Trashëgimi

Momente - Nga Roland Gjoza

1.

Nuk mund ta harroj atë gëzim aq të çilter të Sadik Kacelit kur i thamë se mungonte Parisi. Aparati i vjeter i projeksionit kërciste mbi tavolinën me qirinj dhe gota me verë të kuqe. Ai rrinte ulur në krye, i biri, Buroni, pas tij, me duart përpara ku mbante fotografitë e të atit, bardhë e zi, nga kohët e hershme, vitet 30-40.

Piktori i vjetër vështronte përpara në mur me një përqëndrim fëmije. Kush nuk preket nga Notre Dame, Sena, Luvri, Champs-Elysées, ku ai tani ëndërronte të kalonte me bastun. Kishin kaluar që atëherë 50 e ca vite. Do të trokas te porta e studios së vogël ku bëja nuset me duvak. Para Eifelit unë vizatoja nuset me duvak, që presin kuajt t’i marrin, kuajt e larë me sapun dhe të fërkuar me furçë e peshqir. Nuk me ndahej tema e Tiranës.

Në shkollë, në Paris, në orët e nudos, nuk gjeja vend dhe vizatoja ulur në dysheme. Asnjëherë nuk gjeja vend. Ata ma bënin kinse këtë gjë, për të më patur sa më larg. I ndieja vështrimet e çuditshme që më hidheshin herë-herë, por nuk kuptoja asgjë. Kishte ndodhur një keqkuptim. Ata, studentët më kishin marrë frikë, sidomos vajzat, për shkak të emrit Sadik, që e shqiptonin Sadist dhe prisnin kur do të nxirrja thikën.

Kjo histori e bënte për të qeshur. E vinte gotën me verë në buzë dhe shkrihej në lot. Ah, kur të shkojmë atje! Po nuk shkuam dot. Ai do të ishte fundi i dokumentarit, rikthimi në Senë, po bileta ishte prerë gabimisht për në lumin Lethe.

2.

Kozeta, vajza e Vangjush Mios rrëfente për mbi 20 punë te vjedhura të babait. Me pikëllim të vjetër. Shkuam te Galeria-Muzé e piktorit, një shtëpi si e dalë nga operat Traviata, apo Boheme. Korça ka shumë të tilla. Po mungon regjisori. Dhe roja. Ato mund të vidhen sërish e sërish edhe në mes të ditës. Zoti i ruajtë!

Ai ka qenë mik i ngushtë me fotografin Kristaq Sotiri. Të dy ishin kthyer nga jashtë. Kishin biçikleta, venin në Pogradec të shikonin liqerin. E dini? Edhe Sotirit desh i vodhën pllakat e xhamit. Dikush i kishte hedhur në një kosh plehrash. Ishte fare rastësi zbulimi i tyre. Tërë dhëndurët dhe nuset e Korçes në to. Qindra pllaka xhami me bromur argjendi. Qindra kryevepra të vërteta. Mjeshtër Sotiri ka fotografuar tërë dasmat e prindërve tane, bukuroshkat e para, modelkat, po dhe nudo magjepsëse.

Ku janë, ku ruhen? Ja, këtë galeri që shikoni kërkon ta marrë pronari i shtëpisë. Pastaj çdo të bëhet me pikturat? Do t'i mbaj unë në apartament, në dhomën e gjumit, në kuzhinë. Korça ka 36 piano, ku janë? Nëpër bimsa bashkë me tëmotjet. Atje përtej ka qenë Maxhëstiku i famshëm i filmave pa zë. Ku është? Ç’kanë mbetur, aparate, kaseta me filma, karrige, dergjen në një oborr shtëpie në mjerim. Po ikonat e kishave të vjetra, ikonat e Shpatarakut, Selenicasit, Zografit? Janë vjedhur.

Kur erdhi babai nga Rumania dhe Italia zbriti nga makina dhe hipi në një karro drithi në fushat e Korçës. Fjeti dy net me fshatarët dhe bëri pikturat e para në atdhe. Karroja ecte fushës në brymë, ndërsa ai i mbuluar me flokë të gjatë hidhte në telajo i mahnitur kavakët, fushat, kanalët, retë, qiellin madheshtor.

