Java Kanadeze - Lajme shkurt 12 janar 2025
- Published in Kanada
Nanaimo Harbour - British Columbia
-British Columbia, Partia Konservatore deononcon parregullsi në procesin zgjedhor
-Alberta, kryeministrja Danielle Smith takon Donald Trump në Mar-a-Lago
-Saskatchewan, paralajmërime për të ftohtë ekstrem në disa rajone të provincës
-Nova Scotia, imigracioni ndërkombëtar vazhdon të jetë nxitës i zhvillimit demografik
-Newfoundland, deputetët miratojnë Marrëveshjen në parim me Quebec për Churchill Falls
British Columbia - Pas zgjedhjeve provinciale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar dhe dy muaj pas rinumërimit gjyqësor të kryer në dy zona zgjedhore, ku rezultatet ishin të ngushta, kryetari i Partisë Konservatore të British Columbia, John Rustad, ka denoncuar "parregullsi" në procesin zgjedhor të njërës prej tyre. Në konferencën e tij për shtyp të enjten (09.01), Rustad kërkoi hetim të pavarur të procesit zgjedhor pas raportimeve për shkelje në zonën Surrey-Guildford e cila. Pas rinumërimit të kryer në nëntor, kjo zonë u fitua nga NDP me një diferencë të ngushtë prej 22 votash ndaj Partisë Konservatore. John Rustad përmendi disa shkelje që i janë raportuar pas zgjedhjeve, por që nuk dëshironte t’i raportonte në atë kohë, duke theksuar nevojën për të vërtetuar besueshmërinë e dëshmive përpara se të bënte një dalje publike. "Shumë informacione na kanë ardhur lidhur me zgjedhjet dhe ne donim fillimisht të bënim verifikimet tona. Demokracia është e rëndësishme në provincën tonë dhe na duhet të kemi besim në proceset zgjedhore. Nuk doja të shtoja zërat e thashethemeve apo teorive konspirative. Së pari, doja të sigurohesha që kisha fakte mbi të cilat mund të mbështetesha", theksoi ai Ndër parregullsitë e përmendura nga John Rustad janë: mendohet se kanë votuar persona që nuk janë shtetas kanadezë; ka pasur votim të dyfishtë në disa raste dhe më shumë se njëzet vota nuk përputhen me adresat reale të banimit të votuesve. Po ashtu, Konservatorët kanë shprehur shqetësim për ndërhyrjen e një pale të tretë në rreth njëzet fletë votimi me postë në qendrën e kujdesit të të moshuarve Argyll Lodge. Në një ankimim të depozituar më 2 janar 2025 pranë Elections BC nga kandidati konservator në zonën zgjedhore Surrey-Guildford, Honveer Singh Randhawa, raportohet se një vullnetar i ekipit të tij ka takuar dy persona që jetonin në këtë qendër. Vullnetarit i është deklaruar se disa banorë nuk kishin kërkuar fletë votimi me postë dhe madje nuk ishin në dijeni se po zhvilloheshin zgjedhje provinciale. Sipas ankimimit, një person deklaroi se një anëtar i stafit të qendrës u kishte kërkuar të bënin një shenjë në një kuti të fletës së votimit dhe nuk e dinin për kë kishin votuar. Nga ana e saj, qendra Argyll Lodge i ka mohuar kategorikisht këto akuza. Honveer Singh Randhawa, së bashku me John Rustad, raportoi të enjten (09.01) një total prej 45 parregullsish që kanë ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe përmendi diferencën prej vetëm 22 votash që e ndante nga kundërshtari i tij demokrat, Garry Begg. Randhawa, me profesion avokat, deklaroi se bazuar në nenin 150 të Ligjit Zgjedhor Provincial, planifikon të depozitojë së shpejti një kërkesë pranë Gjykatës së Lartë të British Columbia, për të tentuar të shpallen të pavlefshme rezultatet në zonën e tij zgjedhore. Pas rinumërimit gjyqësor, Surrey-Guildford u fitua ngushtë nga kandidati demokrat, Garry Begg, gjë që i dha NDP shumicën prej 47 vendesh në Asamblenë Legjislative (Konservatorët 45, Të Gjelbrit 2). Në një deklaratë të bërë të mërkurën (08.01), një zëdhënës i Elections BC konfirmoi se institucioni e ka protokolluar tashmë ankesën e Honveer Singh Randhawa më 3 janar 2025. Anton Boegman, drejtori i përgjithshëm i Elections BC, deklaroi po të enjten (09.01) se, nëse ankesa konsiderohet e bazuar, do të nisë një hetim i thelluar.
John Rustad
Alberta - Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, është takuar dy here dje (11.01) dhe sot me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, në Florida. "Kemi pasur një bisedë miqësore dhe konstruktive, gjatë së cilës theksova rëndësinë e ndërsjellë të marrëdhënies midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë në fushën e energjisë, veçanërisht mënyrën se si qindra mijëra vende pune amerikane mbështeten nga eksportet e energjisë nga Alberta", ka shkruar ajo në rrjetin social X. Nafta nga Alberta përfaqëson eksportin kryesor kanadez drejt Shteteve të Bashkuara. Që kur Donald Trump bëri publik kërcënimin e tij për të vendosur tarifa doganore prej 25% mbi eksportet kanadeze, në nëntor, Danielle Smith ka dalë në mbrojtje të interesave të Albertës dhe Kanadasë. Kryeministrja deklaroi se e shfrytëzoi vizitën e saj në Mar-a-Lago edhe për të diskutuar me anëtarë të tjerë të administratës së ardhshme Trump. Përballë kërcënimeve gjithnjë e më të shpeshta nga Donald Trump, Danielle Smith shkroi në X se "Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë kombe krenare dhe të pavarura me një nga aleancat më të rëndësishme të sigurisë në botë dhe një nga partneritetet më të mëdha ekonomike në histori". Danielle Smith ka planifikuar gjithashtu të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump, pas një jave. Vizita e Danielle Smith në Mar-a-Lago nuk ishte e përfshirë në agjendën e saj zyrtare. Në një deklaratë të publikuar të premten (10.01), zyra e kryeministres deklaroi se Danielle Smith ndodhej me pushime jashtë vendit, me familjen e saj, nga 7 deri më 17 janar. Zyra e kryeministres refuzoi t’u konfirmojë mediave nëse Danielle Smith ishte ftuar personalisht nga Donald Trump apo nëse një person tjetër e kishte ftuar atë. Në disa foto nga takimi, Danielle Smith shfaqet pranë presidentit Trump dhe sipërmarrësit kanadez Kevin O'Leary, i njohur për pjesëmarrjen e tij në emisionet Dragon's Den dhe Shark Tank.
Saskatchewan - Një paralajmërim për të ftohtë ekstrem është emetuar sot (12.01) për disa rajone të Saskatchewan, Autoritetet kanë rekomanduar të merren masa për t’u mbrojtur nga rreziqet e ngrirjes dhe dëmtimet në lëkurë. Sipas informacioneve të publikuara nga Environement Canada, një periudhë të ftohti të ashpër pritet në zonat e Saskatoon, Prince Albert, Martensville dhe rajone të tjera të Saskatchewan. “Temperaturat rreth -30°C, të kombinuara me erëra të moderuara nga veriu, do të shkaktojnë ndjesinë e temperaturave deri në -40°C, apo edhe më të ulëta, deri në fund të paradites. Zonat e Meadow Lake dhe Battlefords nuk janë më nën paralajmërimin për të ftohtin ekstrem, por kujdesi mbetet i domosdoshëm për rajonet e tjera të prekura”. Ky i ftohtë ekstrem paraqet një rrezik të madh për shëndetin, me një rrezik të veçantë për ngrirjen brenda disa minutash të lëkurës së ekspozuar, veçanërisht për shkak të erës së ftohtë. Autoritetet rekomandojnë veshje të ngrohta, me disa shtresa si dhe përdorjen e rrobave që mbrojnë nga era. “Është me shumë rëndësi të mbulohen të gjitha pjesët e lëkurës së ekspozuar. Për më tepër, mbani në automjet pajisje emergjente si batanije shtesë dhe kabllo për ndezjen e makinës”, ka këshilluar Environement Canada.
