A e subvencionojnë Shtetet e Bashkuara Kanadanë? - Nga Gérald Fillion
- Published in Kanada
Gérald Fillion* - Analist ekonomik Radio-Canada
Është e paarsyeshme të thuhet se Shtetet e Bashkuara subvencionojnë Kanadanë me 100 miliardë dollarë në vit ose se Shtetet e Bashkuara humbasin 200 miliardë dollarë çdo vit në marrëdhëniet e tyre me Kanadanë. Këto deklarata të bëra nga Donald Trump janë të pasakta dhe meritojnë disa shpjegime.
Presidenti amerikan i zgjedhur është shprehur se synon të arrijë qëllimet e tij me fqinjin verior duke përdorur "forcën ekonomike". Edhe pse dihet qartazi që Kanadaja nuk do të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara në një të ardhme të afërt, siç e përsërit shpesh Donald Trump, është po aq e qartë se presioni i ushtruar nga administrata e ardhshme, që planifikon vendosjen e tarifave doganore, do ta detyrojë Kanadanë të negociojë dhe, ndoshta, të bëjë lëshime tregtare.
Ky presion, që më shumë i ngjan kërcënimit, injoron në fakt dinamikën historike midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, dy vende me ekonomi të ndërlidhura dhe me mbrojtje territoriale të harmonizuar për dekada, që nga krijimi i Komandës së Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD).
Donald Trump sulmon aleatin e tij kryesor, duke pohuar ndër të tjera, se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për automjete që vijnë nga Ontario, produkte bulmeti nga Kanadaja dhe dru për ndërtim nga Quebec dhe British Columbia. Por, arsyeja e vërtetë që kryesisht krijon deficitin tregtar është importimi i naftës dhe gazit nga Kanadaja.
Teprica tregtare e Kanadasë në tre sektorët e përmendur nga presidenti Trump ka qenë pak më shumë se 30 miliardë dollarë në vitin 2023. Në produktet energjetike, teprica ishte 134 miliardë dollarë. Në fakt, nëse marrim të gjithë sektorët e aktivitetit dhe përjashtojmë naftën dhe gazin, janë Shtetet e Bashkuara ato që kanë tepricë tregtare.
Megjithatë, Donald Trump nuk foli për produktet energjetike të Kanadasë gjatë konferencës së tij për shtyp të martën e kaluar (07.01). Pikërisht kjo ndryshon të gjithë ekuilibrin.
Në mënyrë paradoksale, kërcënimet aktuale të presidentit të zgjedhur kanë bërë që teprica tregtare e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara të rritet në nëntor 2024, pasi kompanitë amerikane rritën rezervat e tyre përpara vendosjes së tarifave doganore nga administrata e ardhshme.
Teprica e Kanadasë ka tendencë të rritet me rritjen e vlerës së naftës së saj dhe dobësinë e dollarit kanadez. Jo më pak se 81% e prodhimit të naftës kanadeze eksportohet, dhe 97% e saj shkon në Shtetet e Bashkuara.
Kolegët e mi në Ottawa raportuan të mërkurën (08.01), sipas disa burimeve, se qeveria federale është duke përgatitur një listë të produkteve dhe shërbimeve që mund të preken nga një kundërpërgjigje kanadeze ndaj tarifave doganore të Donald Trump.
Është thelbësore që Kanadaja të kundërpërgjigjet, pasi çështjet ekonomike për vendin janë tepër të rëndësishme. Sipas ekonomistëve të Financial Services Company Desjardins, zbatimi i tarifave doganore prej 25% deri në verën e ardhshme do të shkaktonte me siguri një recesion në Kanada.
Pjesa e eksporteve të provincave kanadeze që shkon në tregun amerikan është shumë e lartë, veçanërisht në New Brunswick, Alberta, Ontario dhe Quebec.
Pra, jo, Shtetet e Bashkuara nuk subvencionojnë Kanadanë. Por, pavarësisht kësaj, Kanadaja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vlerësojë të gjitha opsionet për t'iu përgjigjur administratës së ardhshme Trumps, sepse ajo varet shumë nga tregu amerikan.
Burimi : Radio Canada
Fotot: The Canadian Press/Spence Colby; Radio-Canada
*Autori është gazetari dhe kronisti kryesor i Radio-Canada i specializuar për ekonominë si dhe drejtues i programit Zona Ekonomike.