Aleatë apo servilë të Perëndimit? - Nga Vangjush Saro
Është e vështirë të harmonizosh interesat e një partie, të një klani, apo thjesht të tuat, me atë çfarë kërkon, apo i duhet një vendi, një shteti. Në përgjithësi, politikanët i thurin historitë dhe përrallat si t’u vijë për mbarë. Sidomos në shpërfaqjen e këtyre interesave jashtë vendit, ata i rrëmben emocioni, ndërkohë që bindja vetjake i shtyn të hyjnë thellë e më thellë në argumente që shumëkujt mund t’i duken të çuditshme. Natyrisht, nuk ka askund një sjellje të përsosur; fjalimet, intervistat, deklaratat, gjithnjë ngjyrosen sipas orekseve të një force politike e, për më keq, nga ajo se si i mendon gjërat vetë protagonisti. (Sidomos, kur në mes janë interesa të çastit, përfshi një palë zgjedhje në prag.)
S’jemi këtu as për të verifikuar protokollin, as për të korrigjuar dikë; puna është që disa interpretime e bëjnë të ulet në gjunjë atë që i formulon - për ato motive që u përpoqëm t’i shpjegojmë më lart - e ndërkohë zhysin në mjegull një popull të tërë. Kështu, në intervistën për një gazetë spanjolle, këto ditë, kryeministri ynë aktiv, z. Edi Rama, u shpreh (pak a shumë) se jemi i vetmi vend (Shqipëria, pra) që s’ka marrëdhënie me Rusinë dhe se lidhjet (ekonomike) me Kinën, investimet e tyre ishte fjala, përbëjnë vetëm 0.1 përqind… a diçka e tillë. Me fjalë të tjera, dëgjoni ju drejtonjës të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, që ne (shqiptarët, pra) jemi thjesht e vetëm Perëndimorë, sido që të vijë puna. Në fakt, duke i shtuar kësaj farë diplomacie Made in Albania edhe pjesën tjetër të intervistës - ku thuhet haptazi dhe pa pikën e respektit për veten dhe Evropën, që… z. Trump na qenka “një bekim për Evropën, në kuptimin që Evropa ka çdo arsye të zgjohet dhe të ndryshojë,” etj. - atëherë i bie që proamerikanizmi i PS-së, i z. Rama, është “i palëkundur” dhe ndër më të dalluarit. Bravo!
Përtej ironisë, nga çdo pikëpamje ta marrësh, ka ca qëndrime që flasin për servilizëm, për nënshtrim, përndryshe për një “Lepe? Peqe!” të paevitueshme ndaj padronëve të Perëndimit. Mbase e teprova pak, por fundja, shpesh herë sjellja e tyre e tillë është, prej padronësh: diktojnë, kërcënojnë, tregojnë nga duhet të shkosh, me kë (vetëm) mund të kesh marrëdhënie, etj. (“Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”. S. Kabrik) E përsëris, nuk vihet në dyshim kahja perëndimore e vendit, prirja për një sistem demokratik, aleanca e ngushtë me Amerikën dhe Evropën; kjo zgjedhje tashmë i takon gjithë spektri politik shqiptar dhe qytetarëve të vendit gjithaq. Gjer këtu, gjithçka duket normale. Por ndërkaq, ç’është ky zell i papërmbajtshëm për t’i shtyrë tutje vendet e tjera? Ç’është ky pozicionim arrogant dhe pa pikën e elegancës politike? “Urrejtja dhe fuqia nuk mund të jenë në një pjesë të botës, pa patur efekt mbi pjesën tjetër të saj.” Kështu thotë një aforizëm i njohur.
E kam shkruar edhe njëherë tjetër, marrëdhëniet tregtare e shtetërore ndërtohen sipas interesit të vendit - edhe sipas konjukturave politike, doemos - por jo sipas konjukturave fshatareske e provinciale. Kina, e mirë e keqe, është për veten e vet, por ka një zhvillim e marrëdhënie shkëmbimesh me botën dhe një peshë që rrallëherë një shtet mund ta ketë pasur. Si i kemi punët ne? S’po kërkon kush ndonjë “strategji” ndryshe. Por kjo s’do të thotë se duhet të izolohemi, krejt dhe në gjithçka, nga pjesa tjetër e njerëzimit, pa e menduar dy herë. Një vend që mëton të zhvillohet dhe të ndërtojë veten në një botë të ashpër, lipset ta ketë të kthjellët vështrimin; zyrtarët mund t’i mbajnë paragjykimet për vete. Me sa duket, nuk është kështu për politikanët shqiptarë, që e kanë shumë problem lidhjen, në mos gjunjëzimin ndaj liderëve perëndimorë, e sidomos atyre amerikanë. (“Me qëllim që të bëhen zotërinj, politikanët pozojnë si shërbëtorë”. De Gol)
Nuk është ndonjë gjë e re të themi se pas ‘90-ës, një pjesë e shtetarëve, në Ballkan e më gjerë, i rrinë sus Amerikës dhe Evropës, por sidomos të parës, duke mos kuptuar që reflekset e këtij qëndrimi shkojnë më larg sesa ndonjë përfitim afatshkurtër. Në këtë punë, ne gjithnjë “heqim vallen”. Sidoqoftë, një anim te njëri krah, mund të jetë i natyrshëm; por agresiviteti ndaj të tjerëve, jo. Një vend normal më së pari shikon punët e veta dhe nuk “ndërsehet” andej e këtej për t’u bërë qejfin të tjerëve, cilatdo qofshin ato (fuqi) dhe gjithaq interesat, apo përfitimet që mund të rrjedhin nga një qasje e tillë. Por ç’të thuash, jemi shumë larg një skenari të tillë, ku mund të kish diplomaci, qasje racionale, por edhe pak dinjitet…
© Vangjush Saro











