Opinione

Nuk është kurrë vonë për të kërkuar të vërtetën - Nga Agim Baçi

Agim Baçi

Kush e kujton 20 Shkurtin e 34 viteve më parë, do të kuptojë se, pavarësisht shumë ngjarjeve që kishin ndodhur në disa vende, sidomos në Rumani, sërish në Shqipëri ishte shumë frikë. Kjo për faktin se nostalgjikët - ata të cilët sistemi i kish formatuar në modelin vrastar - ishin gati të bënin krimet që u kërkoheshin në emër të diktaturës duke mos dashur e besuar se ai po rrëzohej.

Në shumë nga dëshmitë e botuara nga ajo periudhë, që në kufi janë kryer vrasje makabre edhe pasi kishin ndodhur ngjarjet e hyrjes në ambasada më 2 Korrik 1990 apo Lëvizja e Studentëve në Dhjetor ’90. ISKK ka botuar dëshmi për krime edhe kur ishte më se e qartë se nuk do kish kthim më pas në atë sistem. Do të mjaftonte vetëm letra e Marsit ’91, plot mllef e urrejtje, e ish-ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës, Gramoz Ruçit, për të kuptuar se me çfarë ndjesie ishin ata që po humbnin pushtetin.

Edhe më pas, mungesa e dekomunistizimit, mungesa e muzeve të hapura për krimet në diktaturë apo mosndryshimi i teksteve të historisë, i lanë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës të shprehnin adhurim për atë kohë. Madje nga kjo nostalgji për kohën djallëzore të diktaturës jo pak herë u fajësua demokracia si sistem. Dhe në mënyrë gati krimiale u kërkuan të harroheshin dëshmitë kur shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhur për shtyllë për disa netë me rradhë në mes të ftohtit. Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi, ose më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kish mbjellë ai sistem, bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, në thelb, janë formë e talljes së hapur me shqiptarët.

Për fat të keq, në shoqërinë shqiptare u shfaqën jo pak here rrëfime të ish-gruas së diktatorit dhe shumë ish-udhëheqësve në atë diktaturë, që tregonin histori dashurie edhe pse në kohën e diktaturës u vranë dhe u dhunuan më shumë shqiptarë se ç’ishin vrarë e dhunuar nga gjithë pushtuesit bashkë.

Natyrisht, ne duhet të pranojmë se, në vitin 1990 përfunduam me një elitë si Muho Asllani, Lenka Çuko e Haxhi Lleshi, e mjaft të tjerë si ata, të cilët në jetën e tyre, përveç tundjes së kokës ndaj vendimeve të diktatorit, përveç duartrokitjeve për pushkatimet e internimet që kryheshin përmes ish-Sigurimit, nuk do mbahen mend për asgjë tjetër. Ata mbeten në vazhdimësinë e kënetës të së keqes.

Nobelisti lituanezo-polak, Çesllav Milosz, që ka shkruar një nga rrëfimet më interesante për devijimin njerëzor nën udhëheqjen komuniste, ku kish kaluar edhe vetë disa vite në bashkëpunim me ta, e quante “mendja e robëruar” mendjen e prodhuar nga autocensura që pësojnë njerëzit nën një diktaturë. Një autocensurë që e ndjejmë edhe sot kur flitet pak për gjërat që duhet të thuhen me zë të lartë për të vërtetat e shoqërisë. Dhe në fakt, të gjitha llojet e diktaturave, kanë armën më të fortë autocensurën, atë frikën e njeriut për t’u dalë përballë të vërtetave. Ajo që Milosz e ka thënë për shoqërinë polake dhe për shumë shoqëri të tjera që ishin nën diktaturat komuniste, natyrisht që për Shqipërinë vlen me disa marshe më të larta se në ish-vendet e tjera komuniste në Europë, për shkak se diktatura shqiptare rezulton të ketë qenë më mizorja.

E megjithatë, shumica e atyre shoqërive që kaluan sistem të ngjashëm me Shqipërinë arritën të pohojnë me zë të lartë humbjen e vetvetes gjatë diktaturave që kaluan duke zgjidhur kështu edhe mjaft nga enigmat e deformimit të njeriut. Ndërsa ne, si shoqëri, nuk bëmë asgjë më shumë se sa struci, që fsheh kokën para të së vërtetës. E tashmë, shkelmat e mungesës së guximit për të vërtetën, e mungesës së guximit për të pohuar atë regjim antihuman, vijojmë t’i ndjejmë në përditshmërinë tonë. E do t’i ndiejmë për aq kohë sa nuk do guxojmë të pranojmë të vërtetën e asaj që ndodhi me qytetarët e këtij vendi.

Iniciativa publike për dënimin me ligj të asaj të shkuare është një zgjidhje që na nevojitet. Ky hap, edhe pse i vonuar për shoqërinë tonë, është i domosdoshëm pasi ne kemi nevojë për një gjyq për ato kohë të errët të shoqërisë shqiptare! Nuk është kurrë vonë për të kërkuar të vërtetën dhe për ta shfaqur atë me të gjitha ngjyrat, sado e rendë të jetë, pasi vetëm pasi të pranojmë pasojat që na ka lënë ai regjim dehuman, do mund të shohim njeri-tjetrin në sy, e, dashtë Zoti, edhe të kemi procesin e Faljes dhe Pendimit - dy shina që mund të shënojnë fillimin e shërimit të një shoqërie nga e keqja me të cilën ka bashkëjetuar!

© Agim Baçi