Kanada

Justin Trudeau, brenda ditës me avion qeveritar vajtje-ardhje në Bermuda për funeralin e një miku

  • Published in Kanada

Siç ka raportuar media shtetërore Radio-Canada, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, u nis dje (13.11) herët me një avion të qeverisë drejt Bermudës, për të marrë pjesë dhe mbajtur një fjalim përkujtimor në varrimin e një miku të afërt të familjes së tij, miliarderit Peter Green.

Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar të kabinetit të shefit të qeverisë, Trudeau ka qenë i shoqëruar nga anëtarë të familjes së tij dhe e ka bërë udhëtimin mes Ottawa dhe arqipelagut të Oqeanit Atlantik vajtje-ardhje brenda ditës me një avion Challenger të qeverisë së Kanadasë.

Rregullat e Këshillit të Thesarit parashikojnë që për udhëtime private për arsye personale, kryministri dhe anëtarët e familjes duhet të rimbursojnë ekuivalentin e biletave të avionëve komercialë vajtje-ardhje për destinacionet ku shkojnë. Po ashtu, duhet të parashikohen edhe shpenzimet për ruajtjen e tij nga ana e RCMP, policisë federale kanadeze, shpenzime që në varësi të destinacionit dhe faktorëve logjistikë, mund të arrijnë dhjetëra mijëra dollarë në ditë.

“Për të siguruar mbrojtjen e personave dhe për të garantuar integritetin e operacioneve, RCMP nuk jep informacione mbi masat e marra ose identitetin e tyre. Për momentin nuk mund t’i konfirmojmë kostot e këtij udhëtimi”, i ka deklaruar po dje (13.11) me shkrim Radio-Canada një zëdhënëse e policisë federale.

I ndjeri Peter Green, investitor në pasuri të patundshme dhe manjat i hotelerisë, ka lindur në Mançester, Angli. Ai ishte bashkëshorti i Mary-Jean Mitchell Green, e cila trashëgoi resortin Prospect - pesë vila luksoze buzë detit të Karaibeve - nga babai i saj, Sir Harold Mitchell. Peter dhe Mary-Jean u martuan në vitin 1975. Pikërisht në atë kohë Peter Green dhe Pierre-Elliott Trudeau u bënë miq, madje ish-kryeministri (babai i kryeministrit të sotëm) më pas u bë dhe kumbari i djalit të z. Green.

Trudeau duhet të paguajë nga xhepi i tij

Politologu André Lamoureux, i pyetur nga Radio-Canada, u shpreh se “situata në fjalë - funerali i një miku të vjetër - pavarësisht se e trishtueshme, nuk mund të justifikojë faktin që taksapaguesit duhet të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit të kryeministrit”. Sipas tij, një udhëtim i tillë do të ishte i justifikuar nëse do të kishte një lidhje me qeverinë kanadeze, por meqenëse është një udhëtim personal, Justin Trudeau duhet t’i mbulojë vetë të gjitha shpenzimet.  

Ndryshe nga i pari, një tjetër politologe, Geneviève Tellier, beson se arsyeja e udhëtimit të Justin Trudeau është e justifikueshme. Megjithatë, sipas saj, partitë opozitare mund të përfitojnë nga ky rast dhe ta denoncojnë shpenzimin e madh nga fondet e thesarit publik për të shkuar tek njerëz që janë shumë të pasur. Sidomos, ka theksuar Tellier, ky udhëtim i Trudeau “të kujton një tjetër udhëtim të kushtueshëm tek familja Green, gati dy vjet më parë, i cili pati ngjallur shumë debate. Ky fakt kthen në vëmendje një çështje për të cilën kryeministri ndoshta nuk do të donte të flitej tani, udhëtimin e tij të famshëm në Jug gjatë periudhës së festave të fundvitit”.

Nga kampi i politikës federale ka reaguar zëvendëskryetari i NPD, Alexandre Boulerice, për të cilin “përdorimi i burimeve qeveritare për arsye personale është problematik dhe është koha që të rishikohen rregullat”, ndërsa nga Partia Konservatore ende nuk ka patur ndonjë deklaratë.

Udhëtime të diskutueshme

Kujtojmë që po sipas informacioneve të Radio-Canada, Trudeau dhe familja e tij e patën festuar Vitin e Ri 2023 me familjen Green, donatorë të Fondacionit Pierre Elliott Trudeau dhe ky udhëtim u pat kushtuar mbi 160 000 dollarë taksapaguesve kanadezë, veçanërisht në shpenzime për sigurinë.

“Ky udhëtim ka marrë miratimin e komisionerit të etikës para nisjes, duke marrë parasysh marrëdhëniet që datojnë që nga vitet 1970 mes Trudeau dhe familjes së Peter Green. Në përputhje me praktikat e zakonshme, ne konsultuam Zyrën e Komisionerit për konfliktet e interesit dhe etikës për t’u siguruar që rregullat janë respektuar”, u ishte përgjigjur në atë kohë zyra e kryeministrit pyetjeve të medias shtetërore.

Politologu André Lamoureux ka kujtuar gjithashtu pushimet e Krishtlindjeve të familjes Trudeau, të kaluara në një ishull privat të Aga Khan-it, liderit shpirtëror të izmailitëve nizâritë, në Bahamas, në vitin 2016. Në një raport hetimor të dorëzuar në dhjetor 2017, komisionerja e atëhershme e konflikteve të interesit dhe etikës, Mary Dawson, pat konkluduar se Justin Trudeau kishte shkelur Ligjin për konfliktet e interesit.

Sipas Lamoureux, këto udhëtime të familjes Trudeau kanë qenë vazhdimisht objekt kritikash të ashpra nga partitë opozitare apo vëzhguesit dhe aq më tepër sot, kur vendi vazhdon të përballet me inflacionin. “Ky udhëtim i një kryeministrit gjithnjë e më poshtë në sondazhe, jep një mesazh shumë të keq në situatën aktuale. Ndërkohë që Parlamenti është i paralizuar dhe asgjë nuk funksionon, kryeministri gjen kohë për të bërë një udhëtim në kurriz të taksapaguesve”, e ka përfunduar ai komentin e tij.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Adrian Wyld; Bermuda Broadcasting Company; Prospect Villas