Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 29 shtator 2024

  • Published in Kanada
Nga: Flasshqip.ca

 

Mont Orford - Quebec

 

-Ontario, kryeministri Doug Ford propozon ndërtimin e një tuneli 60 km nën autostradën 401

-British Columbia, pranë Hudson’s Hope zbulohen gjurmë që i përkasin një dinosauri

-Alberta, drejtuesit e bashkive refuzojnë propozimin për të drejtën e votës së rezidentëve të përhershëm

-New Brunswick, më 21 tetor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme provinciale

-Nova Scotia, deficiti buxhetor provincial 2024-2025 do jetë më i lartë se ç’parashikohej

 

Ontario - Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, propozoi të mërkurën (25.09) ndërtimin e një tuneli nën autostradën 401 në zonën e Torontos, duke u shprehur njëkohësisht se bllokimi i trafikut është aq i madh, sa nevojitet një zgjidhje "ambicioze". Megaprojekti ka të ngjarë të kushtojë miliarda dollarë. Ministria e Transporteve do të kryejë një studim fizibiliteti për projektin, njoftoi gjithashtu Ford, pa dashur të deklarojë koston e mundshme të këtij tuneli dhe as një afat kohor. Tuneli mund të shtrihet nga Brampton dhe Mississauga në perëndim deri në Markham dhe Scarborough në lindje, një një gjatësi prej gati 60 km, por sipas qeverisë studimi i fizibilitetit do të përcaktojë saktësisht sa do jetë gjatësia e tij. Autostrada nëntokësore do t'u shërbejë si automjeteve private, ashtu edhe transportit publik dhe nuk do të jetë me pagesë. Qeveria ka premtuar se do të jetë transparente për koston e projektit të tunelit, pasi të përfundojë studimi i fizibilitetit. Toronto është një nga qytetet më të mbipopulluar në Amerikën e Veriut. Mesatarja e kohës së shpenzuar në trafikun e bllokuar nga drejtuesit e automjeteve të zonës së Torontos shkon në gati 100 orë çdo vit, sipas kryeministrit Doug Ford, i cili ka shtuar se mbipopullimi i kushton ekonomisë rajonale 11 miliardë dollarë po ashtu çdo vit. Modelimi parashikues i ministrisë së Transporteve konfirmon se deri në vitin 2051, koha e udhëtimit në seksionin kryesor të autostradës 401 do të dyfishohet. Si pjesë e studimit të saj të fizibilitetit për projektin e tunelit, Ministria e Transportit duhet të kryejë edhe një analizë të dherave nëntokësorë dhe do të shqyrtojë "opsione të ndryshme" për të rritur kapacitetin e autostradës 401, duke përfshirë numrin e korsive dhe gjatësinë e tunelit si dhe projektimin e interseksioneve. Koha se kur do të publikohet raporti nuk është bërë ende e ditur.

 

Doug Ford

British Columbia - Sipas CBC, para disa javësh një person ka zbuluar gjurmë dinosauri në pjesën lindore të British Columbia. Sheldon Marion teksa po kalonte një urë 56 km në perëndim të Hudson's Hope,vuri re diçka që ngjasonte me gjurmë të mëdha këmbësh. Më pas, ai zbriti argjinaturën për t’u afruar pranë shtratit të lumit dhe zbuloi disa gjurmë që ngjasonin me ato të një dinosauri, zakonisht të mbuluara nga uji. Sheldon Marion më pas dërgoi i foto e gjurmëve në Muzeun Mbretëror të British Columbia. Sipas investigimeve të tij tij, ato janë parë për herë të parë rreth njëzet vjet më parë, por deri tani nuk kishte asnjë konfirmim se ishin gjurmë dinosauri. Sheldon Marion pohoi se kjo tashmë u konfirmua pas vizitës që bëri në vendondodhjen e gjurmëve Victoria Arbor, kuratore e paleontologjisë në Royal Museum British Columbia. "Ne gjithmonë e vlerësojmë kur njerëzit ndajnë gjetjet e tyre fosile me ne dhe jemi të emocionuar që patëm mundësinë t'i shqyrtojmë këto gjurmë pranë vendit që ekzaminuam këtë verë," u shpreh për CBC Victoria Arbor. Sheldon Marion ka shtuar gjithashtu se ai po punon me Bashkinë e Hudson's Hope dhe komunitetet autoktone lokale për të ruajtur vendndodhjen e gjurmëve të dinosaurit. në mënyrë që edhe të tjerë të mund ta vizitojnë atë, veçanërisht fëmijët.

