Kanada: Kryeministri Trudeau dorëzohet, pezullohet Parlamenti, opozita kërkon zgjedhje
- Published in Kanada
Pas shumë ditësh hamendësime e skenarësh të mundshëm hedhur në tregun e opinionit publik nga analistët e mediave, kriza politike që ka përfshirë Kanadanë muajt e fundit pati një zhvillim të ri paraditen e sotme (06.01). Ashtu siç u paralajmërua qysh herët në mëngjes, kryeministri kanadez Justin Trudeau deklaroi se do të tërhiqet nga postet e kreut të ekzekutivit dhe atij të liderit të Partisë Liberale të Kanadasë, pasi të zgjidhet pasardhësi i tij.
Trudeau i ka kërkuar njëkohësisht Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon të pezullojë Parlamentin deri më 24 mars, ndërsa Presidenti i Partisë Liberale të Kanadasë, Sachit Mehra, njoftoi po sot se do të thërrasë këtë javë një mbledhje të Këshillit Kombëtar për të nisur procesin e zgjedhjes së një lideri të ri të partisë. Deri tani emrat më të përfolur si pasardhës të Trudeau janë Mélanie Joly, ministre e Jashtme, ish-zëvendëskryeministrja e dorëhequr Chrystia Freeland, ish-Guvernatori i Bankës së Kanadasë Marc Carney si dhe Dominic LeBlanc, ministri aktual i Financave dhe aleati më besnik i kryeministrit.
Muajt e fundit kanë qenë veçanërisht shumë të vështirë për Trudeau. Dorëheqjet e disa prej figurave më të rëndësishme të partisë, sondazhet katastrofike, disfatat e njëpasnjëshme liberale në zgjedhje të pjesshme, paralajmërimet e opozitës për rrëzimin e qeverisë sapo të rimblidhej Parlamenti më 27 janar dhe sidomos humbja e mbështetjes brenda grupit të deputetëve liberalë, zërat e të cilëve në kërkim të largimit të tij u shumëfishuan ndjeshëm prej disa javësh, nuk i kanë lënë alternativë tjetër atij përveç largimit përfundimtar nga skena. Mbetet për t’u parë se sa ky zhvillim i pritur prej kohësh do të reduktojë humbjen katastrofike të paralajmëruar të Liberalëve, të cilët sipas sondazheve mund të dalin edhe partia e tretë.
Justin Trudeau po largohet kësisoj nga posti i kreut të ekzekutivit që ka mbajtur prej 9 vitesh dhe i liderit të partisë që ka drejtuar prej gati 13 vitesh. Më 19 tetor 2015, në moshën 43-vjeçare, ai u bë kryeministri i 23-të i Kanadasë, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Pierre Elliott Trudeau, i cili qëndroi më shumë se 15 vjet në pushtet.
Reagime dhe thirrje për zgjedhje nga opozita
Pas njoftimit të kryeministrit Trudeau ndër të parët që kanë reaguar në rrjete kanë qenë ish-lideri i Konservatorëve dhe ish-kryetari i Dhomës së Deputetëve, deputeti Andrew Scheer dhe kryeministrja e provincës Alberta, Danielle Smith, një ndër drejtueset e provincave që ka kundërshtuar vazhdimisht politikat dhe vendimet e kreut të qeverisë federale.
Sipas Andrew Scheer, dorëheqja e Justin Trudeau nuk ndryshon asgjë, sepse të gjithë deputetët liberalë i kanë mbështetur politikat e tij katastrofike. “Deputetët liberalë nuk e kanë detyruar atë të japë dorëheqjen sepse nuk janë dakord me të. Ata janë në panik sepse vendi i tyre i punës është i rrezikuar. Ata ende i mbështesin politikat e Justin Trudeau dhe thjesht shpresojnë se votuesit do të mashtrohen nga ndryshimi i fytyrës në posterat zgjedhorë”, komentoi ai.
Nga ana e saj, kryeministrja albertane Smith bëri thirrje për zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur. “Partia Liberale e Kanadasë po vendos interesat e saj politike egoiste përpara atyre të popullit kanadez duke paralizuar Parlamentin dhe pezulluar demokracinë për muaj të tërë, ndërsa pritet të zhvillojë një garë për udhëheqjen e brendshme të partisë. Ky është një nga aktet më të papërgjegjshme dhe egoiste të një qeverie në historinë kanadeze”, u shpreh ajo.
Ndërkohë të tre liderët e partive opozitare në Parlament kanë ripërsëritur kërkesën për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Kreu i Partisë Konservatore Pierre Poilievre e ka nisur mesazhin e tij në rrjetin X me këtë fjali: “Asgjë nuk ka ndryshuar. Çdo deputet dhe kandidat për drejtimin e Partisë Liberale mbështeti gjithçka që bëri Trudeau për nëntë vjet”. Sipas tij, mënyra e vetme për të riparuar atë që shkatërruan Liberalët është mbajtja e zgjedhjeve.
Në daljen e tij para mediave, lideri i Bllokut Québécois, Yves-François Blanchet, kritikoi veçanërisht humbjen e kontrollit mbi shpenzimet publike nga ana e Liberalëve si dhe politikat e dëmshme të imigracionit për Quebec. Ai u shpreh njëkohësisht se zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo shumë kohë pas rifillimit të Parlamentit më 24 mars.
Nga ana e tij, kreu i NDP, Jagmeet Singh, deri para pak kohësh aleat i kryeministrit, deklaroi se problemi nuk mbaron me largimin e Justin Trudeau dhe se Liberalët nuk meritojnë një shans tjetër, cilido qoftë lideri i tyre.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: Getty Images /AFP/Dave Chan