Java Kanadeze - Lajme shkurt 20 tetor 2024
- Published in Kanada

-
Algonquin Provincial Park - Ontario
-British Columbia, vazhdon numërimi i votave pas zgjedhjeve të djeshme provinciale
-Manitoba, Bashkia Winnipeg propozon krijimin e shërbimit të urgjencës për shëndetin mendor
-Nouveau-Brunswick, pas një fushate të qetë elektorale nesër pritet një rezultat i paparashikueshëm
-Nova Scotia, ish-deputeti federal Andy Fillmore zgjidhet kryetar i Bashkisë Rajonale Halifax
British Columbia - Më pak se 0.3% e votave kishin mbetur për t’u numëruar qysh nga nata e mbrëmshme pas zgjedhjeve të djeshme (19.10) në British Columbia, në përfundim të një gare me diferencë të vogël (rreth 1%) mes NDP të kryeministrit David Eby dhe Partisë Konservatore të John Rustad, e cila para 4 vitesh nuk fitoi asnjë vend në parlament. 11 zona ishin ende në lojë (në 6 kryesonte NDP, ndërsa në 5 të tjerat Konservatorët) kur Election BC urdhëroi ndërprerjen e numërimit të votave rreth orës 01:00 të mëngjesit. Çfarë pritet të ndodhë më pas? Election BC planifikoi vazhdimin e numërimit të fletëve të votimit të mbetura sot, por rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mund të mos dalin pa kaluar një javë. Që nga ora 08:00 e mëngjesit sot (20.10), NDP kryesonte në 46 zona (40 të numëruara), ndërsa Konservatorët në 45 (40 të numëruara) dhe të Gjelbrit në 2. Për të formuar një qeveri shumice në Asamblenë Legjislative të British Columbia duhen të paktën 47 deputetë. Ndërkohë, sipas legjislacionit provincial, kryhet automatikisht rinumërim kur diferenca mes fituesit të mundshëm dhe kundërshtarit të tij kryesor është 100 vota ose më pak. Ky skenar pritet të ndodhë në disa nga 11 zonat elektorale ende të pakonfirmuara. Kandidatët në këto gara do të shpallen të zgjedhur pas përfundimit të këtij numërimi, i cili sipas Elections BC pritet të bëhet midis datave 26 dhe 28 tetor. Për më tepër, votat e dërguara me postë dhe ato të dërguara nga jashtë një zone zgjedhore, të cilat kërkojnë më shumë kohë për t’u numëruar, ende nuk janë llogaritur për disa arsye, ndër të cilat moti i keq gjatë ditës së djeshme dhe mungesa e stafit zgjedhor.
David Eby (majtas) dhe John Rustad
Manitoba - Kryetari i Bashkisë Winnipeg, Scott Gillingham, ka propozuar krijimin e një shërbimi urgjence të financuar nga provinca për t’iu përgjigjur telefonatave të lidhura me problemet e shëndetin mendor, pa përfshirë policinë. Kjo nismë synon të ofrojë një përgjigje më të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse për krizat e shëndetit mendor në kryeqytetin e Manitoba-s. Gjatë një interviste për Radio-Canada të premten (18.10), ai theksoi se shumë telefonata urgjente nuk kërkojnë praninë e një polici apo zjarrfikësi, por të një personeli të specializuar në shëndetin mendor. Propozimi vjen pas një sërë vdekjesh tragjike që kanë përfshirë ndërhyrjen e policisë dhe situatave të provokuara nga probleme të shëndetit mendor që kanë rritur presionin mbi shërbimet policore për shkak të telefonatave gjithnjë e më të shpeshta në adresë të saj. Kryebashkiaku Gillingham beson se një përgjigje më adekuate është thelbësore për t’i trajtuar këto situata me dinjitet dhe efektivitet. “Gjithmonë kam thënë se duhet të kemi përgjigjen e duhur për çdo telefonatë 911 dhe kontrollet shëndetësore janë një shembull i shkëlqyer për këtë. Në shumë raste, një oficer policie ose zjarrfikës me uniformë mund të mos jetë përgjigjja e duhur për krizën e një personi”, pohoi ai. Policia e Winnipeg ka pranuar gjithashtu se rritja e numrit të telefonatave të lidhura me shëndetin mendor po vë në vështirësi kapacitetin e saj për të reaguar shpejt ndaj krizave. Ish-shefi i policisë, Danny Smyth, pat deklaruar para disa kohësh se institucioni iu përgjigjet mesatarisht rreth 21,000 telefonatave për ndihmë sociale në vit. Aktualisht, ekipi i programit të bashkisë Alternative Response to Citizens in Crisis (ARCC) iu përgjigjet telefonatave që dispeçerët e 911 i klasifikojnë si situata jo-kriminale dhe me rrezik të ulët. Programi përfshin oficerë me veshje civile të trajnuar në teknikat e de-përshkallëzimit dhe një ekip profesionistësh të shëndetit mendor. Në një deklaratë si përgjigje ndaj propozimit të kryetarit të bashkisë po të premten (18.10), Bernadette Smith, ministrja e Manitoba-s për Strehimin, Varësitë dhe Çështjet e të Pastrehëve, pa komentuar idenë e Gillingham, theksoi se provinca financon për këtë qëllim programin ARCC si dhe OJF si Sabe Peace Walkers, Bear Clan dhe Downtown Community Safety Partnership.
