Rusia, e madhe apo “e zmadhuar”? - Nga Vangjush Saro

Në Kongresin Amerikan, z. Trump ka bërë një bilanc të punës së tij, duke shprehur vetëvlerësime maksimale. Ai u ndoq me shumë brohori nga republikanët, ndërkohë që demokratët heshtnin; vetëm disa mbanin në duar banera ku thuhej e kundërta e atyre brohorive. Njëri nga deputetët demokratë, që e ndërpreu disa herë Presidentin, u dëbua nga salla.
Në këto e sipër, thuhet se presidenti i Ukrainës, z. Zelenski, ka pranuar “fajin” e tij në incidentin me presidentin amerikan dhe zëvendësin e tij (!) Dhe është shprehur se do ta firmosë atë marrëveshjen, për të cilën u bë nami… Asnjë fjalë për “mbrojtjen” që iu bë Rusisë; përkundrazi, shpallet emergjenca pse z. Trump pezulloi ndihmat. Në këtë rast, duket sikur frika dirigjon gjithçka. Lind pyetja nëse ajo është e sajuar. Dhe po qe kështu, i bie që Rusia, më shumë sesa e madhe, po “zmadhohet” artificialisht dhe me qëllim, nga qarqe të caktuara, që u intereson gjunjëzimi i Ukrainës, pse jo dhe i Evropës. (Ka arsye që njihen dhe të tilla që ende rrinë fshehur.) Dhe ndërsa po “zmadhohet” Rusia, në të njëjtën kohë, siç u tha më lart, po shitet lirë “frika” se mund t’i bëhet gjëma Evropës (!)
Kishte kohë që vëmendja e publikut ish fokusuar në disa raporte të vështira mes Amerikës dhe aleatëve të saj evropianë; sa për ato me Ukrainën, është e qartë se ajo nuk i ka problem fare. Dhe për më tepër, kjo situatë nuk fshihet; përkundrazi, ngulet këmbë haptazi në marrëveshjen që synon shfrytëzimin e mineraleve të rralla në këmbim të paqes, për çka debati në Zyrën Ovale shkoi aq keq. Një përmbysje e tillë e situatës nuk mund të mos prodhojë habi dhe pikëpyetje. Dhe ajo e radhës, është: Ka ndryshuar dhe po ndryshon bota apo Amerika?
Në fakt, pozitat e Ukrainës u rënduan shumë për shkak të qëndrimeve aq të diskutueshme nga ekipi i ri i drejtuesve të SHBA. (Por jo më pak nga presionet e të tjerëve ndaj atij vendi dhe ndaj vetë presidentit në hall, z. Zelenski.) Rruga për këtu, ishte e papërfytyrueshme. Puna shkoi gjer atje, saqë Ukraina u akuzua si fajtore për nisjen e luftës; dhe ato tre vjet që vendi pësoi shkatërrime dhe humbje të mëdha, cilësohen pothuaj si një aventurë. E sakrificat shumëzohen me zero. (“Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vegjël si prostitutë.” S. Kabrik)
Nuk ishte normale, e drejtë - dhe jo vetëm për autorin e këtyre radhëve - që të mbahej një qëndrim i tillë nënvleftësues, në mos fyes ndaj një vendi që po i përgjigjet me rezistencë heroike një agresioni të turpshëm. S’është konflikti i parë në botë, ku Amerika gjendet e pranishme dhe protagoniste, duke mbrojtur gjithnjë interesat e saj; vetëm se ajo nuk është shfaqur asnjëherë kaq… e drejtpërdrejtë dhe agresive. Amerika ka qenë në Kore, në Vietnam, në Irak e Afganistan; me ushtri, me armatime. Kurse tani, në Ukrainë, vetëm me ndihma ushtarake, të cilat, burime të besueshme i cilësojnë ndonjëherë si një “zbrazje magazinash”. Ukraina ka luftuar e vetme dhe lufta nuk mbaroi në tre javë, siç kishin rrahur gjoksin rusët. Në këtë dështim spektakolar, nuk e ndihmuan dot Putinin as mijërat e ushtarëve të Koresë së Veriut. Atëherë - të pashmangshme pyetjet - nga vjen kjo frikë e madhe në përballjen me Rusinë? Është reale apo e sajuar?
