Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 nëntor 2024
- Published in Kanada
Spirit Lake - Labrador
-British Columbia, rinumërimi në gjykatë konfirmon mazhorancën me një deputet më shumë për NDP
-Alberta, Bashkia Calgary do marrë hua 1 miliardë dollarë për rinovimin e rrjetit të ujësjellësit
-Manitoba, ceremoni lamtumire për ish-gjyqtarin dhe senatorin autokton Murray Sinclair (R.I.P.)
-New Brunswick, pas zgjedhjes së Trump kryeministrja Holt planifikon të rekrutojë krah pune në SHBA
-Québec, prej sot në mbrëmje punonjësit e portit të Montréal kërcënohen me lock-out
British Columbia - Rinumërimi gjyqësor i votave të premten (08.11) për zonën elektorale Surrey-Guildford në provincën British Columbia, shpalli fitues kandidatin e NDP, Gary Begg, me një diferencë prej 22 votash ndaj kandidatit të Partisë Konservatore. Rinumërimi në këtë zonë ishte i rëndësishëm, pasi konfirmoi mandatin e 47-të për NPD, që i mundëson kësaj partie të ketë shumicën me vetëm një deputet më shumë (44 Partia Konservatore dhe 2 Partia e Gjelbër). Nëse rezultati do kishte shpallur fitues kandidatin Honveer Singh Randhawa, kryeministri David Eby do mbetej në krye të një qeverie minoritare pas zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan 19 tetorin e kaluar. Po ashtu në Kelowna, Kristina Loewen e Partisë Konservatore, fitoi ndaj neo-demokratit Loyal Wooldridge. Diferenca pas rinumërimit gjyqësor të mbikëqyrur nga gjyqtarja Alison Beames rezultoi 40 vota. Bazuar në Ligjin Zgjedhor të British Columbia, partitë kanë dy ditë për të apeluar vendimin e gjyqtari të Gjykatës së Lartë të provincës, Kevin Loo dhe sipas Election BC, në rast mos-apelimi, ky gjyqtar mund të nënshkruajë çertifikimin e rezultateve për komisionin zgjedhor të zones elektorale Surrey-Guildford. Ndërkohë, pas rinumërimit gjyqësor të një kutie të humbur në Prince George-Mackenzie, u konfirmua fitues Kiel Giddens i Partisë Konservatore. Afati i apelimit skadon të martën më 12 nëntor 2024, ditë kur do të bëhet betimi i deputetëve të Partisë Konservatore dhe të Partisë së Gjelbër në Asamblenë Legjislative.
Alberta - Bashkia Calgary ka vendosur të investojë në rrjetin e vet të ujësjellësit për të përmirësuar këtë shërbim jetik. Sipas llogaritjeve projekti do t’i kushtojë qytetit 1,5 miliardë dollarë, prej të cilëve 500 milionë do planifikohen nga të ardhurat ndërsa 1 miliard dollarë do merren hua. Pas një vere të vështirë, gjatë së cilës tubacioni kryesor furnizues me ujë Bearspaw pësoi defekt dhe përballë një popullsie në rritje të vazhdueshme, bashkia tani synon të përgatitet më mirë për sfidat e ardhshme që mund të ndikojnë në rrjetin e vet të ujësjellësit. Bashkia synon të shlyejë borxhin në dy mënyra. Fillimisht, me pagesa mujore të mbledhura nga disa shërbime publike që financohen nga banorët. Pastaj, përmes mbledhjes së taksave “off-site levies”, të vendosura ndaj promotorëve të projekteve të mëdhenj për ujin, rrugët dhe shërbimin e policisë. Ndër projektet e planifikuar, ndërtimi i një stacioni të ri trajtimi të ujërave afër stacionit të Bearspaw do të lejojë fillimisht të plotësohet kërkesa në rritje për ujë të pijshëm. Për më tepër, çarja e tubit të vjetër 50-vjeçar verën e kaluar zbuloi mangësi të shumta në kapacitetin e mbështetjes së sistemit aktual. Sipas bashkisë, stacioni i ri mund të vihet në funksionim pas rreth dhjetë vitesh. Kredia që do merret do shërbejë gjithashtu për të kryer punime modernizimi në stacionin e trajtimit të ujërave të zeza Fish Creek, si dhe për ndërtimin e dy tubacioneve të rinj në veri dhe në jug të qytetit. Përfundimi i punimeve mund të zgjasë disa vite, duke tejkaluar ciklin aktual buxhetor 2023-2026. Për të financuar projektin, Bashkia Calgary do propozojë rritjen e tarifave për disa shërbime publike në vitin 2025 dhe 2026. Këto shërbime përfshijnë trajtimin dhe shpërndarjen e ujit, mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e ujërave të shiut, si dhe mbetjet e riciklimin.
