Trashëgimi

Lahuta e Malcis asht ndërgjegje kombëtare - Nga Behar Gjoka

Behar Gjoka

Rileximi i këtyre kohëve i epit Lahuta e Malcis, kryeveprës së Gjergj Fishtës, por edhe i njërës nga kryeveprat e letrave shqipe, gjithkohore dhe në gjithhapësi, më krijoj dy ndjesi të forta, dy pamje të frikshme, për mënyrën se si i janë qasur kësaj vepre, kur doli në dritën e botimit, e më vonë, kur hodh si leckurinë si pa asnjë vlerë.

E para: Një shqetësim i madh, kozmogonik, tokësor dhe qiellor, ia solli frymëzimin nër pejëzit e shpirtit dhe mendjes, At Fishtës, që lidhet me çastin e rrezikut të pranishëm, që shfaqej mbi trojet dhe qenien arbnore, atëbotë kur nata osmane kaqshekullore, po binte, e në qiellin e mjegulltë, po aviteshin hijet e cubave të Malit të Zi, të sllavëve të moskovit. Asht thirrje hyjnore, me shpëtu trojet dhe botën arbre.

E dyta: Më është krijuar përshtypja, sidomos në lidhje me eposin Lahuta e Malcis, si ata që e kanë shpallur Homeri shqiptar, edhe ata që e kanë etiketuar si pa vlerë, madje reaksionare, ose nuk e kanë lexuar, ose e kanë keqkuptuar, ose kjo vepër është parë në krye të herës si pengesë për vllaznimin internacionalist me sovjetët.

Gjuha dhe arti që ngërthen në vargjet e veta epi Lahuta e Malcis, atëbotë kur u hodh në letër, kur u ba ndërgjegje kombëtare, e ka vënë në themelet e mbijetesës genin arbnor. Lahuta e Malcis, asht kanga e dhimbës, asht klithma e lajmtimit të ferrit që u ra për hise trojeve arbnore…

©Behar Gjoka