Kanada

Skandali i spiunazhit me dron: Soccer Canada shkarkon trajneren Bev Priestman

  • Published in Kanada

Trajnerja e ekipit kanadez të futbollit për femra, Bev Priestman si dhe zëvendësja e saj Jasmine Mander, u shkarkuan përfundimisht dje nga detyra (12.11) pas publikimit të një raporti nga një hetim i pavarur mbi skandalin e spiunazhit me dron në Lojërat Olimpike në Paris, këtë verë.

Priestman dhe Mander ishin pezulluar ndërkohë për një vit nga FIFA, sikurse dhe analisti i performancës Joseph Lombardi, por ndërsa trajnerja dhe zëvendësja vazhdonin të merrnin pagën e tyre nga Soccer Canada gjatë hetimit, Lombardi kishte dhënë dorëheqjen pas përfundimit të Lojërave Olimpike.

Federata kanadeze e futbollit ka njoftuar gjithashtu se do të nisë së shpejti procesin për gjetjen e një zëvendësuesi për pozicionin e Priestman në krye të ekipit kombëtar.

Paraprakisht Canada Soccer njoftoi të premten e kaluar (08.11) përfundimin e hetimit, duke theksuar se incidenti me dron në Paris është simptomë e një kulture të papranueshme dhe e një mungese mbikëqyrjeje brenda ekipeve kombëtare.

Hetimi i pavarur, i kryer nga Sonia Regenbogen e firmës Mathews, Dinsdale & Clark, LLP, zbuloi se urdhrat për spiunazh me dron jepeshin drejtpërdrejt nga Bev Priestman. Sonia Regenbogen konkludoi gjithashtu në raportin e saj se edhe John Herdman, ish-trajner i ekipit të femrave dhe atij të meshkujve, kishte urdhëruar veprime të ngjashme që bien ndesh me Kodin e sjelljes dhe etikës të Canada Soccer. Po ashtu, federata deklaroi se kanë nisur procedura disiplinore për të shqyrtuar këto shkelje të mundshme.

Mësohet se Herdman, i cili drejtoi ekipin e femrave kur fitoi medaljet e bronzta në Lojërat e Londrës (2012) dhe Rio (2016), nuk është takuar me Sonia Regenbogen, por sipas Canada Soccer, takimi nuk u realizua për shkak të konflikteve në oraret e tyre.

Raporti i hartuar nga Regenbogen thekson se pamjet e filmuara me dron në Lojërat e Parisit nuk janë parë nga lojtaret e ekipit kombëtar. Gjithashtu bëhet e ditur se praktika e mbikëqyrjes së fshehtë të kundërshtarëve kishte filluar para këtyre Lojërave, por nuk ka asnjë tregues që të jetë përdorur gjatë fitores së medaljes së artë në Lojërat e Tokios, nën drejtimin e Bev Priestman, “ndoshta për shkak të masave shumë të rrepta të izolimit ndaj COVID-19”, thuhet në raport.

Nisur nga konkluzionet e hetimit, Canada Soccer është angazhuar të marrë masa për të parandaluar që një situatë e tillë të përsëritet. Punonjësit e federatës do të jenë tashmë të detyruar kontraktualisht të raportojnë sjellje joetike. Trajnerët dhe stafi do të ndjekin një trajnim deontologjik të detyrueshëm. Po ashtu do të krijohet dhe një komitet i i pavarur auditimi për respektimin e rregullave.

Një skandal i madh ndërkombëtar

Gjatë Lojërave Olimpike që u zhvilluan këtë verë në Paris, analisti i performancës pranë ekipit kombëtar të femrave, Joseph Lombardi, u ndalua nga autoritetet franceze pasi ekipi i Zelandës së Re vërejti një dron mbi fushën e stërvitjes. Autoritetet franceze konkluduan se Lombardi kishte filmuar me dron dy seanca stërvitore të Zelandës së Re, veprim ky i ndaluar me ligj në Francë. Analisti kanadez u dënua me tetë muaj burg me kusht dhe me gjobë.

Nga ana e saj, FIFA i hoqi gjashtë pike Kanadasë në fazën e grupeve të turneut olimpik, gjë që nuk e pengoi ekipin të kualifikohej për çerekfinalet, ku u eliminua nga Gjermania. Federata Ndërkombëtare vendosi gjithashtu një gjobë prej më shumë se 300,000 dollarë kanadezë si sanksion sportiv.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Gary Day; Getty Images/Alex Livesey