Ibrahim Rugova, një frymëzim i jashtëzakonshëm - Nga Enver Bytyçi

Enver Bytyçi
Kosova festoi 15-vjetorin e pavarësisë së saj pa themeluesin e shtetit, Dr. Ibrahim Rugovën. Ata që e duan Rugovën kanë shprehur e shprehin keqardhje që ai nuk e mbërriti ditën e shpalljes së pavarësisë. Por Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet personaliteti më i nderuar dhe respektuar i kohëve moderne të shqiptarëve. Askush si ai në historinë tonë nga Rilindja e këtej nuk ka mundur të jetë në naltësinë e tij.
Presidenti Historik i Kosovës dhe themeluesi i shtetit shkoi në amshim vetëm dy vite para shpalljes së deklaratës së pavarësisë, sepse:
-Ai do ta lexonte Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, por nuk duhej ta bënte këtë, sepse kundërshtarët e tij kërcënuan e thanë: “Nuk e duam pavarësinë, nëse atë e shpall Ibrahim Rugova”.
-Sepse Rugova mund ta mbronte shtetësinë dhe territorin nga agresioni e diversioni i Serbisë, por nuk duhej ta bënte këtë akt madhor për formësimin e shtetit të pavarur. Ata që do ta pasonin ishin plastelinë në duart e qarqeve pro-serbe dhe do të angazhoheshin në plotësimin e interesave të Serbisë në Kosovë.
Kësisoj Ibrahim Rugova jo vetëm në të gjallë, por edhe me vdekjen e tij, i shërbeu atdheut e kombit të vet. Parandaloi përçarjen tipike shqiptare, e cila do ta çonte vendin dhe shtetin në dështim të menjëhershëm. Fatkeqësisht parandalimi pati efekt të shkurtër. Sepse më pas do të vinin në krye të shtetit të Kosovës e të Shqipërisë bashkëpunëtorët e Serbisë dhe do t’i shkatërronin themelet e shtetit të Kosovës e madje edhe të territorit të saj.
Dashtë Zoti e ndërpritet përfundimisht ky proces rrënimi për Kosovën, shtetësinë, territorin e pavarësinë e saj.
Ibrahim Rugova është për këtë një mësim dhe frymëzim i jashtëzakonshëm.
© Enver Bytyçi