Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 29 dhjetor 2024

  • Published in Kanada

 

Mont Tremblant - Quebec

 

-British Columbia, një spekulant i pasurive të paluajtshme dënohet me një gjobë 2.15 milionë dollarë

-Alberta, kryeministrja Danielle Smith do marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Trump

-Saskatchewan, kryetari i ri i Bashkisë Regina shpjegon sfidat për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

-Nouveau Brunswick, kompania J. D. Irving merr dritën jeshile për ndërtimin e turbinave me erë në Brighton Mountain

-Nova Scotia, nisin hetimet për uljen problematike të një avioni të PAL Airlines në aeroportin e Halifax

-Ontario, Papa Françesku i ka besuar një nga kishat e Romës kryepeshkopit të Torontos Frank Leo

 

British Columbia - Një spekulant i pasurive të paluajtshme shumë aktiv në provincën British Columbia u shpall fajtor për evazion fiskal dhe u dënua me një gjobë prej më shumë se 2 milionë dollarë për mosdeklarimin e gati 7.5 milionë dollarëve të ardhura. Agjencia e të Ardhurave të Kanadasë (Canada Revenue Agency) deklaroi në një komunikatë se Balkar Bhullar, nga Richmond, u dënua më 19 dhjetor 2024 me kusht dy vjet pa një ditë dhe me një gjobë prej rreth 2.15 milionë dollarë, që përkon me shumën e tatimit federal mbi të ardhurat e papaguara. Bhullar e pranoi fajësinë qysh më 3 gusht për akuzën e evazionit fiskal, e cila lidhej me një të ardhur të padeklaruar prej rreth 7.49 milionë dollarësh, nga transferimi i tarifave të shitjes për 14 prona nga viti 2011 deri në 2014. Tarifat e shitjes japin të drejtën për të blerë një pronë kur të drejtat dhe detyrimet e një kontrate transferohen nga një blerës tek një tjetër. Canada Revenue Agency theksoi gjithashtu, në komunikatën e publikuar të premten 27 dhjetor, se ka bërë përparime të rëndësishme në hetimin dhe luftën kundër evazionit fiskal në sektorin e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, një taksë e re mbi rishitjen e pronave do të hyjë në fuqi në British Columbia më 1 janar 2025. Kjo taksë, e cila mund të arrijë deri në 20%, do të aplikohet për pronarët që shesin brenda dy viteve pas blerjes. Ministria e Financave e provincës vlerëson se rreth 4000 prona do të jenë subjekt i kësaj takse në vitin 2025 dhe se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë do të përdoren për programet e strehimit. Sipas ministers së Financave të British Columbia, Brenda Bailey, “masa të tilla si taksa mbi rishitjen e pronave synojnë rritjen e numrit të banesave të përballueshme për blerësit dhe qiramarrësit, si dhe dekurajojnë investitorët spekulativë që blejnë shtëpi për një fitim të shpejtë”. Nga ana e saj Shoqata e Pasurive të Paluajtshme e British Columbia e ka kritikuar këtë taksë, duke pohuar se ekziston një rrezik i madh që ajo të nxisë shitësit të shtyjnë nxjerrjen në shitje të shtëpive të tyre, gjë që do të ulte ofertën e strehimit në treg dhe do të vështirësonte kushtet e tij.

Alberta - Kryeministrja e provincës Alberta, Danielle Smith, do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit që shënon fillimin e mandatit të dytë të Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara, më 20 janar. “Përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e betimit, Danielle Smith planifikon të shfrytëzojë qëndrimin e saj në Uashington për t’u takuar me përfaqësues të sektorit të energjisë, anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë”, deklaroi zëdhënësi i saj, Sam Blackett. Kjo vizitë është pjesë e strategjisë së kryeministres për t’iu përgjigjur kërcënimit të presidentit të zgjedhur amerikan për vendosjen e tarifave doganore prej 25% për çdo produkt që vjen nga Kanadaja. Danielle Smith është veçanërisht e shqetësuar për ndikimin që një luftë tarifore mund të ketë mbi ekonominë dhe fuqinë blerëse të të dy vendeve. Ajo ka pohuar se preferon një qasje diplomatike dhe është shprehur se “ne komunikojmë me aleatët tanë amerikanë dhe u kemi shpjeguar se si nafta dhe gazi i Alberta-s janë pjesë e zgjidhjes për përballueshmërinë, sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e Amerikës së Veriut”. Energjia kryeson listen e eksporteve kanadeze drejt Shteteve të Bashkuara. Sipas Statistics Canada, 81% e naftës bruto të prodhuar në vitin 2023 u eksportua, nga të cilat 97% shkuan në Shtetet e Bashkuara, duke e bërë provincën Alberta furnizuesin më të madh të naftës dhe gazit natyror për këtë vend.

