Vende & Zakone

Shkodër Locja - Nga Arenc Leka

Shpeshherë kam dëgjuar shprehjen “a je i ramë n’Shkodër apo shkodran?”, d.m.th. a je i zbritur nga fshatrat përreth apo qytetar. Apo “si ka ken Zotnia juej?”, “ta marrsha t’keqen!”. Këto shprehje më bënë të kujtoj shumë gjëra.

Shkodra si qytet, gjithmonë ka patur interesimin e të tjerëve për t’u bëre pjesë e këtij qyteti vibrant. Qysh në vitin 181 para erës sonë, Shkodra, ka qenë e njohur si Scodrinon, kryeqyteti i Perandorisë Ilire.

Shkodra ka qenë një nga qytetet më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe njihet edhe si qendra e Katolicizmit shqiptar, e kulturës dhe e harmonisë midis feve të ndryshme.

Gjithashtu ajo njihet për historinë e murosjes së Rozafës në kështjellën e saj mahnitëse “Rozafa” dhe si dera hyrjes e Alpeve shqiptare. Brenda kalasë “Rozafa” gjenden rrënojat e një kishe katolike veneciane të shekullit të 13-të, e cilësuar nga studiuesit si Katedralja e Shën Stefanit.

Shkodra konsiderohet si kryeqyteti tradicional i Shqipërisë veriore, e quajtur Gegëria dhe shquhet për artin, kulturën, diversitetin fetar dhe historinë e hershme shqiptare.

Në mes tjerash, marrëdhëniet e Vatikanit e Venecias apo shumë qyteteve evropiane me Shkodrën, e kanë vëne atë në qendrën e vëmendjes së civilizimit të kahershëm.

Shprehja “Ba me ken shkodran t’tana i ban”, ka të bëjë me kulturën e ndërthurur të shumë qyteteve evropiane, që jepnin e merrnin me Shkodrën. Shkodranët ishin të shëtitur dhe të ditur. Marrëdhëniet veneciane me Shkodren 1479-1552 ishin në kulmin e tyre. Shumë syresh edhe sot kanë pallatetet e tyre në Venedik. Po të vështrosh numrat e telefonave në Venecia, një pjesë e madhe dalin me mbiemra Scutari. Lidhjet e Skënderbeut me Shkodrën dhe Venecian ishin shumë të fuqishme pikërisht në vitet para se të vdiste heroi. Statutet e Shkodrës, Kodet shkodrane ia vlen të lexohen e kuptohen thellësisht. Hapja e arkivave të Vatikanit po nxjerr dita-ditës fakte mbi lidhjet shumë të forta që Shkodra kishte me shumë shtete evropiane.

Shumë qytete në botë, 60 syresh, kanë emrin e Shkodrës në rrugët e tyre. Asnjë qytet shqiptar nuk ka kaq emërtime rrugësh nëpër botë sa ka Shkodra.

Nëse u referohemi pikturave me pamjet mbi Bunën e Shkodrës antike do shohim anijet të cilat ankoroheshin në brigjet e qytetit. Deri vonë, lundrimi Shkodër - det Adriatik ka qenë nyje lidhese e gadishullit Ilirik për kalimin tregtar të zejeve të ndryshme. Sot Buna është e palundrueshme me detin Adriatik.

Shkodra ka humorin origjinal. Si e tillë, nuk ia kurseu asnjë kalimtari thumbimin satirik të ngjizur deri ne palcë deri tek fëmijët.

Dasmat shkodrane tipike të bëra nëpër oborre dhe bahçe gumëzhinin nga hardheku i humorit pa qeder, bejteve pa mbetje hatri, me thumbime dashamirëse e qitje-pritje, kundra-thumbuese, por pa prekur moralin e shëndoshë qytetar. 

Qytetaria e shkodrës e ka thënë fjalen e saj me artin, me muzikën, me dijen, me shkencën. Nëse i referohemi muzikës, kompozitorët më të mëdhenj shqiptarë dalin nga Shkodra.

Shkodra kishte më shumë piano se çdo qytet tjetër i Shqipërisë në vitet 1800, përfshi edhe Korçën.

“Jaret”, ariet shkodrane janë këngë qytetare të cilat këndohen edhe sot në koncerte dhe da(r)sma.

Mos harrojme kontributin e Kolë Idromenos në arkitekturën e Sarreqit antik, lagje e famshme shkodrane, apo dhe kontributin e tij në Orkestrën frymore krijuar më 1878 nën drejtimin e Palok Kurtit.

Shtatë mrekullitë e Botës shkodrane konsiderohen Arra e madhe, Kisha e madhe, Kafja e madhe, Çinari i madh i Tophanës, Malësia e madhe, Rruga e madhe - nga teatri deri në fund, Derë e madhe… të tjerat i dini vetë…

Urat e Shkodrës janë ura e Mesit, e Kirit, e Bahçallëkut, e Bunës. Shkodra ka një liqen dhe dy lumenj. Liqeni i Shkodrës, Drini dhe Buna që bashkohen në Shkodër dhe Buna e ka derdhjen në detin Adriatik.

Bahçet shkodrane kishin rregullsi në mbjelljen e pemëve me sistem rrethuar me mure të larta guri.

Fruta, produkte dhe gatime

Fiqtë - Patllixhan, Tivaras, Shnjinza, Llapadan (fiku më i madh që kam parë sa një dardhë e madhe).

Kumbullat - Italiane, Kosovare, Stambolli, Bardalike, të zeza, të verdha, të vogla për hoshaf.

Rrushi - I Rrojit, Rrush i bardhë i 10 korrikut, Perlë, Dorëzonjë, Çylek, i zi kokërrvogël (tempraninjo), rrush i verdhe italian me fara.

Manat - Të bardhë e të zinj, kokërrmëdhenj dhe një tjetër man i kuq i thartë nga Voskopoja.

Dardhat e vogla, e të mesme.

Shegët kokërrmëdhaja ngjyrë vishnje.

Kimçat - Hidet.

Reçel dhe marmalatë - Fiku, Kumbulle, Trëndafili, Mani, Fiku të egër faroç.

Të thatat - Fiqtë pucaleca, Kumbullat, Manat e thatë. Futeshin në ujë me gëlqere përpara tharjes, pastaj viheshin në dërrasa për t’i tharë në diell.

Pekmez - Lëng manash i shterruar.

Nerden - Lëng domatesh i shterruar dhe më pas i tharë.

Sazerm - Mish i zier i ruajtur me yndyrën e vet, përdorej në dimër.

Uthull balsamike - E shterrun manash dhe fiqsh.

Duhani i Taraboshit.

Gatim i famshëm - Tavë me krap shkodre.

Për më shumë, duhet të shkoni në Shkodër, për të marrë dozën e ëmbëlsisë e të komunikimit qytetar shkodran.  Shkodra ka status të veçantë intelekti dhe integriteti dhe për këtë, meriton respekt, vlerësim dhe rivendosje të dinjitetit qytetar, të një qyteti që i ka dhëne më shumë Shqiperisë ndër shekuj.

Shpresoj që mendësia qytetare shkodrane të bëjë të mundur marrjen e fondeve për zhvillim, për vënien në vend të një padrejtësie shumëvjeçare, kundrejt një qytetërimi që na ka dhënë kaq shumë, e dashura jonë Shkodër Locja.

© Arenc Leka