Trashëgimi

Kush ishte Don Hoze Maria Toptani? - Nga Edmond Hasani

Edmond Hasani

Në verën e vitit 1995, duke u përgatitur për quiz-in e RTSH “7 Dubla për Kinemanë”, ndërsa lexoja në revistën e njohur italiane “Chi” biografinë e aktores më të madhe latino-amerikane, argjentinases Tilda Thamar, u njoha me faktin se ajo kish qenë e martuar për pak kohë me një shqiptar shumë të njohur të kohës, djalin e Refik Toptanit, Iljaz Toptanin. Shprehimisht shkruhej, ajo u martua me shpejtësi dhe në anonimat me një playboy shqiptar, aristokratin Iljaz Toptani ose Kont Iljaz Toptani.

Majtas aktorja argjentinase Tilda Thamar

Kur pyes babain tim, i cili ka patur njohje me Toptanët e rrugës së Pishës dhe Toptanët e internuar në Peshkopi më thotë: Kont Toptani ishte më i veçanti toptanas në histori, që kurrë nuk u ngatërrua me politikë, por jetën e ndau mes udhëtimesh, qejfesh, martesash të bujshme e divorcesh, sallonesh mondane, garash me kuaj, automobilash, etj... në shtëpi kemi patur një foto të Kont Toptanit hipur në një avion të vogël sportiv…

Iljaz Toptani në Meksikë

I pari që ka shkruar për toptanasin enigmatik është Blendi Fevziu, në librin e tij “Tirona e Nonës”, ku lexuesi mund të habitet me shqiptarin jashtë serie Iljaz Toptani. Bukurosh, cinik, ironik, i kulturuar, xhentil, aventurier, kalores garash me kuaj, trajner i kombetares së hipizmit në Meksikë, trashëgimtar si dhëndër në Johanesburg i minierave të floririt, autor librash sportivë për hipizmin, që pasi jetoi nga 1907 deri më 1976 siç deshte, duke shëtitur pothuaj gjithë botën, la pas një vajzë, 6 martesa, modelin më të famshëm të shalës së kalit dhe emrin Don Hoze Maria Toptani, si një frymëzim nxitës për ndonjë film a roman për këtë shqiptar të rrallë e aristokrat safi.

©Edmond Hasani