Kanada

Kanadaja redukton ndjeshëm kuotat e pranimit të rezidentëve të përhershëm dhe të përkohshëm

  • Published in Kanada

Në situatën e një rënie të plotë popullariteti, qeveria Liberale e kryeministrit kanadez Justin Trudeau, e cila pat deklaruar kohë më parë se do pranonte 500,000 rezidentë të rinj të përhershëm në vitin 2025 dhe 2026, befas ka ndryshuar kahje dhe ka vendosur të reduktojë ndjeshëm objektivin e saj. Kthesa e papritur duket sipas gjasave të jetë një manovër me synime elektoraliste, në tentativë për të përmirësuar disi shifrat deziluzionuese të sondazheve prej një viti.

Lajmi fillimisht u paralajmërua nga National Post të mërkurën (23.10) dhe më pas u përhap nga të gjitha mediat kryesore, ndërsa dje (24.10) paradite u konfirmua zyrtarisht nga kreu i qeverisë, që shoqërohej gjatë daljes publike në ambientet e Parlamentit nga ministri i tij i Imigracionit Marc Miller dhe rreth njëzet deputetë liberalë, shumica e të cilëve me prejardhje imigrante.

Përfundimisht sipas përditësimit të djeshëm të objektivave për tre vitet e ardhshme, në Kanada do të ketë një reduktim prej 21% të pragut të imigracionit të përhershëm duke filluar nga viti i ardhshëm. Shifra 21% përllogaritet duke marrë për bazë referimi objektivin e mëparshëm prej 500,000 imigrantësh të rinj në vitin 2025.

Përfundimisht kuotat e reja vjetore të imigracionit të përhershëm do të jenë si më poshtë:

-2025: 395,000 imigrantë;

-2026: 380,000 imigrantë;

-2027: 365,000 imigrantë.

Sipas objektivit të ri për vitin 2025, në Kanada pritet të hyjnë 90,000 rezidentë të përhershëm më pak krahasuar me objektivin e vitit 2024, që ishte 485,000.

Kujtojmë që rreth një vit më parë, kur ministri federal i Imigracionit, Marc Miller, pat shpallur kuotën 500,000 për vitet 2025 dhe 2026, ai e pat justifikuar këtë rritje të konsiderueshme me nevojën për t’iu përgjigjur mungesës së fuqisë punëtore, pa marrë në konsideratë shqetësimet (jo vetëm nga opozita apo disa provinca, por edhe nga brenda qeverisë) se kjo rritje mund të përkeqësonte krizën e strehimit dhe të rëndonte më tej sistemet shëndetësore dhe arsimore, të cilat tashmë përballen me vështirësi gati në të gjitha provincat.

Në përditësimin e djeshëm qeveritar u shpallën gjithashtu objektiva të reja për imigracionin e përkohshëm (leje pune ose studimi) dhe synimi do jetë ulja e përqindjes së rezidentëve të kësaj kategorie në vend nga 6.5% që ishte në mars të këtij viti, në 5% deri në vitin 2027.

Në daljen e tij publike kryeministrit Trudeau eshtë përpjekur të justifikohet që ulja e kuotave nuk përbën një pranim të dështimit, por më shumë është një shenjë fleksibiliteti për t’iu përgjigjur “sfidave” me të cilat përballet shoqëria kanadeze. Sipas tij, situata ka ndryshuar, veçanërisht pas pandemisë, ndaj dhe qeveria duhet të rishikojë qasjen e saj. “Ne kemi një sistem të fortë dhe rigoroz të imigracionit, por që është gjithashtu fleksibël”, u shpreh Trudeau, duke kujtuar se qeveria e tij mbylli kufijtë gjatë krizës së COVID-19, përpara se t’i rihapte për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore. Gjithnjë sipas kryeministrit, pa përmendur ndonjë afat apo program konkret, masat e reja kufizuese do jenë të përkohshme dhe synojnë t’i japin kohë qeverisë për të bërë investimet e nevojshme në shëndetësi, strehim dhe shërbime sociale, për të akomoduar kësisoj më shumë imigrantë në të ardhmen.

Menjëherë pas zyrtarimit të reduktimit të kuotave për imigracionin nga qeveria, kanë pasuar dhe reagimet e opozitës. Nga ana e tij, lideri konservator Pierre Poilievre, gjatë një konference për mediat po dje (24.10), deklaroi se liberalët e kanë shkatërruar konsensusin kombëtar mbi imigracionin. “Kjo qeveri radikale liberale e ka shkatërruar sistemin më të mirë të imigracionit në botë, i cili ka funksionuar për 150 vjet përpara ardhjes së saj në pushtet”, u shpreh shefi i opozitës.

Nga ana tjetër, kreu i NDP, Jagmeet Singh, deri para pak javësh aleat zyrtar i Trudeau deklaroi se qeveria ka dështuar në zgjidhjen e problemeve kyçe si mungesa e strehimit të përballueshëm dhe dobësitë e sistemin shëndetësor. “Ne nuk kemi infrastrukturën e duhur për të pritur më shumë imigrantë, dhe për këtë fajin e ka qeveria federale që nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme”, ka “larë duart” Singh, thua se nuk ishte ai vetë që e ka mbajtur në pushtet deri tani atë.

Ndërkohë, në radhët e komunitetit të biznesit, zhgënjimi duket më i madh. Dhoma Kanadeze e Tregtisë përmes një deklarate ka paralajmëruar se ulja e ndjeshme e grupit të fuqisë punëtore që vjen nga imigracioni do të ndikojë negativisht mbi mijëra punëdhënës në të gjithë Kanadanë, të cilët vazhdojnë të hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore të nevojshme për të operuar dhe zhvilluar aktivitetet e tyre.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Foto: The Candian Press/Sean Kilpatrick