Pastaj kërkoi të hapte një ekspozite, po ku, si, në ç’mënyrë, sepse në Korçë nuk kishte galeri, as salla ekspozitash. Po ai nuk donte të kthehej në Romë, apo Bukuresht, donte medoemos të qëndronte këtu. E ndihmoi një tregtar, hapi sallonin e madh të vilës së tij dhe aty u ekspozuan peisazhet dhe portretet e Vangjush Mios. Ky ishte atdheu, i pakët, i varfër, i paditur, po ata e bënë atë, nuk e vodhën, apo e braktisën.

Ajo kishte lot në sy. Kishte lot të vërtetë që i fshinte në heshtje me fisnikëri.

3.

Pietro Marubi erdhi në Shqipëri në vitet 50 të 800-tës. Thonë se ishte refugjat. Garibaldin i përndjekur. Zbriti në Vorë. Po aty një kolonel italian, që ia donte të mirën, i tha të shkonte në Shkodër, se ai mbahej si qytet më liberal, të huajt atje e kalonin pa kokëçarje. Kështu bëri. Zbriti nga karroca dhe u fut në një kafene të madhe. Aty këndonte një çingije e bukur yll dhe ai u dashurua pas saj. Si kishte ndodhur të binte kaq shpejt në dashuri. Ajo shkoi me të. Ishte një dhomë bujtine me një mangall bakri plot me prush druri në mes të dhomës. Kishte shumë dritë natën. Ajo ia fërkoi trupin me raki, se atë e zunë ethet dhe kur u zgjua, ai nuk e pa më. Ajo nuk i kishte marrë paratë. Mbi çarçaf i kishte lënë unazën e saj, një rreth i trashë floriri me inicialet e saj, që ai nuk i njihte, kështu që nuk ia mësoi emrin kurrë. Pietro e vuri në gishtin e vogël dhe nuk e hoqi më. Nuk u martua. Por krijoi familje. Frroku, mirëmbajtësi i shtëpisë, kishte tre djem. Ai ia shkolloi që të tre. I pari, Matia, vdiq shumë i ri nga tuberkulozi. I dyti, Keli, studioi te Lymierët në Francë dhe sot konsiderohet si një nga fotografët më të mëdhenj të Europës. Me këtë lidhet kjo që do t’iu tregoj.

Pietro Marubi

Më 1922 Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm donte të hapte një fushatë për të organizuar grumbullimin e parë të armëve në Shqipëri. Por kjo ishte një sprovë tejet e vështirë. Ai porositi te Kel Marubi një poster që do t’i bënte reklamë kësaj fushate. Kjo fotografi konsiderohet si një nga kryeveprat botërore, ndër 500 fotografitë më të bukura.

Kel Marubi

Toger Raka, përfaqesuesi i qeverisë, i dërguar në Veri për këtë mision, bajraktari i Shalës, malësorë, xhandarë.12 vetë, 12 profetë të paqes, një afresk biblik i shtrirë në kahje horizontale, nga lind e perëndon, ku zgjohet dhe fle vetë perëndia. Ky hir mistik i shkon asimetrikisht me një notë tragjike keëaj marreveshjeje paqeje me një mundësi ploje. Sepse aty fshihet dhe një farsë, toger Raka është poshtë i gjunjëzuar, ndërsa malësori krenar, bajraktari i Shalës, është lart në këmbë me pamje kreshniku, ai i ka zgjatur pushkën e gjatë Rakës me një mahi të mezidukshme në buzë. Dhe ia ka dorëzuar (!) pushkën me dorën e majtë, që vetëm merr, po s’jep. Një fotografi, po dhe një epope botërore. Një mision i kryer në pakryerjen e përjetshme të lojës universale të luftës dhe paqes.

Pietro Marubi, italiani i madh vdiq si baba. Kel Marubi gjeni vdiq si bir, Gegë Marubi si bir i Kelit dhe nip i Pietros. Për nder të italianit, shqiptari mirënjohës la mbiemrin e vet dhe mori atë të mirëbërësit Marubi. Po kjo kryevepër, “Dorëzimi i armëve”, nuk shihet sot askund. Megjithëse në Shqipëri gjithmonë bëhen fushata për grumbullimin e armëve.

© Roland Gjoza