Fijet e arta të Mit’hat Frashërit - Nga Visar Zhiti
Visar Zhiti
Dua të flas thjesht, ashtu siç e kujtonin im atë dhe ime më, e kishim Mik të familjes në Berat, burrë i lartë nga dera e madhe e Frashërllinjve, - e lavdëronin me shpirt, - bir i Abdyl Frashërit dhe nip i Samiut dhe i Naimit të pavdekshëm, zemërgjerë dhe fisnik si ata, me kulturë të madhe europiane, patriot dhe idealist, iu përkushtua Shqipërisë, Kryetar i Ballit të Kombit, lider moral dhe shkrimtar fin…
Kur im atë u fejua me nënën time në kohë shqetësimesh të mëdha, ishte Lufta e Dytë Botërore, ajo donte t’i dhuronte tim eti një qëndismë, qëndiste mahnitshëm dhe im atë vizatoi mbi një copë atllasi të kuqe shqiponjën e zezë dykrenore dhe shkruajti 4 vargje për Flamurin Kombëtar, por në atë krizë të rëndë që kishte pllakosur vendin, s’gjendeshin moline për të qëndisur.
- I gjej unë, - tha Mit’hat Frashëri dhe sytë i ndrinin, - por dua të më qëndisësh dhe mua një Flamur ashtu.
- Me shumë dëshirë, - u lumturua nëna ime dhe qëndisi dy flamuj me penjët e artë që solli Mit’hati, ndoshta nga Vjena, Roma a Parisi. Lufta vazhdonte, ata burra luftonin jo vetëm me armë, por dhe me kulturë e dhëmbje duke mbetur njerëz edhe kur ishte aq e vështirë, gati e pamundur dhe nëna ime qëndiste si me fije të arta ëndrre atë që ishte ideal. Një Flamur për tim atë në martesë dhe tjetrin dhuratë për mikun e tyre të shtrenjtë.
Flamurin tonë nëna e ruajti gjithë jetën. Dhe vonë Doktoreshë Linda Spahiu, antropologe dhe koleksioniste e pasionuar, na e vuri Flamurin në një korrnizë të bukur, krijoi një vepër arti që u ekspozuan në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit. Aty janë bashkë vargjet dhe vizatimi i tim eti, duart qëndistare të Nënës time dhe fijet e arta të idealit Frashërjan, që duket sikur zoti Mit’hat i hedh ende nëpër Atdhe si rreze të diellta shprese dhe dashurie.
Sot, në këtë përvjetor të tij u përurua dhe Vepra VII e kolanës së Mit’hat Frashërit nën kujdesin e historianit Uran Butka, që drejton dhe Institutin e Studimeve Historike që mban emrin e atij letrar, “Lumo Skëbdo”. Fijet e arta të Mit’hat Frashërit lidhin në vazhdimësi kujtesën Kombëtare me ardhmërinë…
©Visar Zhiti