Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 09.02.2025

  • Published in Kanada

 

Tofino - British Columbia

 

-British Columbia, një helikopter Black Hawk patrullon kufirin me SHBA

-Alberta, bashkia Kananaskis përgatitet të forcojë sigurinë në prag të samitit G7

-Saskatchewan, kryeministri Scott Moe kërkon reformimin e tregtisë së brendshme mes provincave

-Nova Scotia, provinca me shkallën më lartë varfërisë në rang vendi sipas Statistics Canada

-Prince Edward Island, sezon turistik rekord në vitin 2024

-Quebec, Amazon nis mbylljen e depove në territorin e provincës

 

British Columbia - Këtë javë, një helikopter Black Hawk i Policisë Mbretërore të Kanadasë (RCMP) nisi patrullimin në kufirin midis British Columbia dhe Shteteve të Bashkuara. “Black Hawk do patrullojë kufirin me shtetet Uashington, Idaho dhe Montana, me objektiv zbulimin, dekurajimin dhe pengimin e aktivitetet e paligjshme”, thuhej në një deklaratë të RCMP. Më konkretisht, ai do të synojë këdo që është i përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e drogës apo mallrave të tjera të kontrabandës, si dhe personat që hyjnë ose dalin ilegalisht nga Kanadaja. RCMP i ka informuar banorët që mund ta shohin helikopterin duke fluturuar të mos shqetësohen, pasi ai është pjesë e operacioneve normale të policisë. “Kufiri kanadezo-amerikan është i siguruar mirë nga të dyja anët, kryesisht falë marrëdhënies së shkëlqyer të punës midis RCMP, U.S. Customs and Border Protection dhe partnerëve të tjerë, të cilët punojnë pandërprerë çdo ditë”, i ka deklaruar CBC mbikëqyrësi Bert Ferreira, oficeri përgjegjës për integritetin e kufirit për rajonin e Paqësorit në radhët e Policisë Federale. Përdorimi i Black Hawk është pjesë e një plani më të gjerë prej 1,3 miliardë dollarësh të aprovuar nga qeveria federale për të forcuar sigurinë kufitare, duke përfshirë helikopterë, dronë dhe përdorimin në terren të gati 10,000 personave.

Alberta - Me afrimin e Samitit të liderëve të G7 që do të zhvillohet në Kananaskis, Alberta, autoritetet lokale kanë filluar të planifikojnë detajet e masave të sigurisë. Në këtë lokalitet të vogël, shumë të preferuar për karakterin e tij natyror të egër, krerët e SHBA, Francës, Gjermanisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Kanadasë dhe Bashkimit Evropian do të mblidhen nga 15 deri më 17 qershor 2025. Parashikohet që hyrja në territorin e kësaj bashkie të jetë e ndaluar për vizitorët nga 10 deri më 18 qershor. Vetëm banorët, tregtarët dhe stafi i autorizuar do të kenë akses gjatë kësaj periudhe. Disa shtigje të përzgjedhura, zona rekreative dhe biznese lokale gjithashtu do të jenë të mbyllura. Publikut do t’i kërkohet të shmangë këto zona me siguri të lartë sa më shumë që të jetë e mundur. “Detaje më specifike mbi pikat e hyrjes dhe akreditimet e nevojshme do të komunikohen me afrimin e eventit”, ka sqaruar Grupi i Integruar i Sigurisë (GIS) në një njoftim të publikuar në faqen e tij internet. GIS është një divizion i Policisë Mbretërore të Kanadasë (RCMP), i ngarkuar posaçërisht për të garantuar sigurinë e samitit. Ai gjithashtu përfshin anëtarë të Shërbimit të Policisë së Calgary-t, shërbimit të sherifëve të Albertës, agjentë të ruajtjes së faunës dhe pyjeve si dhe pjestarë të Forcave të Armatosura Kanadeze. I kontaktuar nga CBC, Stephen Scott, ekspert i sigurisë dhe detektiv privat, i cili ka qenë shefi i ekipit taktik të RCMP gjatë Samitit të fundit G7 (dikur “G8”) në Kananaskis në vitin 2002, kujton nivelin e lartë të sigurisë së vendosur atëherë. Në atë kohë, samiti kishte mobilizuar më shumë se 5000 ushtarë të Forcave të Armatosura Kanadeze, 1500 agjentë të RCMP dhe avionë luftarakë që patrullonin zonat e ndaluara për fluturim. Eksperti ka theksuar gjithashtu se dronët përbëjnë një sfidë të re për sigurinë, pasi këto mjete të vogla fluturuese mund të përdoren për të përgatitur një sulm ose për të kryer mbikëqyrje.

