Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 6 tetor 2024

  • Published in Kanada

 

Anticosti Island - Quebec

 

-British Columbia, zhvillohet debati i parë mes shefave të partive para zgjedhjeve të 19 tetorit

-Alberta, mbi 4000 punonjës mbështetës të shkollave publike në Edmonton mund të shpallin grevë

-Nova Scotia, qeveria blen helikopterë të rinj Airbus për shuarjen e zjarreve në pyje

-Prince Edward Island, mungesa e punonjësve socialë zgjat pritjen e qytetarëve për shërbime

-Ontario, kryepeshkopi i Torontos Francis Leo emërohet kardinal nga Papa Françesku

 

British Columbia - Aksesi tek prona dhe përballueshmëria e kostos për këtë akses dominoi debatin e tensionuar që mblodhi së bashku tre liderët e partive politike kryesore në British Columbia të mërkurën e kaluar (02.10). Kjo ishte përballja e tyre e parë dhe e vetme radiofonike në fushatën për zgjedhjet që do të zhvillohen më 19 tetor. Debati njëorësh, në kanalin CKNW Vancouver, mblodhi së bashku liderin e NDP dhe kryeministrin në detyrë, David Eby, udhëheqësin konservator, John Rustad dhe kryetaren e Partisë së Gjelbër, Sonia Furstenau. John Rustad e akuzoi vazhdimisht David Eby-n si gënjeshtar që sipas tij nuk i ka mbajtur premtimet, ndërsa Sonia Furstenau theksoi se rivalët e saj po injoronin shkaqet kryesore të kostos së jetesës dhe krizës së opioidëve. Nga ana e tij neodemokrati Eby e pranoi se kostoja e jetesës rëndon mbi familjet, por shtoi se propozimi i tij për uljen e taksave të klasës së mesme synon pikërisht reduktimin e kësaj kostoje. John Rustad ra dakord se kostoja e jetesës ishte çështja kryesore në këtë fushatë, por pyeti pse, krejt papritur, tani David Eby po flet për uljen e taksave, ndërsa Sonia Furstenau dhe David Eby e kritikuan pozicionin e këtij të fundit mbi qendrat e mbikqyrura të konsumit të opioidëve, të cilat ai dëshiron t'i shndërrojë në qendra trajtimi. Ndërkohë, debati i vetëm televiziv i kësaj fushate elektorale do të zhvillohet të marten e ardhshme më 8 tetor.

 

Alberta - Paralajmërohet se javën e ardhshme, rreth 4,150 punonjës mbështetës (asistentët arsimorë dhe administrativë, portierët, personeli i pastrimit dhe mirëmbajtjes) të shkollave publike të Edmontonit mund të votojnë për të hyrë në grevë. Ata denoncojnë veçanërisht pagat që janë shumë të ulëta dhe kushtet e vështira të punës. “Pagat kanë mbetur të ulëta, pavarësisht inflacionit, kushtet e vështira të punës dhe vështirësia për të rënë dakord për çështje të tjera ka krijuar një krizë për punonjësit e shkollave të provinces”, deklaroi për CBC Rory Gill, kryetar i seksionit albertan të Sindikatës Kanadeze të Funksionit Publik, gjatë një interviste të premten (04.10). “Nuk është më një krizë, është një katastrofë”, shtoi ai. “Njerëzit nuk mund të mbajnë veten. Është bërë normë të kesh një punë të dytë dhe ka shumë që bëjnë dhe 3-4 punë për të përmbushur nevojat”. Sipas kryetarëve të seksioneve lokale të sindikatave, tentativat për ndërmjetësim përfunduan javën e kaluar, ndaj dhe ata do t'i kërkojnë Këshillit të Marrëdhënieve të Punës autorizimin për organizimin e votimeve për grevë. Në rast votimi pro grevës, seksioni lokal i sindikatës mund të nisë grevën 72 orë pasi të ketë njoftuar drejtorinë e shkollës. Marrëveshjet e fundit kolektive kanë skaduar qysh më 31 gusht 2020. Nga ana e tyre sindikatat kanë kërkuan fillimisht rritje pagash, me fuqi prapavepruese që nga viti 2020. Më pas u tërhoqën dhe kërkuan fuqi prapavepruese për 2 vjet, por palët ende nuk arrijnë të bien dakord. Në një deklaratë të publikuar po të premten (04.10), drejtoresha e komunikimit e Arsimit Publik Edmonton, Carrie Rosa, pohoi se komisioni shkollor po vazhdon pa reshtur përpjekjet për të arritur një marrëveshje me sindikatat.

Nova Scotia - Qeveria e provincës Nova Scotia njoftoi se ka arritur një marrëveshje prej 25 milionë dollarësh me gjigantin e aeronautikës Airbus për blerjen e katër helikopterëve të rinj që do përdoren kryesisht për luftën kundër zjarreve në pyje. Marrëveshja në fakt është nënshkruar qysh dimrin e kaluar, por Tory Rushton, ministri i Burimeve Natyrore të provincës, e ka bërë publike atë të enjten (03.10) për here të pare, duke saktësuar se helikopterët e rinj do të zëvendësojë katër helikopterët aktualisht në përdorim. “Paratë e fituara nga shitja e helikopterëve aktualë do të përdoren për të ulur çmimin e blerjes së të rinjve”, u tha ai gazetarëve. Ministri Rushton pohoi se blerja e re është e nevojshme, sepse mirëmbajtja e planifikuar e helikopterëve aktualë do jetë shumë e shtrenjtë dhe sipas tij, i pari nga helikopterët e rinj pritet të dorëzohet verën e ardhshme. Në një email dërguar CBC, zëdhënësja Patricia Jreige shkruante se ministria është e kënaqur me performancën e katër helikopterëve të modelit Airbus H125, duke shtuar se helikopterët zëvendësues do të jenë të të njëjtëit tip, por me karakteristika sigurie të përmirësuara.

Prince Edward Island - Sipas shoqatës profesionale që i përfaqëson ata në province, mungesa e punonjësve socialë vazhdon dhe po krijon “një efekt domino” në të gjithë territorin e Prince Ewuard Island, situate që e bën gjithnjë e më të vështirë marrjen e shërbimeve nga popullata. Një numër i madh pozicionesh janë vakante, pohon për Radio-Canada Kathy Jones, presidente e shoqatës në fjalë. Ajo nënvizon se Autoriteti Shëndetësor Provincial e ka informuar se më shumë se 40% e pozicioneve të punës që kërkojnë punonjës socialë nuk janë plotësuar aktualisht. Rekrutimi i punonjësve socialë ka qenë gjithmonë i vështirë në ishull, por është bërë edhe më i ndërlikuar në pesë vitet e fundit. Një nga arsyet është se janë hapur më shumë pozicione të tilla në 17 qendrat e mjekësisë familjare të krijuara nga qeveria provinciale dhe në shërbimet shkollore. Nga ana tjetër ndikim negativ ka sjellë dhe sfilitja profesionale. Me më pak staf, punonjësit socialë në provincë kanë një ngarkesë më të madhe pune dhe punojnë më shumë se normalja. “Për shkak të natyrës së punës së tyre, shpesh është e vështirë për ta të refuzojnë punën jashtë orarit kur njerëzit u drejtohen për ndihmë”, ka shtuar ndër të tjera Kathy Jones, por sipas saj, shoqata profesionale po punon me provincën për t’i bërë më efikase masat për rekrutimin dhe mbajtjen për një kohë gjatë në detyrë të punonjësve socialë. Ishulli Prince Edward, kujton gjithashtu Kathy Jones, “është e vetmja provincë që nuk ka shkollën e saj të punës sociale dhe ne e kemi kërkuar një të tillë prej vitesh”.

Ontario - Papa Françesku emëroi sot (06.10) 21 kardinalë të rinj, përfshirë edhe kryepeshkopin e Torontos, Francis Leo. Ai është i vetmi kryepeshkop në Amerikën e Veriut që është zgjedhur në konklavë. Kryepeshkopi Leo ka lindur në Montreal dhe ka shërbyer si famullitar i përgjithshëm dhe moderator i kurisë së kryepeshkopatës së metropolit të Quebec, ku ishte edhe ndihmës-peshkop. Ai ka studiuar në Akademinë Kishtare Pontifikale në Romë nga viti 2006 deri në vitin 2008 përpara se t’i bashkohej shërbimit diplomatik të Selisë së Shenjtë. Ai kryen funksionin e kryepeshkopit të Torontos që nga 25 marsi 2023. Në një deklaratë, kryepeshkopi Leo u shpreh se ndihej i përulur dhe i nderuar që u emërua kardinal dhe se do të vazhdojë t’u shërbejë devotshmërisht besimtarëve të Torontos. Prelati 53-vjeçar do ta bëjë betimin zyrtar 8 dhjetorin e ardhshëm, ditë kur do të marrë në dorëzim edhe uniformën e kardinalit.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Darryl Dick/Chris Yong