Scott Gillingham
New Brunswick - Pas 32 ditësh të një fushate elektorale relativisht të qetë në New Brunswick, votuesit do të japin verdiktin e tyre nesër (21.10). Sipas disa ekspertëve, nata e zgjedhjeve premton të jetë emocionuese. François Gravel, editorialist i L'Acadie Nouvelle dhe Roger Ouellette, politolog në Universitetin e Moncton, janë të mendimit se pritet një garë e fortë dhe me rezultat me diferencë të vogël, që do të zhvillohet kryesisht në Moncton, Fredericton dhe Saint-Jean. Sipas këtyre eskpertëve të politikës provinciale, mundet që asnjëra parti të mos arrijë të fitojë shumicën nesër. Pranohet përgjithësisht që rajonet veriore të New Brunswick, ku flitet frëngjisht, janë tradicionalisht mbështetës të Partisë Liberale, ndërsa zonat rurale jugore, anglishtfolëse, anojnë më shumë nga Konservatorët Progresistë. “Kështu që, këto zgjedhje do të vendosen pikërisht në tre qytetet e mëdha”, ka shpjeguar për CBC Roger Ouellette. François Gravel gjithashtu do të ndjekë me vëmendje rezultatet nga Fredericton, Moncton dhe Saint-Jean. “Partia që do të arrijë të rrisë rezultatet në rastin e Liberalëve, ose të ruajë pozitat në rastin e Konservatorëve Progresistë, në të tre qytetet e mëdha, ka më shumë gjasa të fitojë”, mendon ai. Megjithatë, sipas editorialistit, fushata elektorale nuk ishte shumë tërheqëse. Ai vëren se një nga partitë kryesore, qëllimisht ka mbajtur një profil të ulët. Blaine Higgs, për shembull, kaloi dhjetë ditë pa bërë ndonjë paraqitje publike për mediat. “Kjo më bën të mendoj se ai është i vetëdijshëm për nivelin e lartë të pakënaqësisë në raport me qeverinë e tij,” shton Gravel. Sa u përket platformave elektorale, Liberalët kanë paraqitur 100 premtime, të Gjelbrit 147, ndërsa Konservatorët Progresistë vetëm 11, premtime të cilat i publikuan pa shumë bujë një javë më parë. "Dimë shumë pak për objektivat e tyre nëse ata zgjidhen për katër vitet e ardhshme", thotë Gravel. Ai shton se z. Higgs në thelb po kërkon nga votuesit një “carte blanche”. Për të fituar shumicën dhe për të pasur kontrollin e plotë të Asamblesë Legjislative të New Brunswick për miratimin e politikave të saj, një parti duhet të fitojë të paktën 25 mandate nesër. Roger Ouellette beson se arritja e këtij pragu është rruga e vetme që Blaine Higgs të mbetet në pushtet. "Për Konservatorët Progresistë, e vetmja rrugë drejt fitores është shumica. Liberalët, megjithatë, mund të formojnë qeverinë edhe pa 25 mandate", shton ai. Nëse asnjë nga partitë kryesore nuk arrin të fitojë 25 mandate, kjo mund të sjellë si rrjedhojë që Partia e Gjelbër të kontrollojë balancën e pushtetit, çka do t’u jepte të Gjelbërve mundësinë për të mbështetur njërën parti dhe për t’i siguruar shumicën. David Coon, kreu i Partisë së Gjelbër, ka deklaruar tashmë se nuk do të mbështesë një qeveri të drejtuar nga Blaine Higgs. “Nëse të Gjelbrit kontrollojnë balancën e pushtetit, do të ketë bisedime me Liberalët,” përfundon Roger Ouellette. Rezultatet e zgjedhjeve do të fillojnë të publikohen nesër në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00.
Nova Scotia - Dy bashkitë më të mëdha në Nova Scotia zgjodhën dje (19.10) kryetarë të rinj, ndërsa në disa nga bashkitë me komunitete akadiane kryetarët ekzistues u rizgjodhën sërish. Ish-deputeti federal liberal, Andy Fillmore, arriti të zgjidhet kryetar i Bashkisë Rajonale Halifax. Ndërkohë, Cecil Clarke u rikthye si kryetar i Bashkisë Rajonale Cape Breton, një post që e mbajti nga viti 2012 deri në 2020 dhe që e pat humbur në zgjedhjet e para 4 viteve. Në total, në 48 nga 49 bashkitë e Nova Scotia, qytetarët zgjodhën dje përfaqësuesit e tyre lokalë për katër vitet e ardhshme. Përjashtim bëri vetëm qyteti i vogël Mulgrave, ku të gjithë kandidatët u zgjodhën pa konkurrencë. Në Halifax, kryeqyteti i provincës, garuan për postin e kryetarit të bashkisë 16 kandidatë. Mike Savage, kryetari në largim pas tre mandatesh, nuk rikandidoi dhe para një jave u emërua Zëvendës-Guvernator nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon me propozim të kryeministrit Trudeau. Kryetari i ri Andy Fillmore e kryesoi garën që në fillim, duke fituar një epërsi të qartë sapo u publikuan rezultatet e para, rreth një orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ai e ruajti avantazhin gjatë gjithë mbrëmjes, dhe pas numërimit të 92% të kutive të votimit, siguroi 42% të votave, krahasuar me 25% të kundërshtarit të tij më të afërt, Waye Mason dhe 16% të Pam Lovelace. Pasi u zgjodh deputet federal i Halifax për Partinë Liberale në vitin 2015, Fillmore dha dorëheqjen në qershor të këtij viti për të kandiduar si kryetar bashkie. "Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar më tej qytetin dhe do ta shfrytëzojmë atë," u deklaroi ai pas fitores mbështetësve të tij të mbledhur në tavernën "Lion’s Head". Fillmore premtoi se, si kryetar i ri i bashkisë, do të përqendrohet në zbutjen e krizës së strehimit, reduktimin e trafikut të rënduar dhe përballueshmërinë e kostos së lartë të jetesës.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Darryl Dyck/Ethan Cairns;