Trashëgimi

Lezha gatuan

Për herë të parë Bashkia Lezhë organizoi Festivalin e Gastronomisë: ''Lezha Gatuan”. Merrnin pjesë restorantet më të njohur, kuzhinierët më të mirë, ku spikati një menu me plot krijimtari dhe shije pa harruar gatimet tradicionale bio.  Më shumë se një garë, festivali i gastronomisë synonte promovimin e gatimeve të traditës dhe të kuzhinës moderne me praktikat më konkuruese, tani në prag të sezonit turistik. 

Sipas drejtuesve lokalë, ky projekt meritonte të financohej nga dikasteret qendrore, pasi promovonte Lezhën në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë që nuk u bë me vepra por vetëm me fjalë. 
Në mjediset e sheshit para Bashkisë Lezhë, tendat me gastronominë e ekspozuar, me një shumëllojshmëri gatimesh, qëndruan të hapuara gjatë gjithë ditës.

Festivali “Lezha Gatuan” u zhvillua në një datë me përvjetorin e ditëlindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbej në sheshin që mban te njëtin emër në qytetin e Lezhës. Ky aktivitet synonte shfaqjen, njohjen, dhe shijimin nga ana e publikut të specialiteteve eno-gastronomike tradicionale, por dhe kulinarisë bashkëkohore më të përpunuar të zonës së Lezhës, e cila vitet e fundit ka pasur një hov, larmishmëri, cilësi në fushën e shijes e gatimit por dhe artizanatit.   

    

Lezha përbën një pikë turistike tejet interesante të Shqipërisë, me një sërë monumentes e vendesh për të vizituar si Kështjella e Lezhës, rrënojat e qytetit antik të Lissus-it, Kishën e Shën Kollit ose Vendprehjen e Gjergj Kastriotit, monumentin kushtuar Besëlidhjes, monumentin e Gjergj Fishtës, Shëtitoren e re përgjatë Lumit Drin, plazhin e afërt të Shëngjinit, Zonën e Mbrojtur të Kune-Vainit, Ishull Lezhës, Lagunën e Patokut, Kallmetin, Fishtën, Zadrimën ku ka shembuj eno-gastronomike dhe agro-turistike mjaft të veçantë dhe për t’u vlerësuar .  

Referenca: lezha.gov.al

©Flasshqip.ca