Danielle Smith

Saskatchewan - Në një intervistë të fundvitit, kryetari i Bashkisë së Regina, Chad Bachynski, i zgjedhur nëntorin e kaluar, shpjegoi për CBC se dëshiron të komunikojë më mirë rëndësinë e investimeve në infrastrukturë për banorët. Ai theksoi se infrastruktura e vjetër e qytetit Regina është sfida më e madhe që po afron. Sipas një raporti të vitit 2022, vlera e rinovimit të infrastrukturës së Regina-s në vitin fiskal 2020, arriti në 12.9 miliardë dollarë. Rreth 16% e kësaj infrastrukture, ose 2.1 miliardë dollarë, ishte në gjendje të keqe ose shumë të keqe. Raporti vlerëson se nevojiten rreth 655 milionë dollarë çdo vit për të zëvendësuar ose riparuar infrastrukturën gjatë 20 viteve të ardhshme. Kjo shifër nuk përfshin projekte të reja madhore, si ndërtimi i një qendre të re akuatike, një biblioteke qëndrore, apo zëvendësimin e Qendrës Brandt. Kostoja e këtyre projekteve vlerësohet në 300 milionë dollarë, duke e rritur shumën e nevojshme buxhetore përkatëse në pothuajse një miliard dollarë. Edhe pse infrastruktura nuk është gjithmonë në qendër të vëmendjes, sipas Chad Bachynski, rrugët dhe tubacionet janë shumë të rëndësishme. “E konsideroj infrastrukturën jashtëzakonisht prioritare”, theksoi kryebashkiaku me profesion inxhinier. Ai e pranoi se deficiti në infrastrukturë kërkon fonde, potencialisht në formën e taksave. “Për mua, bëhet fjalë thjesht për të shpjeguar realitetin në një mënyrë që njerëzit ta kuptojnë. Të kuptojnë çfarë do të thotë vërtet për ata që po investojmë në infrastrukturë. Si luan kjo një rol në aftësinë tonë për të ofruar shërbimet që priten, në aftësinë tonë për ta zhvilluar qytetin tonë në një mënyrë domethënëse dhe të qëndrueshme”. Gjatë mbledhjes së parë, këshilli i ri bashkiak miratoi 229 milionë dollarë shpenzime për infrastrukturën për t’i mundësuar administratës të vazhdojë projektet në zhvillim, para prezantimit të buxhetit bashkiak në mars të vitit që vjen. Chad Bachynski ndodhet para një sfide jo të lehtë, me një këshill bashkiak të përbërë kryesisht nga të rinj në politikën lokale. Tetë nga dhjetë këshilltarët u zgjodhën për herë të parë këtë vit, por ky fakt gjithashtu përbën një mundësi për të kthyer një faqe histori e për të shkuar më tej. Efikasiteti i këshillit bashkiak të mëparshëm u cënua për shkak të grindjeve mes këshilltarëve. Kishte ankesa për mosrespektimin e kodit të sjelljes, rezoluta me politika që shënjestronin këshilltarë të veçantë dhe mbledhje që zgjateshin pafundësisht. Pikërisht këto dinamika e shtynë Chad Bachynski-n të hynte në politikë. “Kishte çështje taktike që i frustronin të gjithë”, theksoi ai. “Ne e pranojmë që nuk do të jemi dakord për gjithçka. Por ajo për të cilën jemi angazhuar është të shpjegojmë pozicionet tona, jo domosdoshmërisht për të bindur njerëzit të ndryshojnë mendim, por thjesht për të thënë: ja pse e besoj këtë vizion”, shtoi kryetari i bashkisë së kryeqytetit të provincës Saskatchewan.