Në këtë pikë, duhet të ndalemi dhe të shpjegojmë disa paqartësi, që ndoshta vijnë nga mosnjohja e historisë; brezat e sotëm, në masë, po kërcënohen nga njëmendësia dhe injoranca. Po e ilustroj këtë vetëm me dy episode. I pari: Emisarët e lartë të Amerikës, në fakt zyrtarë të rinj dhe pa ndonjë meritë a përvojë, në Mynih, u kujtuan përfaqësuesve të vendeve evropiane se ata (Perëndimi, kush tjetër) “e kishin humbur Luftën e Ftohtë” (!) Shikoni ku arritëm. (“Të vjetrit vjetëruar keq, të rinjtë edhe më për dreq.” A. Pushkin) Po vërtet, kush e humbi atë: Perëndimi apo Rusia, që u rudh, mbeti pa Traktatin e Varshavës, pa KNER-in, ndërkohë që vendet dikur nën kupolën e saj, pas vitit ‘90, u lidhën me Perëndimin dhe kërkuan të instalojnë një rend të ri, atë të quajtur Demokraci. Nuk e kuptoj, pse duhet të shtrembërohet historia; për më tepër që në fitoren e Perëndimit luajtën rol të madh pikërisht presidentët amerikanë, Kenedi e Regan.
Episodi i dytë. Vetëm luftëra Ruso-Turke janë zhvilluar disa; dhe Rusia nuk se ka dalë faqebardhë prej tyre. Atëherë, ku është frika dhe kush përpiqet t’ia ndjellë atë Evropës dhe NATO-s? Askush nuk e uron luftën dhe vuajtjen. E meqë erdhëm në këtë pikë, një tjetër pyetje me interes: Rusia është e kërcënuar apo pikërisht ajo vetë kërcënon të tjerët? Gjer më sot, nuk ka ndodhur që një vend i NATO-s të sulmojë fqinjët; që nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar, (kupto: Lufta e Dytë Botërore). Nga kush ka “frikë” Rusia? Nga Finlanda modeste? Nga vendet nordike, gjithnjë në punë të tyre? Është Rusia ajo që sulmoi Ukrainën dhe shkaktoi aq shumë humbje njerëzore e trishtim; për fqinjin dhe për veten. Kështu pra, i bie që gjithçka thuhet e trillohet në mbrojtje të agresorit, është thjesht njëlloj propagande; me gjasë, Rusia do të mbajë larg NATO-n. Ooops!
Po flasim për një vend sa të madh, aq edhe të vogël; me një Prodhim të Përgjithshëm Bruto disa herë më të pakët se një sërë shtete të tjera. Për hir të bisedës, po i shtoj panoramës edhe disa hollësi të jetuara. Kam qenë dy herë në atë vend; qysh herët, nga fillimi i viteve ‘90. Ndoshta tani mund të ketë “përparuar” disi, por me sa unë mbaj mend, nëpër rrugët e Moskës shihje makina soj-soj, nga tipet më të vjetra tek ato më të rejat. Dhe “veteranët” e shtypit, që Shoqata e Gazetarëve i mblidhte nganjëherë për drekë në një hotel-restorant, pronë e saj, hanin si të babëzitur. Kërkoj ndjesë që e përflas këtë gjë, por ishin shumë të varfër. Shoferi që na shoqëronte, të shumtën e kohës rrinte turivarur dhe grindej vend e pa vend me përkthyesen, sa do rrini, kur do ikim… Më kujtonte marrëdhëniet e rënduara të punës në Shqipërinë e viteve të shkuara. Një nga policët në aeroport, teksa iknim, na la të kuptonim se s’do ishte keq t’i jepnim ndonjë cigare, ca më mirë ndonjë paketë… Kur ishim vetëm për një ditë në Kursk, shefi i gazetës lokale, që na priti, filloi të fliste kodra pas bregut për Kosovën, që ai e cilësonte ‘të Serbisë’.
S’mund të ndjehesh mirë kur thua gjëra të tilla. Por është një Rusi, që në mungesë të zhvillimit dhe të demokracisë, rëndon veten dhe të tjerët me fiksime. Është një vend që kërcënon vetëm me gazin dhe me ushtrinë e bindur, viktimë e mungesës së arsyes dhe një sistemi aspak në përputhje me kohën. Nuk dihet si do të shkojë më tej. Mirë është që vendi i Tolstoit, i Çehovit, i Eseninit, i Çajkovskit, i Miçurinit, i Gagarinit, i Gorbaçovit, etj., të mos mbetet pronë e lodër në duart e carëve dhe diktatorëve. (“Se nuk dallohet, kush është njeri, e cili bishë…” A. Ahmatova)
Në këtë kuptim, mund të flitet pareshtur për paqe e bisedime; ato duhen inkurajuar me besim. Por ndërkaq, ashtu qorrazi s’mund të zmadhohet asgjë, përfshirë frikën nga një Rusi “e zmadhuar”. Për më tepër, kjo “frikë” s’mund të përdoret si një mekanizëm xhvatës e që mund t’i japë dramës një finale të gabuar.
© Vangjush Saro