Kanada

Rritet tensioni mes dy vendeve, Kanadaja dhe India dëbojnë respektivisht nga 6 diplomatë

  • Published in Kanada

Sipas medias shtetërore CBC/Radio-Canada, menjëherë pas njoftimit të RCMP (Policia Federale Kanadeze) se disponohen prova mbi aktivitete kriminale të dhunshme në territorin kanadez të lidhura me qeverinë indiane, Kanadaja shpalli non-grata dhe dëboi sot (14.10) gjashtë diplomatë të Indisë, duke përfshirë dhe përfaqësuesin e saj të lartë, Sanjay Kumar Verma Në përgjigje të menjëhershme, India nga ana e saj dëboi gjashtë diplomatë kanadezë.

Hetimi i Policisë Federale mbi vrasjen e një aktivisti sikh në Vancouver në vitin 2023, ka nxjerrë në dritë fakte mbi një fushatë represioni më të dhunshme se ç’mendohej kundër separatistëve sikhë në Kanada. Vitet e fundit, “persona të lidhur me qeverinë indiane” kanë organizuar në territorin kanadez “vrasje, shantazhe dhe veprime të tjera kriminale të dhunshme”, ka deklaruar komisari i RCMP, Michael Duheme, në një konferencë për shtyp paraditen e sotme.

Komisari i RCMP Mike Duheme në konferencë shtypi (14.10.2024)

Këto krime të dhunshme dyshohet se u mundësuan pjesërisht nga gjashtë diplomatë indianë të atashuar në Kanada, të cilët kanë shfrytëzuar statusin e tyre zyrtar “për t'u angazhuar në aktivitete klandestine, si mbledhja e informacioneve për qeverinë indiane”, u shpreh Duheme. Sipas pohimeve të disa zyrtarëve të lartë të qeverisë kanadeze të cilëve u është referuar Radio-Canada, këto informacione më pas janë përdorur për të shënjestruar separatistë sikhë, disa prej të cilëve u vranë, u sulmuan ose u kërcënuan nga kriminelë të paguar. Të njëjtët zyrtarë kanë deklaruar se autoritetet kanadeze patën paralajmëruar një duzinë personash me origjinë indiane se siguria e tyre ishte në rrezik.

Mësohet gjithashtu se gjatë kësaj fundjave, një nga nënkomisarët e RCMP u takua me përfaqësues të qeverisë indiane për t’u paraqitur prova të përfshirjes së 6 diplomatëve në aktivitete të rënda kriminale, ndërsa sipas Global Affairs Canada, Indisë iu kërkua të hiqte imunitetin diplomatik dhe konsullor për personat e dyshuar dhe të bashkëpunonte me hetimin. “Për fat të keq, duke marrë parasysh refuzimin e Indisë dhe shqetësimet aktuale për sigurinë publike të kanadezëve, Kanadaja urdhëroi dëbimin e këtyre personave”, thuhet në njoftimin zyrtar të dikasterit të Punëve të Jashtme.

Kryeministri kanadez Trudeau dhe kryeministri indian Modi (foto arkivi)

Megjithë krijimin e një ekipi shumëdisiplinor nga RCMP shkurtin e kaluar për të ndalur këtë dhunë të orkestruar nga diplomatët indianë, “veprimet e paligjshme vazhdojnë dhe për këtë arsye, ishte e nevojshme një dalje mediatike. Ne vlerësojmë se kemi arritur në një pikë ku është e domosdoshme të përballemi me qeverinë e Indisë dhe të informojmë kanadezët për zbulimet shumë serioze që kemi arritur të bëjmë gjatë hetimeve tona”, ka shtuar komisari Duheme në konferencën e sotme për shtyp.

Përmes një komunikate, Ministria e Jashtme e Indisë i ka konsideruar si “absurde” akuzat e reja të Ottawa-s për diplomatët e saj. “Nuk ka asnjë dyshim se nën pretekstin e një hetimi, ekziston një strategji e qëllimshme për të njollosur Indinë për motive politike”, thuhej në tekst. Si kundërpërgjigje, New Delhi njoftoi se do të dëbojë gjashtë diplomatë të lartë kanadezë, përfshirë përfaqësuesin e lartë të Kanadasë, Stewart Wheeler, zëvendësin e tij dhe katër sekretarët e parë.

Hardeep Singh Nijjar (foto arkivi)

Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Indisë janë përkeqësuar ndjeshëm që nga shtatori i vitit të kaluar. Kryeministri Justin Trudeau pat deklaruar në atë kohë se dispononte informacione të besueshme për një lidhje midis Indisë dhe vrasjes së aktivistit sikh Hardeep Singh Nijjar, drejtues i një tempulli sikh në Vancouver. Nijjar bënte fushatë për krijimin e një shteti të pavarur, me emrin Khalistan, që do të përfshinte kryesisht rajonin Punjab, një zonë me shumicë sikhe e ndarë midis Indisë dhe Pakistanit. Ai konsiderohej si terrorist nga Agjencia Kombëtare e Hetimit (NIA), një institucion i qeverisë indiane që merret me luftën kundër terrorizmit. Qysh nga deklarata e kryeministrit Trudeau vitin e kaluar, New Delhi e akuzon Kanadanë se është kthyer në një strehë për terroristët, ekstremistët dhe krimin e organizuar, që synojnë të dëmtojnë interest e shtetit indian.

Justin Trudeau, Dominic LeBlanc, Mélanie Joly

Në një konferencë për shtyp gjatë pasdites së sotme, kryeministri Justin Trudeau dhe ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly, pohuan se kishin informuar vazhdimisht autoritetet indiane për zhvillimet në fjalë, por ata gjithmonë kishin refuzuar të bashkëpunonin. Trudeau shtoi se kishte diskutuar drejtpërdrejt për këtë çështje sërish me kryeministrin indian, Narendra Modi, gjatë udhëtimit të tij diplomatik në Laos javën e kaluar.

“India ka bërë një gabim monumental duke zgjedhur të përdorë diplomatët e saj dhe krimin e organizuar për të sulmuar shtetas kanadezë, për të kryer akte dhune dhe madje edhe vrasje”, u shpreh kreu i qeverisë, ndërsa kryediplomatja Joly njoftoi se kishte informuar dhe bashkëpunuar me Grupin e të Pestëve, një aleancë e shërbimeve inteligjente të Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo temë ka qenë gjithashtu objekt i një bisede të drejpërdrejtë të zhvilluar po sot midis kryeministrit Trudeau dhe homologut të tij britanik Keir Starmer.

Pierre Poilievre

Ndërkohë në një reagim të tij ndaj deklaratave të RCMP, shefi i opozitës, njëherazi dhe kreu i Partisë Konservatore, Pierre Poilievre, u shpreh se çdo ndërhyrje e huaj, pavarësisht nga cili shtet, përfshirë Indinë, është e papranueshme dhe duhet të ndalet. “Për nëntë vite, qeveria liberale nuk ka arritur të garantojë sigurinë e qytetarëve tanë dhe të marrë seriozisht sigurinë kombëtare apo ndërhyrjen e huaj. Për shkak të kësaj paaftësie, Kanadaja është bërë një terren i kollajtë për këto lloj aktivitetesh”, shtoi ai.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Shutterstock/Aritra Deb; The Canadian Press/Sean Kilpatrick