Saskatchewan - Scott Moe, kryeministri i Saskatchewan, theksoi këtë javë nevojën për të modernizuar rregullat e brendshme tregtare të Kanadasë, duke pohuar se, megjithëse është një punë “e lodhshme”, është “absolutisht e nevojshme” për t'u realizuar si përgjigje ndaj kërcënimeve për tarifa doganore nga Shtetet e Bashkuara. Moe ka kërkuar modifikimin e Marrëveshjes Kanadeze të Tregtisë së Lirë (Canadian Free Trade Agreement - CFTA) për t’iu kundërpërgjigjur këtyre kërcënimeve. Sipas tij, infrastruktura hekurudhore dhe portuale, si dhe tubacionet e naftës, janë thelbësore për të diversifikuar tregtinë e Kanadasë. “Në sektorët e transportit, ndërtimit dhe minierave, rregulloret provinciale shpesh vendosen në periudha të ndryshme dhe nuk janë të koordinuara”, ka pohuar ai. Tarifat e drejtpërdrejta midis provincave janë të ndaluara në Kanada, por shumë pengesa ekzistojnë për shkak të rregullave, rregulloreve dhe kërkesave të ndryshme për lejet provinciale. CFTA, që hyri në fuqi në vitin 2017, rregullon këto përjashtime tregtare. Ideja për të reduktuar pengesat në tregtinë midis provincave dhe territoreve ka qenë një temë diskutimi prej kohësh, por ka fituar më shumë vëmendje kohët e fundit pas kërcënimeve serioze për tarifa doganore ndaj produkteve kanadeze nga presidenti amerikan Donald Trump. Këto tarifa doganore pritej të hynin në fuqi javën e kaluar, por u pezulluan deri në mars.

Nova Scotia - Sipas një raporti të ri të Statistics Canada provinca me shkallën më të lartë e varfërisë në vend në vitin 2022 ka qenë Nova Scotia. Raporti i publikuar të enjten (06.02) thekson se 12,5 % e banorëve të Nova Scotia jetonin nën kufirin e varfërisë në vitin 2022, krahasuar me mesataren kanadeze prej 9,9 %. British Columbia renditet e dyta me një përqindje prej 12,2 %, e ndjekur nga Manitoba, ku 11,9 % e qytetarëve ishin nën kufirin e varfërisë dhe 6,9 % jetonin në varfëri ekstreme. Sipas përkufizimit të Statistikave të Kanadasë, një person jeton nën kufirin e varfërisë nëse nuk mund të përballojë koston e një shporte me mallra të nevojshme për të jetuar në mënyrë modeste. Një person konsiderohet se jeton në varfëri të thellë nëse të ardhurat e tij janë më pak se 75 % e pragut zyrtar të varfërisë. Një në pesë persona që kanë emigruar në Kanada midis viteve 2017 dhe 2022 jetonte nën kufirin e varfërisë dhe më shumë se gjysma e tyre jetonin në një situatë varfërie të thellë.

Prince Edward Island - Sipas qeverisë provinciale, sezoni turistik 2024 në Prince Edward Island ka vendosur rekorde të reja sa i përket numrit të turistëve dhe ndikimit ekonomik. Autoritetet paraqitën para mediave të dhënat ekonomike të sezonit të mërkurën e kaluar (05.02). Provinca priti 1,7 milionë turistë në vitin 2024, shifër që përfaqëson një rritje prej 6 % krahasuar me vitin 2023 dhe 5 % krahasuar me rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2019. Vlerësohet se turistët në vitin 2024 shpenzuan 520,7 milionë dollarë në provincë, një rritje prej 4 % krahasuar me 2023 dhe 7 % krahasuar me 2019. Qeveria regjistroi gjithashtu të ardhura rekord nga taksat, në vlerë prej 87,9 milionë dollarë. Ura e Konfederatës, aeroporti i Charlottetown dhe industria e lundrimeve shënuan një numër rekord vizitorësh. Sipas qeverisë, të ardhurat nga turizmi përbëjnë rreth 6 % të produktit të brendshëm bruto të provincës.

Quebec - Gjiganti i shitjeve me pakicë online, Amazon, ka filluar këtë javë mbylljen e shtatë objekteve të tij në Quebec, duke lënë mijëra punonjës të papunë, sipas sindikatës që përfaqësonte punëtorët e asaj që ishte e vetmja depo e Amazon-it e sindikalizuar në Kanada. Félix Trudeau, presidenti i sindikatës së depos në Laval, e cila u sindikalizua në majin e kaluar, deklaroi për Radio-Canada se tre depot në rajonin e Montrealit, përfshirë të tijën, u mbyllën të premten (07.02) vonë në mbrëmje, një ditë më herët se sa ishte planifikuar. Sipas tij, disa punëtorë u paraqitën për turnin e tyre të punës të premten në mbrëmje dhe konstatuan se depot ishin tashmë të mbyllura, ndërsa një depo e katërt, e cila pritej të mbyllej në mars, e ndërpreu aktivitetin më herët këtë javë. Kompania suprimoi rreth 1700 vende të përhershme pune, por Konfederata e Sindikatave Kombëtare të Quebec-ut (CSN) ka vlerësuar se numri total i të pushuarve nga puna arrin në rreth 4500, nëse llogariten edhe punëtorët e punësuar nga nënkontraktorët. Félix Trudeau e ka akuzuar gjigantin e tregtisë elektronike se ka mbyllur depot e tij në Quebec për të ndëshkuar punonjësit e sektorit të tij të punës që u sindikalizuan. Ai u bëri thirrje të gjitha niveleve të qeverisë të bojkotojnë këtë kompani derisa ajo të rihapë objektet e saj ose të pranojë të paguajë një vit rrogë me përfitime për të gjithë punonjësit e pushuar. Amazon nuk ka reaguar ende për mediat pas mbylljes së katër depove, por më herët i ka mohuar akuzat se këto pushime nga puna lidhen me fushatën e fundit të sindikalizimit në Quebec.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada;

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Jonathan Hayward/Heywood Yu; Getty Images/Sébastien Bozon