Trashëgimi

Në 53-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës - Nga Jusuf Buxhovi

Historiku i emancipimit arsimor, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi si dhe procesi i shkëputjes politike nga Serbia nga fundvitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, lidhet ngushtë me themelimin e Universitetit të Prishtinë, më 15 shkurt 1970. Mund të thuhet se nga dita që u themelua Universiteti i Prishtinës, ky zhvillim historik u vu në binarët e pakthyeshëm.

Ato që tha rektori i  parë i Universitetit të Prishtinës, akademik Dervish Rozhaja, gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës,  se  vetëdija arsimore dhe kulturore e kultivuar në institucionet më të larta të dijes dhe të shkencës, siç është universiteti,  përcakton edhe atë shoqërore dhe politike, duke u kthyer në platformë politike të kthesës historike nëpër të cilën kaloi Kosova gjatë Lëvizjes Kombëtare të fundviteve tetëdhjetë dhe atyre nëntëdhjetë, e deri te shpallja e pavarësisë shtetërore, më 17 shkurt 2008.

Andaj, nuk është e rastit që në listën e nismëtarëve të themelimit të LDK-së ishin edhe rektorët e Universitetit të Prishtinës: akademik Dervish Rozhaja dhe akademik Idriz Ajeti, ndërsa akademik Gazmend Zajmi ishte njëri ndër ideatorët kryesorë të Programit politik të LDK si dhe dokumenteve themelore të shkëputjes nga Serbia: Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit 1990.

Në vazhdën e angazhimit të rektorëve të Universitetit të Prishtinë në kuadër të lëvizjes kombëtare, duhet përkujtuar edhe roli i akademik Idriz Ajetit si kryetari i parë i Parlamentit të Kosovës nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, kur iu vunë themelet parlamentare shtetit të Kosovës.

Me këtë rast duhet përkujtuar edhe kontributi i madh i rektorit të Universitetit të Prishtinës, profesor Ejup Statovcit, njëherësh edhe anëtar i Këshillit Qendror të LDK, për dinamizimin e Lëvizjes së rezistencës kombëtare në tetor të viti 1997 me anën e protestave të studentëve, që i dhanë impulset vendimtare rezistencës së armatosur.

© Jusuf Buxhovi