Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 15 shtator 2024

  • Published in Kanada

Natashquan - Québec

 

-British Columbia, zgjedhjet provinciale do zhvillohen më 19 tetor

-Alberta, alpinisti nga Calgary sulmohet nga ariu dhe përfundon në spital

-Nova Scotia, kryeministri Tim Huston kritikon Ottawa për çështjen e azilkërkuesve

-Newfoundland, EverWind Fuels propozon 1500 turbina me erë dhe tre parqe diellore në gadishullin Burin

 

British Columbia - Sipas CBC/Radio-Canada, qysh nga zgjedhjet e fundit provinciale peizazhi politik në British Columbia është transformuar pjesërisht. Për këtë arsye, media shtetërore kanadeze ka publikuar së fundi disa informacione të rëndësishme, të dobishme për qytetarët në funksion të votimit të planifikuar 19 tetorin e ardhshëm. Për shembull, gjashtë zona të reja zgjedhore janë krijuar tashmë për këto zgjedhje dhe gjithashtu janë ndryshuar kufijtë e 72 të tjerave. Një fakt tjetër për t’u theksuar është se në qendrat e votimit do të ketë kompjuterë laptop dhe jo lista zgjedhore në format letër, një ndryshim që sipas BC Elections pritet të përshpejtojë procesin. Sa i përket forcave të pranishme në garë, partia BC United (e cila më parë quhej Partia Liberale e British Columbia) ka njoftuar pezullimin e fushatës së saj më 28 gusht. Udhëheqësi i saj Kevin Falcon ftoi mbështetësit e tij të votojnë për Partinë Konservatore, një parti që po rritet ndjeshëm në sondazhe që nga zgjedhja e liderit të ri të saj John Rustard në mars 2023. Ndërkohë Neodemokratët ende udhëhiqen nga kryeministri aktual, David Eby, ndërsa Partia e Gjelbër nga Sonia Furstenau. Fushata zyrtarisht do të nisë më 21 shtator, ditën kur zgjedhjet do të shpallen nga zëvendës-guvernatorja Janet Austin. Megjithatë, partitë e kanë nisur fushatën paraprake që nga korriku. Çdo zgjedhës mund të regjistrohet në listën zgjedhore ose të përditësojë informacionin duke shkuar në faqen internet të BC Elections, duke plotësuar një formular që mund të dërgohet me postë, me faks ose me email tek BC Elections, ose duke telefonuar numrin 1-800-661-8683. Zgjedhësit mund të regjistrohen gjithashtu personalisht në zyrën e BC Elections në Victoria ose, diku tjetër në provincë, në një nga zyrat e përcaktuara, në datat dhe oraret e konfirmuara. Partitë politike kanë afat deri më 28 shtator për të zgjedhur kandidatët e tyre dhe listat zyrtare do të jenë të disponueshme nga kjo datë. Deri atëherë, zgjedhësit gjithashtu mund të konsultojnë listën e përkohshme të kandidatëve në faqen internet të BC Elections ose të secilës parti, Partia Konservatore, Partia e Gjelbër dhe NDP.

 

Alberta - Një alpinist nga Calgary përfundoi në spital pasi u sulmua nga një ari teksa po kalonte në qafën Crowsnest Pass të premten (13.09) në mëngjes. Sipas RCMP (Policia Fedreale Kanadeze), 45-vjeçari po ecte i vetëm në një zonë të largët në afërsi të Liqenit Window Mountain, afër kufirit me British Columbia, afërsisht 25 km në veriperëndim të Coleman, Alberta. Përfaqësuesja e RCMP, Cory Riggs, shpjegoi për CBC se personi në fjalë aktivizoi funksionin SOS në pajisjen e tij Garmin për të sinjalizuar se kishte nevojë për ndihmë. Sipas një njoftimi për shtyp të RCMP të publikuar dje (14.09), lëndimet që ai pësoi janë të rënda. Disa agjenci i erdhën atij në ndihmë, duke përfshirë një ambulancë ajrore STARS, e cila e transportoi alpinistin në spitalin e Calgary, ku ai aktualisht po trajtohet. Dy javë më parë, një grizzli femër sulmoi gjithashtu një person pranë Calgary-t. Ndërkohë, RCMP nuk ka saktësuar nëse incidenti i së premtes përfshinte një ari të zi apo një grizzly, por megjithatë ka theksuar se ky incident shërben si apel për rëndësinë e të qenit i përgatitur mirë kur udhëtohet drejt zonavea të izoluara, qoftë vetëm apo me të tjerë. “Pavarësisht nga niveli i përvojës suaj, kur jeni jashtë në natyrë, një pajisje me një funksion SOS është thelbësore për këdo që gjendet në situatë emergjente. Kjo është mënyra më efikase për të kërkuar ndihmë nëse lëndoheni në një vend të izoluar”, thuhej në njoftimin për shtyp të RCMP. Policia i ka këshillua sërish alpinistët që të sigurohen para nisjes që të afërmit e tyre të kenë dijeni për itinerarin që planifikojnë të ndjekin, kur planifikojnë të nisen dhe kur parashikojnë të kthehen.