Manitoba - Një homazh përkujtimor kombëtar u zhvillua sot (10.11) në nder të Murray Sinclair, ish-gjyqtar, senator dhe kryetar i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit për shkollat rezidenciale të popullsisë autoktone. Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe kryeministri Justin Trudeau mbajtën nga një fjalim gjatë ceremonisë mortore që u zhvillua në Canada Life Centre, arena e skuadrës së National Hockey League Jets të Winnipeg. Si kryetar i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, Murray Sinclair dëgjoi dëshminë e mijëra të mbijetuarve të shkollave rezidenciale autoktone dhe raporti përfundimtar i komisionit që ai drejtoi përfshiu 94 rekomandime për zbatim. Vdekja e tij në moshën 73 vjeçare, që ndodhi të hënën e kaluar (04.11), u pasua nga deklarata të panumërta nderimi nga e gjithë Kanadaja. Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon u shpreh se në vitin 2022 ajo pati privilegjin të dekoronte z. Sinclair si Kompanjon i Urdhrit të Kanadasë për veprën e tij të gjithanshme. “Një shpirt i sjellshëm, i mençur dhe bujar, ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të frymëzuar njerëzit dhe për të prekur zemrat”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e saj. Nekrologjia e z. Sinclair përshkruan rrugëtimin e tij si autokton i lindur më 24 janar të vitit 1951 në rezervatin e vjetër St-Peters pranë Selkirk, në Manitoba. Emri i tij tradicional anishnabé është Mazina Giizhik, ose ai që flet për imazhe në qiell. Sinclair u rrit nga gjyshërit, ashtu si edhe dy vëllezërit dhe motra, pasi nëna e tij - e mbijetuar nga shkollat rezidenciale për autoktonët - vdiq nga tuberkulozi kur ai ishte vetëm një vjeç. Atlet i shquar, ai u regjistrua në vitin 1968 në Universitetin e Manitobës, në Departamentin e Edukimit Fizik. Megjithatë, ai e la universitetin në vitin 1970, për t’u kujdesur për gjyshen e tij pas vdekjes së gjyshit. Duke punuar në fushën komunitare për disa vite, ai u zgjodh në vitin 1971 nënkryetar i rajonit Entre-les-Lacs në Federatën Metise të Manitobës. Një vit më pas, ai u bë asistent i ministrit Howard Pawley, Prokuror i Përgjithshëm i Manitobës. Murray Sinclair rifilloi gjithashtu studimet universitare në sociologji dhe histori, e më pas në drejtësi. Ai u bë avokat në vitin 1979, duke u specializuar në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e popujve autoktonë. Në vitin 1988, pas vetëm tetë viteve praktikë, ai u emërua gjykatës pasi e refuzoi një ofertë të tillë tri herë. Murray Sinclair shërbeu për më shumë se 25 vjet në sistemin gjyqësor të Manitobës. Ai ishte gjykatësi i parë autokton i emëruar në Manitoba dhe i dyti në Kanada, shkruhet në biografinë e tij në faqen e Senatit të Kanadasë, ku ai shërbeu si senator i pavarur nga viti 2016 deri në 2021. Gjatë këtyre pesë viteve, ai u angazhua kryesisht në mbrojtjen e gjuhëve autoktone dhe në reformën e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.
New Brunswick - Disa ditë pas zgjedhjes së Donald Trump, kryeministrja e New Brunswick ka pohuar se provinca mund të ndërmarrë misione rekrutimi në Jug të kufirit për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore në sektorët kritikë. Gjatë intervistës së saj në emisionin e CBC Rosemary Barton Live, Susan Holt u ftua sot (10.11) të komentonte për zgjedhjen e fundit të Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara, shtet që ndan një pjesë të kufirit me New Brunswick. Sipas Holt, retorika e presidentit të ri, sidomos për imigracionin, mund të ofrojë mundësi për të kapërcyer sfidat e provincës në lidhje me fuqinë punëtore. “Retorika e tij mbi dëbimet është shqetësuese, por ana pozitive është se ne po kërkojmë intensivisht profesionistë në shëndetësi dhe arsim, kështu që ndoshta duhet të bëjmë udhëtime rekrutimi në Shtetet e Bashkuara për të plotësuar këto nevoja kritike në shërbimet tona publike”, u shpreh ajo. Për Susan Holt, zgjedhja e Donald Trump-it ka ngjallur gjithashtu shumë shqetësime në planin ekonomik, veçanërisht premtimi i tij për të vendosur tarifa doganore për të gjitha produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara. “Jemi të preokupuar për retorikën e presidentit në lidhje me tarifat doganore, pasi 92% e eksporteve të New Brunswick shkojnë në Shtetet e Bashkuara. Kemi pasur një marrëdhënie të fortë tregtare me ta, kështu që perspektiva e tarifave mbi një pjesë të rëndësishme të ekonomisë sonë eksportuese është jashtëzakonisht shqetësuese”, shpjegoi kryeministrja e sapozgjedhur.
Québec - Nëse nuk arrihet një marrëveshje, 1200 punëtorët e portit të Montrealit mund të përballen me lock-out që nga sot (10.11) në mbrëmje, ora 21:00. Ndërhyrja e Shërbimit Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit (SFMC) nuk ka mundur t’i afrojë palët në qëndrime. Seksioni lokal i Sindikatës Kanadeze të Shërbimeve Publike (SCFP), filial edhe i FTQ (Federata e Punonjësve të Québec), që përfaqëson 1200 punëtorët e portit dhe Shoqata e Punëdhënësve Detarë (AEM) diskutuan dy orë me SFMC, të premten (08.11), pa bërë asnjë progres. AEM kishte njoftuar ndërkohë për lock-out, që do të zbatohej nëse 1200 punëtorët nuk e pranonin ofertën e saj, të quajtur përfundimtare, të paraqitur të enjten (07.11) në mbrëmje. Këshilltari i sindikatës së punëtorëve të portit, Michel Murray, mendon se ka vetëm ndryshime kozmetike në ofertën e fundit të punëdhënësve, e cila, sipas tij, “nuk adreson një nga pikat kryesore të kontestuara që lidhet me oraret e punës”. Ky është konflikti i tretë i punës që prek zinxhirët e furnizimit në vend këtë vit, pas atyre që lidhen me transportin hekurudhor dhe ajror, gjë që e ka preokupuar ministrinë federale të Punës. Të premten (08.11) nga Ottawa, ministri Steven MacKinnon u bëri thirrje palëve të negociojnë dhe të arrijnë një marrëveshje për të rinovuar kontratën kolektive. Ai përsëriti rëndësinë e mosdëmtimit të zinxhirëve të furnizimit.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Justin Tang/Stephen MacGillivray