Mbrojtja, sfidë kombëtare - Nga Xhevdet Nasufi

Është prioritet kombëtar Mbrojtja dhe Siguria, andaj edhe shqiptarët duhet të përqëndrohen vëmendshëm dhe fuqishëm në të pasi:
-Ballkani nuk është i çliruar nga mentaliteti i zgjidhjes gjeografike dhe konfliktuale të mosmarrëveshjeve etnike;
-Ardhja e Donald Trump ridefinon rendin e ri botëror dhe gjeostrategjinë e Sigurisë dhe shqiptarët duhet t'u përshtaten zhvillimeve;
-Doktrina e paqes nëpërmjet forcës është provuar se është mjet i përshtatshëm për Sigurinë.
Pas luftës në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, pas konsolidimit pluralist dhe klasës së re/të vjetër politike me bazament neokomunist në Shqipëri, shqiptarët neglizhuan faktorët që kontribuan për arritje të mëdha të kombit (çlirimi i Kosovës, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, por edhe demokracia pluraliste, anëtarësimi në NATO, reforma në Drejtësi në Shqipëri) siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, lobi shqiptaro-amerikan. Këto ditë këtë neglizhencë e përmendi dhe kryesuesi i lobit Dr. Elmi Berisha, në funksion të iniciativave të reja lobuese. Mu për këtë, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ndjehen reflektime të dëmshme në rrafshin e kompletimit të shtetësisë së Kosovës, moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe në mosfunksionimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, raportin ndaj pronës publike në Shqipëri etj.
Në sinkron me këtë, ditë më parë në Mynih u mbajt Konferenca e radhës për Sigurinë, ku zëvendëspresidenti amerikan referuar sloganit America first, u mbajti leksion liderëve dhe politikës majtiste në Evropë duke thënë: Problemet e Sigurisë dhe mirëqenies në Evropë nuk vijnë nga Rusia, as nga Kina apo Irani, por nga vetë Evropa përbrenda. Në këtë logjikë gjeopolitike duhet edhe më shumë të gjejë veten politika e majtë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, që keqmenaxhoi shqiptarët me dekada, por edhe Kosova, qoftë në lojën e gjatë politike me Vuçiçin, por edhe me raportin ndaj pronës publike pas luftës.
Donal Trump nuk pretendon që Amerika si prioritet të ketë Evropën kontraverse, burokratike, demokracitë dhe liritë e brishta në botë, regjimet klienteliste dhe autoritare. Kjo mundet të godasë edhe shqiptarët nëse mbisundon korrupsioni, nëse neglizhohet Mbrojtja dhe Siguria. Logjika e pritjes së gjertanishme të ndihmës nga Amerika duhet të konvertohet në vetëdijësim të politikës shqiptare për investime në Mbrojtje dhe Demokraci reale, por edhe në bashkëpunimin substancial me Amerikën. Çdo veprim tjetër, qoftë edhe në emër të shërbimeve publike është kundëramerikanizëm.
Zëvendëspresidenti Vance kishte të drejtë: Vallë si është e mundur në zemër të Evropës tani e më shumë se tre vjet po zhvillohet luftë agresive dhe okupuese ndaj një shteti të lirë dhe sovran, kurse Rusia ndihet komode dhe e sigurt për veprimet ekspansioniste? Po në këtë rrafsh, si u tolerua nga Evropa dhe Amerika Serbia për afro katermbëdhjetë vjet në dialog me Kosovën duke zbatuar me përpikmëri politikën e Titos ilustruar në sloganin: Jepe sinjalin djathtas vazhdo udhëtimin majtas, e të përfitoj ndihmë financiare evropiane dhe benefite eurointegruese në kundërshtim të parimeve të vetë Evropës?
Porositë amerikanë në Mynih janë shumëdimensionale: Është nonsens që Shqipëria në asinkron me zhvillimet në rajon dhe më gjërë, pos që nuk u armatos për kaq vjet në demokraci, e shkatërroi edhe ate pak armatim të mbetur nga komunizmi. Nevoja për arsim, apo shëndetësi (Rama u arsyetua në Mynih me këtë) është legjitime, por Siguria dhe Mbrojtja e vendit dhe kombit nuk ka alternativë dhe shkon përtej shërbimeve publike.
Që të kuptohemi drejt dhe qartë, Donald Trump nuk e mbron as Shqipërinë si anëtare të NATO-s në referim të nenit 5 të Traktatit, nëse ajo dhe shqiptarët nuk investojnë në Mbrojtje. Pra, edhe përkundër proamerikanizmit të pashembull, shqiptarët dhe Shqipëria nuk mund të sillen me komoditet në armatimin e vetes, apo në mbrojtje të kombit. Proamerikanizmi shqiptar e ka vlerën e vet të çmuar dhe këtë e vërejtëm te urimi i presidentit Trump drejtuar Vjosa Osmanit për Ditën e Pavarësisë. Urimin e tij e mbisundoi dëshira për Kosovën që të bëhet anëtare e NATO-s. Nuk mendoj se ka diçka tjetër vlerë më të madhe se kjo.
© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut