Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 nëntor 2024

  • Published in Kanada

 

Lunenburg - Nova Scotia

 

-British Columbia, ndërmjetësuesit federalë të gatshëm të ndihmojnë arritjen e marrëveshjes në porte

-Alberta, kryeministrja konservatore Danielle Smith kalon me sukses të plotë provën e votëbesimit

-New Brunswick, Susan Holt u betua zyrtarisht si e para grua kryeministre e provincës

-Nova Scotia, tri javë para zgjedhjeve Konservatorët-Progresistë kryesojnë bindshëm në sondazhe 

 

British Columbia - Ministri federal i Punës, Steven MacKinnon, ka njoftuar se ndërmjetësuesit federalë janë të gatshëm të ndihmojnë për të arritur një marrëveshje që do të shmangte ndërprerjen e punës në portet e provincës. Dje (02.10) në mbrëmje, MacKinnon publikoi një deklaratë në rrjetet sociale, ku ai pohoi se ka biseduar me Shoqatën e Punëdhënësve Detarë të British Columbia (BCMEA) dhe me sindikatën që përfaqëson më shumë se 700 mbikëqyrës në lidhje me negociatat për marrëveshjen e tyre të re kolektive. Ministri theksoi se të dy palët kanë përgjegjësinë për të arritur një marrëveshje, duke shtuar se bizneset, punëtorët dhe fermerët i kanë sytë tek ata duke shpresuar se do ta gjejnë zgjidhjen. Shoqata e punëdhënësve dhe Seksioni Lokal 514 i Sindikatës Ndërkombëtare të Dokerëve të Kanadasë (ILWU) janë duke negociuar prej gati dy vjetësh për rinovimin e marrëveshjes së tyre kolektive, e cila ka skaduar në mars 2023. Të enjten (31.10), sindikata publikoi një paralajmërim 72-orësh për nisjen e grevës, që duhet të fillojë nesër në orën 8 të mëngjesit. Ky vendim nxiti Shoqatën e punëdhënësve të publikonte një njoftim zyrtar sipas të cilit anëtarët e sindikatës do konsiderohen në “lock-out” mbrojtës në të njëjtin orar.

Alberta - Gjatë mbledhjes së përgjithshme vjetore të Partisë Konservatore të Bashkuar (PCU) që u zhvillua dje (02.11) në Red Deer, 91,5% e anëtarëve të partisë që votuan e miratuan lidershipin e Danielle Smith, kryeministres së Albertës dhe kryetares së PCU. Në fjalimin e saj, Danielle Smith deklaroi se ishte vërtet e nderuar nga ky votëbesim dhe u shpreh se “PCU është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë më parë”. Për politologun Frédéric Boily i ftuar të komentojë nga CBC, ky rezultat ishte i papritur. “Ishte masiv! Prisja që ajo të kishte minimumi 75%, por 91,5% tregon se ekipi i saj ka punuar fort dhe u organizua që votimi të kalonte sa më me sukses”. Për disa prej ministrave, ky votim konfirmoi se politikat e partisë i pëlqejnë shumicës së bazës konservatore. “Është e jashtëzakonshme të shohësh këtë nivel mbështetjeje,” u shpreh ministrja e Mjedisit dhe Zonave të Mbrojtura, Rebecca Schultz. “Ata janë të kënaqur me drejtimin që po marrim; ky rezultat tregon se kjo është partia e Danielle Smith dhe se anëtarët janë të bashkuar rreth udhëheqëses së tyre”, shtoi ministri i Çështjeve për të Moshuarit, Komunitetet dhe Shërbimet Sociale, Jason Nixon. Gjatë fjalës së saj përpara afërsisht 6100 anëtarëve të PCU, kryeministrja nuk harroi të përmendë temat kryesore që unifikojnë bazën e saj, përfshirë opozitarizmin ndaj Ottawa, vaksinimin dhe pëlqimin prindëror për çështje të edukimit seksual dhe identitetit gjinor. “Askush nuk e di më mirë çfarë është më e mira për një fëmijë sesa prindi i tij”, theksoi Danielle Smith, duke marrë duartrokitje të shumta. Kundërshtimi ndaj qeverisë federale është një front ku konservatorët e Albertës janë të bashkuar. “Justin Trudeau dhe Jagmeet Singh besojnë se e dinë më mirë si të menaxhojnë Albertën se vetë Albertanët,” shtoi ajo. Mbështetësit e pranishëm në sallë u ngritën në këmbë gjatë kësaj deklarate, ashtu si edhe kur Danielle Smith përmendi projektligjet e dorëzuara këtë javë për të mbrojtur autonominë trupore, përfshirë atë që synon të ndryshojë Deklaratën e të Drejtave të Albertës.

New Brunswick - Susan Holt është bërë zyrtarisht gruaja e parë që mban postin e kryeministres së New Brunswick gjatë betimit të saj në Asamblenë Legjislative dje pasdite (02.11), ndërsa 49 deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e fundit u betuan po dje gjatë paradites. Zëvendës-guvernatorja e provincës, Brenda Murphy, në fjalën e saj vuri në dukje numrin e madh të grave të zgjedhura, gjithsej 17, në legjislaturën e re. Ceremonia e betimit për 19 anëtarët që formojnë Këshillin e Ministrave të qeverisë Holt filloi rreth orës 14:00, ndërsa përbërja e kabinetit të Susan Holt-it u shpall përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë për mediat të premten paradite (01.11). Në një takim me gazetarët pas betimit, kryeministrja e New Brunswick deklaroi se ekipi i saj do të punojë shumë për të përmbushur premtimet dhe për të sjellë një të ardhme më të mirë për banorët e provincës. E pyetur për të shpjeguar ndjenjat që ka përjetuar që nga fitorja e saj e thellë 21 tetorin e kaluar, liderja liberale u shpreh se ditët e fundit kanë qenë më të mirat e jetës së saj.

Nova Scotia - Rezultatet e një sondazhi të Abacus Data të publikuara sot (03.11), pak më shumë se tre javë nga zgjedhjet e 26 nëntorit në Nova Scotia, tregojnë se Partia Konservatore-Progresiste e kryeministrit Tim Houston është më e preferuara pë zgjedhësit me një epërsi prej 19 pikësh në raport me ndjekësen më të afërt, NDP. Sipas sondazhit të realizuar nga data 28 deri më 31 tetor, 45% shprehin dëshirën për të dhënë votën e tyre për Konservatorët, të cilët synojnë një mandat të dytë. NDP e drejtuar nga Claudia Chender merr 26% të preferencave, Partia Liberale e Zach Churchill merr 25%, ndërsa Partia e Gjelbër 4%. Një e katërta e votuesve të anketuar (25%) kanë deklaruar se ende janë të pavendosur. Sondazhi i Abacus Data e ka nxjerrë Partinë Konservatore në krye si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, si tek gratë ashtu edhe te burrat dhe pothuajse në të gjitha grupmoshat. Të anketuarit deklaruan se çështjet që më së shumti mund të ndikojnë në zgjedhjen e tyre janë katër: përmirësimi i sistemit të kujdesit shëndetësor, bërja e jetesës më e përballueshme, përmirësimi i gjendjes së strehimit dhe reduktimi i papunësisë. Gjithashtu, të anketuarit pohojnë se Partia Konservatore është më e pozicionuar për të zgjidhur tri nga këto çështje. Po ashtu, Konservatorët kanë më shumë përkrahje në zonat rurale, 53% krahasuar me 41% në zonat urbane. Ndërkohë, Neo-Demokratët 29% kundrejt 21% dhe Liberalët 25% kundrejt 23%. Në Halifax, qyteti më i populluar i provincës, Partia Konservatore renditet e para, por epërsia e saj prej 38% krahasuar me 36% të NDP është brenda kufirit të gabimit të sondazhit. Liberalët renditen të tretët me 24%. Konservatorët-Progresistë kryesojnë në të gjitha grupmoshat, përveç atyre nga 18 deri në 29 vjeç, ku votuesit preferojnë NDP me diferencë të ngushtë, 34% ndaj 33%, ndërsa 24% e preferencave shkojnë për Liberalët. Te grupmosha 30 deri në 44 vjeç, partia e Tim Houston merr 40% të preferencave, kundrejt 28% për secilën nga dy partitë opozitare. Së fundmi, qeveria në largim ka 52% të përkrahjes së votuesve të moshës 45 deri në 59 vjeç dhe 51% të atyre 60 vjeç e lart. Partia Konservatore ka përkrahjen e 46% të meshkujve, kundrejt 29% për NDP dhe 20% për Liberalët. Femrat gjithashtu preferojnë me 44% formacionin e Tim Houston, por mbështesin më pas Partinë Liberale me 30%, kundrejt 24% për NDP.

Tim Houston duke mbajtur fjalimin e hapjes së fushatës zgjedhore

© Flassshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Graca Victoria/Alamy Stock;