Java Kanadeze - Lajme shkurt 5 janar 2025
- Published in Kanada

Tors Cove - Newfoundland
-British Columbia, hyn në fuqi taksa mbi rishitjen e shpejtë të pasurive të paluajtshme
-Alberta, dy ministra të qeverisë provinciale vizitojnë zyrtarisht shtetin amerikan Texas
-Saskatchewan, vazhdon ndjekja për kapjen e një të dënuari që u arratis nga burgu provincial më 31 dhjetor
-Nova Scotia, niset nga Norvegjia trageti Fanafjord që do shërbejë në ngushticën Northumberland
British Columbia - Që nga 1 janari 2025, banorët e British Columbia që shesin një pronë më pak se dy vjet pas blerjes së saj, do tatohen deri në 20% mbi të ardhurat e krijuara. Taksa, e cila do ketë si objekt kryesisht shtëpitë e banimit, do aplikohet 20% kur rishitja bëhet brenda vitit të parë pas blerjes. Nëse rishitja bëhet ndërmjet 366 dhe 730 ditësh pas blerjes, taksa do të ulet në varësi të kohës së rishitjes. Kjo masë ligjore fiskale u planifikua në buxhetin e vitit 2024 dhe ministria e Financave të provincës parashikon që ajo të gjenerojë 43 milionë dollarë në vitin e parë financiar. Përjashtime nga kjo taksë, parashikohen veçanërisht në rastet e divorcit, humbjes së punës ose ndryshimeve të tjera të mëdha në një familje që do të përshpejtonin shitjen e një shtëpie. Qeveria e British Columbia vlerëson se në vitin 2025 rreth 4,000 prona do të preken nga taksa e rishitjes. Të ardhurat e krijuara do të përdoren për të mbështetur programet e strehimit dhe për të ndërtuar objekte banimi me çmime më të përballueshme. Sipas Alexandra Flynn, drejtuese e grupit kërkimor mbi strehimin në Universitetin e British Columbia, “taksa është një sinjal i fortë në adresë të zhvilluesve të pasurive të paluajtshme për t’i dekurajuar ata që të bëjnë rishitje të shpejta dhe një nismë në mbështetje të zbutjes së krizës së strehimit”.
Alberta - Dy ministra të provincës Alberta kanë udhëtuar drejt shtetit amerikan Texas për t’u takuar atje me zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë si dhe për të diskutuar idetë mbi metodat më efikase për të garantuar sigurinë publike. Sipas njoftimit të qeverisë së Alberta-s, këto takime, mund t’i nxisin ministrin e Drejtësisë Mickey Amery dhe ministrin e Sigurisë Publike Mike Ellis të zhvillojnë politika dhe programe të reja. Në kalendarin e vizitës parashikohet që dy ministrat të takohen me drejtuesit e Policisë së Dallas, me Prokurorin e shtetit, me drejtues të Departamentit të menaxhimit të emergjencave si dhe hetues të trafikut të drogës. Ministri Amery ka deklaruar për CBC se Alberta dhe Texas kanë një histori të ngjashme dhe vlera të përbashkëta, ndërsa ministri Ellis është shprehur se përmirësimi i sigurisë publike ka nevojë për një vizion sa më mendje hapur. Diskutimet do të zgjasin katër ditë dhe kthimi i dy ministrave në Alberta parashikohet më 9 janar.
Saskatchewan - I dënuari që u arratis nga burgu i Saskatchewan në Princ Albert është identifikuar në lëvizje gjatë kësaj jave, por mbetet ende në arrati. Zhdukja e Glen Fredrick Richard Halkett, 29 vjeç, u konstatua nga punonjësit e burgut 31 dhjetorin e kaluar rreth orës 21:30. Në një deklaratë për shtyp, Policia Federale Kanadeze (RCMP) njoftoi se oficerët që patrullojnë komunitetin Cree të Little Red River, 30 kilometra në veri të Prince Albert, e pikasën të arratisurin duke drejtuar një automjet përpara një shtëpie më 1 janar rreth orës 11:00. Oficerët e RCMP aktivizuan dritat e tyre të urgjencës dhe iu afruan automjetit, por drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe u largua, duke goditur në pjesën anësore mjetin e policisë. Sipas RCMP, asnjë person nuk u lëndua, por automjeti policer u dëmtua. Më pas oficerët vazhduan kërkimin dhe e gjetën automjetin, por Glen Halkett nuk ndodhej më brenda. Në momentin kur u pikas nga policia, 29-vjeçari mbante veshur një pulovër me kapuç gri dhe një pallto ngjyrë bezhë. Ai është 1.73 m i gjatë, peshon 76 kg, ka sy kafe, flokë të zinj, si dhe një tatuazh në qafë e një tjetër në anë të syrit të majtë. RCMP rekomandon që publiku të mos i afrohet atij dhe të raportojë çdo informacion tek autoritetet. Para arratisjes, i arratisuri po vuante dënimin me 2 vjet e 9 muaj për vepra kriminale, përfshi vjedhjen e banesave, posedimin e pasurisë së përfituar nga krimi me vlerë më shumë se 5000 dollarë, vjedhjen e një automjeti dhe tentativën për t’u arratisur. Ai tani do përballet edhe me këto akuza: arratisje nga burgimi i ligjshëm, qëndrim i paligjshëm në arrati dhe drejtim i rrezikshëm i një automjeti. RCMP i ka kërkuar publikut që të raportojë vendndodhjen e të arratisurit duke telefonuar 310-RCMP (7267) ose në mënyrë anonime duke kontaktuar Saskatchewan Crime Stoppers në numrin 1-800-222-8477.
,
Nova Scotia - Transport Canada ka njoftuar dje (04.01) se trageti që do kryejë itinerarin Wood Island, Prince Edward Island dhe Caribou, Nova Scotia, është nisur drejt provincave Atlantike. MV Fanafjord, i cili do të riemërtohet MV Northumberland, e ka filluar udhëtimin e tij nga Norvegjia 23 dhjetorin e kaluar. Ai bëri një ndalesë më 3 janar në ishullin Cape Verde, në brigjet e Afrikës, për të shmangur kushtet e dimrit të Atlantikut të Veriut. MV Fanafjord do të vazhdojë udhëtimin e tij për në Antigua dhe Barbuda dhe më pas do të kthehet në veri drejt Bermudës dhe bregut lindor të Amerikës së Veriut për të arritur në Kanada. Ai pritet të mbërrijë në destinacion më 11 janar. Qeveria federale pagoi rreth 40 milionë dollarë për anijen e shumëpritur, të blerë më 12 dhjetor. Northumberland Ferries Limited, operatori i shërbimit të trageteve midis Nova Scotia dhe Prince Edward Island, ka patur disa probleme vitet e fundit. Më 22 korrik 2022, një zjarr shpërtheu në bordin e MV Holiday Island, që u hoq nga shërbimi. I huazuar për tre sezone nga Société des traget du Québec për të zëvendësuar NM Holiday, NM Saaremaa gjithashtu përjetoi një sërë avarish mekanike të cilat gjithashtu detyruan pezullimin e tij nga shërbimi. Trageti tjetër që operon linjat, NM Confederation, ka pasur gjithashtu disa probleme, duke përfshirë një përplasje me një dok këtë vjeshtë, gjë që e bëri atë të papërdorshëm për disa javë. MV Fanafjord do të jetë funksional sapo të fillojë sezoni i trageteve midis Nova Scotia dhe Prince Edward Island në maj.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press; AP/Eric Gay; Newfoundland & Labrador Tourism