Nova Scotia - Në një publikim në platformën X (ish Twitter), kryeministri i Nova Scotia, Tim Houston, ka deklaruar "se qeveria Trudeau po përpiqet të detyrojë ardhjen e mijëra azilkërkuesve" në provincën e tij. Dalja e Tim Houston i bëri jehonë asaj të homologut të tij Progresist-Konservator nga New Brunswick. Të mërkurën (11.09), gjatë një konference para anëtarëve të Dhomës së Tregtisë së Greater Moncton, Blaine Higgs u shpreh se qeveria federale po konsideronte dërgimin e 4600 azilkërkuesve në provincë pa ndihmë financiare, por ky version u kundërshtua nga Ministria e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë. “Ka pak realizëm në llogaritjet e zotit Higgs. Çdo lëvizje e azilkërkuesve shoqërohet me fonde federale”, reagoi në të njëjtën ditë një zyrtar i lartë i asaj ministrie. Megjithatë, Ottawa nuk e ka mohuar se po zhvillohen diskutime për shpërndarjen e barabartë të azilkërkuesve midis provincave, por sipas ministrit federal Marc Miller, shifrat e paraqitura nga Higgs janë ato të një shpërndarjeje utopike. Të enjten (12.09) vonë pasdite, pas deklaratës së Miller, kryeministri i Nova Scotia iu bashkua debatit dhe theksoi se nuk do ta lejojë qeverinë federale të "përfitojë" nga Nova Scotia duke insistuar në faktin se rritja e imigracionit në provincën e tij është çështje strategjike dhe synon vetëm të plotësojë mungesat, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë. Kryeministri Houston shtoi gjithashtu se provinca e tij aktualisht nuk ka kapacitet për të akomoduar mijëra azilkërkues dhe për këtë arsye i ka kërkuar qeverisë së Justin Trudeau të heqë dorë nga kjo ide.

Newfoundland - Pranë qeverisë së provincës Newfoundland dhe Labrador prej disa kohësh kompania EverWind Fuels ka depozituar dosjen e një megaprojekti për prodhimin e energjisë së gjelbër në zonën e gadishullit Burin. Kompania, projekti i së cilës ka qenë objekt i një vlerësimi mjedisor provincial që nga e hëna e kaluar (09.09), propozon ndërtimin e tre parqeve eoliane me një kapacitet prej 10,000 megavat, pothuajse dyfishi i fuqisë së hidrocentralit Churchill Falls, në Labrador. EverWind Fuels gjithashtu synon të ndërtojë tre parqe diellore me një kapacitet prej 2500 megavat, duke u bërë kështu kompania e parë që ofron centrale diellore fotovoltaike në shkallë industriale në ishull. Sipas një dokumenti prej 229 faqesh të dorëzuar si pjesë e vlerësimit mjedisor, parqet eoliane dhe diellore do të furnizojnë një fabrikë të gjelbër të prodhimit të hidrogjenit dhe amoniakut, 7 km në verilindje të Marystown. Meqenëse turbinat me erë dhe panelet diellore prodhojnë energji me ndërprerje në varësi të kushteve të motit, EverWind propozon gjithashtu ndërtimin e një sistemi për krijimin e stokut të energjisë përmes baterive, që mund të ruajnë stokun e energjisë së tepërt dhe të furnizojnë fabrikën kur moti është më pak i favorshëm. EverWind thekson se projekti i saj nuk varet nga një ndërlidhje me rrjetin elektrik provincial, por megjithatë është e interesuar të shesë energjinë e saj të tepërt te Newfoundland Power dhe Hydro Newfoundland, të cilat synojnë rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në ishull. Kompania do të ketë nevojë për 20,000 punëtorë gjatë realizimit të projektit, më shumë se e gjithë popullsia e gadishullit Burin. Sipas regjistrimit të vitit 2021, në gadishull kishte 18,880 banorë. Kompania premton 1,350 deri në 1,600 vende pune afatgjata kur projekti të jetë funksional. Për momentin, EverWind nuk e ka specifikuar vendndodhjen e saktë të turbinave të erës ose paneleve diellore, por konfirmon se projekti do të realizohet në një sipërfaqe prej 268,000 hektarësh tokë shtetërore të rezervuar për këtë qëllim nga qeveria provinciale. Parku i parë, me një kapacitet prej 3,000 megavat, do të ketë 350 deri në 450 turbina dhe do të vendoset në jug të Marystown. I dyti, me kapacitet 5000 megavat, do të ketë 600 deri në 750 turbina me erë dhe do të vendoset në veri të qytetit. Parku i tretë, i përbërë nga 225 deri në 300 turbina, do të instalohet në sektorin Swift Current dhe do të ketë një kapacitet prej 2,000 megavat. Parqet diellore do të ndërtohen gjithashtu në zonat përreth qytetit Marystown. Sipas EverWind, faza e parë e projektit, e cila përfshin ndërtimin e uzinës, parkun e parë eolian dhe parkun e parë diellor në jug të Marystown, vlerësohet në 16 miliardë dollarë.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Pierre Lahoud; Calgary Chamber;