Trashëgimi

Mirush Kabashi dhe…nderet e tjera të kombit - Nga Frano Kulli

Frano Kulli

Me Mirush Kabashin, në përvjetorin e 100-të të Konferencës së Paqes, 2019, në një aktivitet përnderues për Fishtën, patëm shkëmbyer këtë bisedë:

- Qysh kur e mban Fishta titullin “Nderi i Kombit”, - më pyet Mirushi.

- Nga 2002-shi - i përgjigjem unë… Mirushi ishte aty e do të recitonte njërën prej poezive të Fishtës, fort të pëlqyer prej tij, “I d’buemi”. Po përpara se të fillonte, iu drejtua pjesëmarrësve në atë veprimtari:

- A e dini se tani së voni i është dhënë titulli “Nderi i Kombit” këtij burri - dhe bëri me dorë nga shtatorja e Poetit Kombëtar, aty pranë. - Po të njëjtin titull si ky burri mbaj edhe unë. Edhe pse e di veten me njëfarë kontributi në këtë vend… s’di se si ndihem … nderi i kombit unë e nderi i kombit ky burri…, - e përmbylli parafjalën e tij atëhere Mirush Kabashi.

Më erdhi në kujtesë ky rrëfim i shkurtër i Mjeshtrit të madh, në ditën e fundit jetës së tij këtu, atëhere kur po përcillej për në botën e qiellit....

Pas veprimtarisë drekuam së bashku, vetë i tretë, me Tonin Çobanin. Edhe aty, në tavolinë, te “Diella” në Kune e rimorëm përsëri në bisedë Fishten:

- Gjergj Fishta ka nga të huajt 4 dekorata të larta: “Mearif, kl. II, 1912”, akorduar prej qeverisë osmane, “Ritterkreuz, 1912” prej Austro-Hungarisë, prej Papa Piut XI “Medaglia di Benemerenza, 1925” dhe prej Mbretit të Greqisë “Phoenix”, 1931, të cilat figurojnë në jakën e zhgunit të fratit, në një foto të vitit 1932, është edhe një tjetër, që pak është e njohur dhe rrallë përmendet…

I dinte edhe Mirushi këto, po prapë ai e ngacmonte biseden.

- Përpos katër dekoratave shumë të larta ka edhe disa dhurata simbolike për t’u shënuar. Një tufë atdhetarësh të qytetit të Beratit i kushtojnë një pendë ari, në shenjë nderimi e mirënjohjeje si shkrimtar e atdhetar (viti 1918). Po ka një dhuratë të shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një teste (komplet prej 12 copësh) lugë, pirunj e thika prej ari, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”… - Kurse më e larta medalje nderuese prej kombit të vet, të cilit i dha emër si pakkush ndër shqiptarë, i akordohet vonë, shumë vonë. Në vitin 2002 pra, - rithekson me pezm Mirushi...

Nuk e di a e mbajnë këtë titull, më të lartin titull zyrtar nderimi ata baballarët e vërtetë të kombit, emër për emër ata, që historia jonë i ka shënuar si të tillë. Të gjithëpranuar e të pakontestuar… Ata, që në historitë e kombeve të qytetëruara kanë zënë vend në tempuj...

Atë ditë, unë edhe Tonini mësuam prej tij atë kumtin e trishtë të sëmundjes. Sapo ishte kthyer nga Turqia, i diagnostikuar me të keqen, por jo me shpresa të humbura...

Në prillin e sivjetëm ishim prapë së bashku në Namur (Belgjikë), të ftuar të Shoqatës “Nënë Tereza” atje, prej Arjan Bajraktarit, stërnip i Çun Mulës emërmadh të Hotit. Për Fishtën... Për “Gjuha shqype” tash, e për të tjera poezi që Mirushi i kishte për zemër. Me mjeshtrínë e rrallë që ai kishte e me pasionin e pashtershëm...deri në frymën e fundit.

Pastë dritë, Mirushi i mirë!

© Frano Kulli