Chad Bachinsky

New Brunswick - Projekti Brighton Mountain për ndërtimin e një parku turbinash me erë pranë Juniper, në distriktin Carleton të New Brunswick pritet të nisë nga puna. Provinca i ka dhënë tashmë dritën jeshile kompanisë J. D. Irving. Sipas informacionit të publikuar dje (28.12) nga CBC/Radio-Canada, një dokument i datës 5 nëntor konfirmon miratimin e fazës fillestare, e cila përfshin ndërtimin e 34 turbinave në gjysmën veriore të territorit të përzgjedhur. Ato do të kenë një kapacitet maksimal prodhimi prej 200 megavatësh. I vlerësuar me 550 milionë dollarë, ky projekt i energjisë me erë është i pari i këtij lloji për J. D. Irving. “Tani që projekti është miratuar, mezi presim të punojmë me palët e interesuara dhe komunitetin lokal për ta realizuar atë dhe, në këtë mënyrë, të ndihmojmë New Brunswick të arrijë objektivat afatgjata për energji të rinovueshme”, deklaroi Anne McInerney, zëdhënëse e J. D. Irving, në një email dërguar mediave të premten (27.12). Dokumenti shpjegon që ndërtimi duhet të fillojë brenda pesë viteve të ardhshme. Kompania ka deklaruar gjithashtu se synon të nisë punimet e para në terren që në vitin 2025. Një vlerësim i ndikimeve mjedisore të projektit u krye pranverën e kaluar dhe J. D. Irving duhet të respektojë të gjitha standardet e përcaktuara nga provinca. Udhëzimet përcaktojnë pezullimin e punimeve të ndërtimit nëse zbulohen vendstrehime të shpendëve shtegtarë ose mbetje arkeologjike. Pas ndërtimit, kompania duhet gjithashtu të kryejë dhe t’i paraqesë qeverive të New Brunswick dhe Kanadasë studime mbi ndikimet që punimet mund të kenë pasur mbi shpendët në përgjithësi e në veçanti lakuriqët e natës. Sipas faqes së internetit të projektit, rreth 227 hektarë do të duhet të çpyllëzohen, çka përfaqëson 0.3% të sipërfaqes totale të tokës. Kompania pohon se, gjatë ndërtimit, do të përdorë sa më shumë të jetë e mundur rrugët pyjore ekzistuese. Çdo ndërtim shtesë në zona me lagështi ose pranë tyre do të kërkojë një analizë dhe miratim shtesë. Nëse kompania vendos të mos e vërë më në funksionim parkun me erë, ose nëse qeveria provinciale urdhëron ndalimin e aktiviteteve të saj, turbinat do të duhet të çmontohen brenda 12 muajve nga ndalimi i funksionimit. Ndërkohë, faza e dytë e projektit do të përfshijë ngritjen e 24 turbinave të tjera, me një kapacitet të përafërt prej 150 megavatësh. Kjo fazë do të kërkojë një miratim të veçantë. Në shpalljen e projektit Brighton Mountain, majin e kaluar, kompania J. D. Irving pat deklaruar se synon të shesë energjinë që do të prodhojë tek NB Power, por sipas D’Arcy Walsh, zëdhënës i kompanisë shtetërore të prodhimit të energjisë, ende nuk ka asnjë marrëveshje për këtë çështje.