Nova Scotia - Imigracioni ndërkombëtar mbetet faktori kryesor i rritjes demografike në provincat e Atlantikut, ndërkohë që numri i vdekjeve tejkalon atë të lindjeve dhe migracioni ndërprovincial ka rënë në nivelet para pandemisë COVID-19. Sipas të dhënave më të fundit demografike nga Statistics Canada, pa një fluks të banorëve të rinj që vijnë nga jashtë dhe, në një masë më të vogël, nga provincat e tjera, popullsia e New Brunswick, Nova Scotia, Prince Edward Island dhe Newfoundland e Labrador do të ishte në rënie. Në Nova Scotia, që nga viti 2021, 45,600 rezidentë të rinj të përhershëm dhe 30,500 studentë e punëtorë të rinj të huaj, kanë kontribuar që kjo provincë të kalojë shifrën prej një milion banorësh dhe të ruajë trendin në rritje. Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, Nova Scotia theu një rekord imigracioni që datonte nga viti 1946, pas Luftës së Dytë Botërore. COVID-19 transferoi rreth 45,000 banorë nga Ontario dhe 9,000 nga British Columbia në Nova Scotia, ndërsa 30,000 banorë të Nova Scotia-s shkuan drejt njërës prej këtyre dy provincave. Për më tepër, numri i lindjeve është më i ulët se ai i vdekjeve çdo tremujor që nga vjeshta e vitit 2016, duke bërë që rritja natyrore e popullsisë të mbetet në rënie. Çështja e imigracionit mbetet megjithatë një temë debati në Nova Scotia. Qeveria e Tim Houston ka vendosur si qëllim dyfishimin e popullsisë së provincës deri në vitin 2060, por gjatë zgjedhjeve të fundit, ish-lideri liberal Zach Churchill shprehu shqetësim për pasojat e një rritjeje kaq të shpejtë mbi disponueshmërinë e banesave, infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Newfoundland - Kuvendi i Newfoundland dhe Labrador-it miratoi një mocion mbi Marrëveshjen paraprake në lidhje me hidrocentralin e Churchill Falls, duke i dhënë negociatorëve të Memorandumit të mirëkuptimit mandatin për të hartuar një marrëveshje përfundimtare me Hydro-Québec. “Po shkojmë drejt asaj që ndoshta do të jetë transaksioni më i rëndësishëm në historinë e Newfoundland dhe Labrador”, deklaroi kryeministri Andrew Furey, duke premtuar më shumë energji, më shumë të ardhura dhe më shumë vende pune për provincën e tij kur marrëveshja përfundimtare të miratohet. Në përfundim të një debati të posaçëm katërditor mbi marrëveshjen paraprake, vetëm Progresistët-Konservatorë votuan kundër mocionit. Ata kërkuan pezullimin e debatit, për të lejuar Entin Rregullator të Shërbimeve Publike të kryejë një analizë të marrëveshjes. Qeveria liberale e refuzoi këtë kërkesë, por njoftoi, se me mbështetjen e Partisë së Re Demokratike (NDP) dhe deputetëve të pavarur, Ombudsmani i Konsumatorëve Denis Browne do bëjë vlerësimin e marrëveshjes paraprake për hidrocentralin e Churchill Falls. Browne do kryesojë edhe një komision të pavarur, të përbërë nga tre anëtarë, i cili gjithashtu do të mbikëqyrë negociatat për marrëveshjet përfundimtare me Hydro-Québec mbi të ardhmen energjetike të lumit Churchill në Labrador dhe do të publikojë raporte tremujore. “Komisioni do këshillojë kabinetin qeveritar, do informojë publikun dhe Kuvendin, duke respektuar ndjeshmëritë dhe duke u siguruar që të mos komprometojë negociatat ndërmjet dy provincave”, shpjegoi të enjten (09.01) ministri i Energjisë, Andrew Parsons. Që nga fillimi i debatit mbi Memorandumin e mirëkuptimit të hënën e kaluar (06.01), deputetët e opozitës theksuan se një dokument shumë teknik duhet t’i nënshtrohet një analize të pavarur. Ndërkohë që qeveria liberale e Andrew Furey premton se Marrëveshja paraprake, që do të zgjasë 50 vjet, do të rrisë ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike të shitur tek Hydro-Québec, do të hapë rrugën për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj dhe do t’i sigurojë buxhetit qindra miliarda dollarë, deputetët e opozitës duan të sigurohen që provinca e tyre të përfitojë maksimalisht nga burimet natyrore të Labrador-it. Ata kujtojnë se kontrata aktuale e Churchill Falls, e nënshkruar në vitin 1969, ka shkaktuar pakënaqësi në Newfoundland dhe Labrador për dekada të tëra. Ajo e fiksoi çmimin e energjisë elektrike në 0.2 cent për kilovat orë, deri në vitin 2041. Në vitin 2023, sipas raportit të fundit vjetor, Hydro-Québec e shiti energjinë elektrike për eksport me një çmim mesatarisht 51 herë më të lartë.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Kayle Neis/Paul Daly