Alberta - Propozimi i një këshilltari të Bashkisë Calgary për t'u dhënë rezidentëve të përhershëm të drejtën për të votuar në zgjedhjet lokale është refuzuar. Këshilltari Courtney Walcott e paraqiti propozimin e tij këtë javë në konferencën vjetore të bashkive të Albertës, duke provokuar një debat të nxehtë midis pjesëmarrësve, por pavarësisht diskutimeve emocionale, projekt-rezoluta e tij mori vetëm rreth 42% të votave. Nëse rezoluta do të miratohej, Alberta Municipalities, organizata që përfaqëson lokalitetet dhe qytetet e provincës, do të lobonte pranë qeverisë provinciale për të ndryshuar Ligjin e Zgjedhjeve Bashkiake. Rezidentët e përhershëm gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime si qytetarët kanadezë - si punësimi, kujdesi shëndetësor universal, zotërimi i pronës dhe pagesa e taksave - por ata nuk kanë të drejtën e votës deri në momentin që marrin shtetësinë kanadeze. Debati mbi propozimin e Walcott ishte më i gjati ndër 21 rezolutat e paraqitura në konferencë. Kryeministrja e Albertës e konsideron jokushtetuese propozimin për votimin e rezidentëve të përhershëm. Pranverën e kaluar, Danielle Smith e hodhi poshtë idenë menjëherë pasi këshilli bashkiak i Calgary miratoi rezolutën pro kësaj të drejte në nivel votimi lokal. Ajo pat argumentuar në rrjetet sociale se ndërsa jo-shtetasit janë të mirëpritur të jetojnë dhe punojnë në Alberta, vetëm qytetarët duhet të kenë të drejtën e votës.

New Brunswick - Pas shpërndarjes së Legjislaturës së 60-të dhe dekretimit të zgjedhjeve të përgjithshme nga Zëvendësguvernatorja Brenda Murphy, zgjedhje që siç e parashikon ligji do të zhvillohen 21 tetorin e ardhshëm, prej më se një jave të gjitha partitë politike provinciale në New Brunswick kanë nisur fushatën elektorale. Kryeministri Blaine Higgs, i cili është në kërkim të një mandati të dytë mazhoritar, ka deklaruar qysh ditën e parë të fushatës se partia e tij stabilizoi financat e provincës dhe paraqiti gjashtë buxhete të balancuara. Sipas tij, ky menaxhim efektiv bëri që borxhi provincial te reduktohej me gati dy miliardë dollarë. Ndërkohë kryetarja e Partisë Liberale, Susan Holt, e cila shpreson të zgjidhet në zonën Fredericton South-Silverwood, ka premtuar ngritjen e 30 klinikave të kujdesit komunitar gjatë katër viteve të ardhshme, nëse vjen në pushtet. Një premtim me vlerë 115.2 milionë dollarë. Ndërsa Partia Konservatore Progresiste është përpjekur për muaj të tërë të lidhë Liberalët e New Brunswick me Justin Trudeau, jopopullariteti i të cilit është i lartë, Susan Holt nga ana e saj shpreson te rënia e popullaritetit të liderit konservator Blaine Higgs. Por ky i fundit ka insistuar në faktin se liderja e liberalëve provincialë, Susan Holt, ka heshtur në lidhje me politikat e homologut të saj federal, duke shtuar se “do të kundërshtojë taksën e karbonit dhe dërgimin e azilkërkuesve në province” nëse rizgjidhet. Në përballjen Konservatorë-Liberalë, Të Gjelbrit e David Coon, shpresojnë të ndikojnë në balancën e pushtetit, në skenarin e një qeverie në minorancë në një Parlement me gjithsej 49 deputetë. Në vitin 2020 Konservatorët e Higgs paten fituar 27 vende.

Nova Scotia - Sipas Radio-Canada, ministri i Financave i provincës Nova Scotia, pohon se deficiti do të jetë më i lartë se sa pritej kur të paraqesë buxhetin e tij pranverën e ardhshme. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, megjithatë, ndryshe nga dy vitet e mëparshme, ministri Allan MacMaster parashikon se këtë herë deficiti nuk do të kompensohet me të ardhura më të larta se sa pritej. Projeksioni për 2024-2025 është rritur nga një deficit prej 467.4 milionë dollarë në mars për të arritur tani në 654 milionë dollarë. Kjo shumë është 187 milionë më shumë se ishte planifikuar. Sipas Allan MacMaster, të ardhurat nga taksat mund të arrijnë 70 milionë dollarë më pak se sa pritej pranverën e kaluar. Ai parashikon gjithashtu se do të shpenzohen 243 milionë dollarë më shumë, përfshirë edhe masat që nuk ishin shpallur në buxhetin e tij të fundit.

Allan MacMaster

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Marco Bergeron