Nova Scotia - Një incident ku u përfshi një avion ndodhi dje (28.12) në mbrëmje në aeroportin ndërkombëtar Stanfield të Halifax-it, në Nova Scotia. Një pasagjere komentoi për CBC se ulja ishte brutale dhe një krah i avionit mori flakë, ndërsa zëdhënësja e aeroportit, Tiffany Chase, pohoi se një fluturim i Air Canada Express i operuar nga PAL Airlines, që kishte nisur nga St. John, në Newfoundland dhe Labrador, pati vështirësi gjatë uljes në Halifax rreth orës 21:30 të së shtunës. Zëdhënësi i Air Canada, Peter Fitzpatrick, deklaroi se dyshohet që avioni pati një problem me sistemin e uljes pas kontaktit me pistën dhe nuk arriti të shkojë deri te terminali. Të 73 pasagjerët, si dhe anëtarët e ekuipazhit, u evakuuan me autobus. Asnjë person në bord nuk u lëndua, konfirmoi Peter Fitzpatrick. Nikki Valentine, një banore e Halifax e cila ndodhej në fluturimin e PAL Airlines, shpjegoi në një intervistë për CBC se sistemi i uljes së avionit nuk funksionoi siç duhej gjatë prekjes së pistës. Ajo tregoi se udhëtarët brenda avionit ndjenë një tronditje të madhe gjatë uljes. “Avioni ishte i anuar rreth 20 gradë në të majtë dhe, kur ndodhi kjo, dëgjuam një zhurmë të fortë, që gati tingëllonte si një përplasje, në momentin kur krahu i avionit filloi të rrëshqasë mbi pistë, së bashku me atë që unë mendoj se ishte motori”, ka pohuar Valentine. Sipas saj, avioni rrëshqiti në pistën e uljes për një kohë të gjatë ndërsa pilotët u përpoqën ta ndalonin mjetin. Nikki Valentine tha se kishte parë shkëndija dhe flakë nga dritaret e avionit dhe shprehu mirënjohje për pilotin që arriti ta menaxhonte situatën shumë shpejt. Ndërkohë, ka nisur hetimi përkatës mbi incidentin nga Zyra e Sigurisë së Transportit të Kanadasë. Incidenti ndërpreu përkohësisht fluturimet në aeroportin e Halifax-it gjatë mbrëmjes së djeshme (28.12). Një zëdhënës i Policisë Federale Kanadeze (RCMP) në Nova Scotia deklaroi gabimisht se ishin raportuar dëmtime të lehta, por e korrigjoi sot (29.12) deklaratën duke konfirmuar se kjo nuk ishte e vërtetë.

Ontario - Kisha Santa Maria della Salute në Primavalle, në veriperëndim të Romës, iu besua nga Papa Françesku kryepeshkopit të Torontos, Monsinjor Frank Leo, kur ai u shugurua kardinal 7 dhjetorin e kaluar në Vatikan. Gjatë kësaj ceremonie, në përputhje me një traditë që daton nga kohët e hershme të Kishës Katolike, kardinalët e rinj trashëguan një kishë në qytetin e përjetshëm. Ky ritual nënvizon pjesëmarrjen e kardinalëve në misionin e Papës, i cili është gjithashtu peshkop i Romës dhe kujton se dikur kardinalët ishin anëtarë të klerit romak. Megjithëse kardinalëve të rinj u caktohet një kishë në Romë, ata nuk kanë asnjë të drejtë drejtimi mbi të dhe nuk mund të ndërhyjnë në administrimin e saj. Nga ana tjetër, ata mund të organizojnë pelegrinazhe, të kremtojnë meshën dhe të dëgjojnë rrëfimet atje. Në momentin kur iu dorëzua titulli, kardinali i ri i Torontos ende nuk kishte dijeni se cila kishë do t’i besohej. Monsinjor Frank Leo planifikon të marrë zyrtarisht në posedim kishën e tij nëntorin e ardhshëm me një grup pelegrinësh nga Toronto. Kisha Santa Maria della Salute në Primavalle u ndërtua në mes të shekullit të 20-të në një lagje të re në veriperëndim të Romës, ku u vendosën mijëra banorë që u detyruan të linin qendrën historike të qytetit për shkak të shkatërrimeve nga qeveria fashiste e Benito Musolinit. Para se t’i caktohej kryepeshkopit të Torontos, kjo kishë, e administruar nga françeskanët, iu besua njëpasnjë katër kardinalëve të tjerë, përfshirë ontarianin George Bernard Flahiff, i cili ishte kardinali i parë titullar i kësaj kishe, nga viti 1969 deri në vitin 1989.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Darren Calabrese