Kolumnist

Kur patriotizmi zgjohet nga gjumi - Nga Endrit Mullisi

Patriotizmi mund të jetë një flakë e ndezur në disa dhe një prush i heshtur në të tjerë. Për mua, si një kanadez i natyralizuar, ka qenë një ndjenjë e qetë, e pranishme por e padeklaruar, ndoshta për shkak të dy shtetësive, vetëm 16 viteve të jetuara në Kanada dhe globalizimit të jetës moderne që e zbut ndjenjën e kufijve kombëtarë. Por kur dëgjova vazhdimisht presidentin e ri amerikan duke kërcënuar me idenë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA, diçka ndryshoi. Patriotizmi im u zgjua.

Kanadaja nuk është thjesht një shtet i vogël ngjitur me SHBA. Jemi dhjetë herë më pak si popullsi, por kemi territor më të madh - një avantazh i madh në shumë drejtime, për sot dhe të ardhmen. Ne kemi një histori, një identitet kulturor dhe një qasje të ndryshme ndaj politikës, ekonomisë dhe shoqërisë. Ndërsa ndiejmë lidhje të forta me fqinjët tanë jugorë, Kanadaja nuk është një zgjerim i natyrshëm i Shteteve të Bashkuara dhe me siguri nuk mund të bëhet pjesë e tyre si një aksident politik.

Në historinë e njohur prej meje të Kanadasë, është mbijetuar përballë presioneve dhe sfidave të shumta. Nga lufta e vitit 1812 kundër agresionit të SHBA, deri te ruajtja e sistemit tonë shëndetësor universal dhe vlerave shumëkulturore, kemi ndërtuar një shoqëri që është e ndryshme nga ajo e amerikanëve - nuk thashë më e mirë apo më e keqe. Në disa gjëra do të preferoja që të ishte si në Amerikë.

Kanadaja është në një sfidë reale në disa drejtime, por plani i Donald Trump për Kanadanë nuk është zgjidhja që unë do të preferoja të ndodhte. Është një sfidë për ne që jetojmë këtu të zgjohemi, të pastrojmë ndyrësirat që kemi nëpër këmbë dhe nëpër sy dhe të kemi një projekt kanadez për Kanadanë.

Si një kanadez i heshtur, nuk e kam ndjerë shpesh nevojën për ta shprehur patriotizmin tim në mënyrë të hapur, siç nuk kam qejf ta bëj edhe për Shqipërinë. Por ideja që një lider i huaj, edhe nëse është presidenti i një superfuqie, mund të vendosë të “përvetësojë” vendin tim, më bëri të kuptoj diçka të rëndësishme: dashuria për vendin tënd ndonjëherë nuk shprehet me flamuj dhe slogane, por me vetëdijen që ky është një vend që nuk mund të blihet, nuk mund të imponohet dhe nuk mund të shkrihet në diçka tjetër pa pëlqimin e tij.

Shpesh u them kanadezëve të lindur se ndoshta unë dua më të mirën e Kanadasë më shumë se ata, sepse unë e zgjodha këtë vend përpara vendlindjes time.

Nëse ndonjëherë Kanadaja dhe SHBA do të bëhen një, kjo nuk mund të ndodhë me kërcënime apo arrogancë politike. Do të ishte një zgjedhje e lirë e popullit kanadez dhe jo një projekt i një njeriu apo administrate.

Një nga mësimet më të mëdha nga kjo eksperiencë aktuale është se ndonjëherë duhen kërcënime të jashtme për të kuptuar se sa shumë e vlerësojmë vendin tonë. Për vite me radhë, Kanadaja ka qenë një vend që nuk e ka ndjerë nevojën për patriotizëm të zhurmshëm, ndoshta sepse ka qenë gjithmonë një vend i sigurt, i respektuar dhe i ndërtuar mbi kompromisin dhe tolerancën. Por kur një sfidë vjen, ndjenja e përkatësisë zgjohet.

Për ju që e lexoni këtë, si e përjetoni patriotizmin kanadez? A ka diçka që ju ka bërë të ndiheni më të lidhur me këtë vend? Dhe mbi të gjitha, si mund ta ruajmë dhe forcojmë identitetin tonë pa rënë në ekstreme apo ndjenja përjashtuese?

Patriotizmi, në fund të fundit, nuk është thjesht të duash vendin tënd me fotografi, por të jesh i gatshëm ta mbrosh atë - me mendje, me fjalë dhe, mbi të gjitha, me vepra.

© Endrit Mullisi