Kanada - Nga dje 1 tetor, rritje e pagës minimale në 4 provinca
- Published in Kanada
Nga dje, 1 tetor 2024, paga minimale për një orë pune ka pësuar rritje në katër provinca kanadeze : Ontario, Manitoba, Saskatchewan dhe Prince Edward Island.
Në Ontario, pagesa për orë u rrit me 65 cent, duke arritur shifrën 17,20 dollarë. Qeveria e Doug Ford deklaroi se rritja prej 3.9% bazohet në Indeksin e Çmimeve të Konsumit (CPI) dhe sipas saj, gati 1 milion punonjës do të përfitojnë nga kjo masë. Kësisoj, një person i paguar me pagën e detyrueshme minimale, i cili punon 40 orë në javë, do të përfitojë një rritje vjetore deri në 1,355 dollarë, thuhej në njoftimin për shtyp të qeverisë ontariane.
Me këtë ndryshim Ontario tani do ketë pagën minimale më të lartë në vend midis provincave pas British Columbia (17,40 dollarë), ndërsa në provincën frankofone Quebec, paga minimale aktualisht është 15,75 dollarë në orë.
Në provincën atlantike Prince Edward Island, paga minimale u rrit me 60 cent duke arritur masën 16 dollarë në orë. Kjo është rritja e dytë brenda këtij viti në këtë provincë, pas asaj me 40 cent në muajin janar.
Rritje të pagës minimale prej dje pati edhe në dy provincat e prerive. Në Saskatchewan rritja u bë me 1 dollar, dhe pagesa minimale shkoi 15 dollarë në orë. Kjo është pagesa orare më e ulët në vend, e njëjtë me atë të provinces fqinje në perëndim, Alberta. Në Manitoba, paga minimale u rrit me 50 cent duke shkuar nga 15,30 dollarë në 15,80 dollarë në orë.
Ndërkohë, paga më lartë në vend i takon territorit Nunavut, ku një orë pune paguhet minimalisht 19 dollarë.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: Radio-Canada