrojtjes Kufitare të Shteteve të Bashkuara, më pak se 0.2% e fentanilit të sekuestruar në SHBA gjatë vitit fiskal 2024 vinte nga Kanadaja. Për më tepër, shumica dërrmuese e kontrolleve të emigracionit kryhen në kufirin jugor.
Pierre Polievre: Nuk është koha për të qëndruar duarkryq
Në fund të ditës së djeshme, lideri i Partisë Konservatore të Kanadasë, Pierre Poilievre, përsëriti kërkesën e tij për rifillimin e punimeve parlamentare në Ottawa, pavarësisht afatit 30-ditor të akorduar në lidhje me shtyrjen e vendosjes së tarifave doganore 25% nga Shtetet e Bashkuara.
“Ashtu si kanadezët në mbarë vendin, Konservatorët janë të lehtësuar që kanë mësuar se do të ketë një pauzë njëmujore për tarifat amerikane. Por nuk është koha për të qëndruar duarkryq. Duhet të punojmë me urgjencë për të forcuar ekonominë e Kanadasë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të siguruar që këto tarifa të mos aplikohen kurrë. Liberalët duhet të rimbledhin Parlamentin tani dhe të vendosin interesat e vendit para interesit të partisë së tyre. Kanadaja mbi gjithçka”, shkroi lideri konservator në rrjetin X.
Danielle Smith: Fitoi diplomacia
“Fitoi diplomacia. Le të sigurohemi që kjo të vazhdojë, sepse e dimë që kemi ende shumë punë për të bërë”, deklaroi kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, edhe ajo përmes një mesazhi në X.
Smith u bëri thirrje përfaqësuesve të qeverisë federale dhe kryeministrave provincialë të ulin tonet e tyre, të heqin dorë për momentin nga çdo masë tarifore dhe të përqendrojnë plotësisht përpjekjet e tyre në mbrojtjen e interesave dhe në negociata mirëbesimi.
“Le ta shndërrojmë këtë krizë në një mundësi për përfitimin e kanadezëve dhe amerikanëve” tha ajo, duke shtuar se do të udhëtojë së bashku me kryeministrat e tjerë drejt Uashingtonit javën e ardhshme për të vazhduar përpjekjet diplomatike.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: Associated Press/Evan Vucci