Kanada

55.000 punonjësit e Canada Post nisin grevën e përgjithshme kombëtare

  • Published in Kanada

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga mediat, pas dështimit të negociatave për rinovimin e kontratës së tyre të punës, prej dje (15.11) në mëngjes rreth 55,000 punonjës të kompanisë shtetërore Canada Post kanë nisur grevën, mandati për të cilën ishte miratuar në masën 95% në muajin tetor.

Sindikata e punonjësve të Postës qysh të martën (12.11) i pat dërguar punëdhënësit dhe ministrit federal të Punës njoftimin 72-orësh për ndërprerjen e aktiviteteve. Menjëherë pas njoftimit të sindikatës pasoi reagimi i Canada Post që shpalli lock-out.

Sipas CBC/Radio-Canada dje (15.11) gjatë ditës pati një farë konfuzioni rreth konfliktit, pasi sindikata pretendonte se punëdhënësi kishte vendosur të impononte lock-out pas diskutimeve që përfunduan me dështim një natë më parë. Në krahun tjetë, Canada Post deklaroi se nuk ka lock-out, duke sqaruar se ishte e vendosur të vazhdonte aktivitetet e saj dhe se ndërprerja e punës ishte plotësisht rezultat i vendimit të sindikatës për të shkuar në grevë.

Gjatë një interviste për emisionin e mëngjesit në Radio-Canada, drejtori kombëtar i sindikatës për rajonin metropolitan të Montrealit, Yannick Scott, shpjegoi se negociatat përfunduan me një ultimatum nga punëdhënësi, sipas të cilit kompania shtetërore njoftoi sindikatën se do të vihej në zbatim lock-out dhe do t’u hiqeshin punonjësve të drejtat e marrëveshjes kolektive, duke i zëvendësuar ato me rregullat e Kodit Kanadez të Punës.

Nga ana e saj Canada Post, përmes një njoftimi zyrtar për mediat shprehu zhgënjimin në raport me vendimin e sindikatës për mbylljen e shërbimit postar duke shpallur një grevë kombëtare. “Ky vendim do të ketë pasoja të rëndësishme dhe të menjëhershme për miliona kanadezë, biznese të vogla dhe organizata bamirëse që mbështeten te Posta gjatë periudhës së ngarkuar të festave”, thuhej në njoftim. Megjithatë, sa i përket zarfave dhe pakove që tashmë ndodhen në zyrat lokale të Canada Post, ato do të mbahen aty dhe do të shpërndahen sa më shpejt të jetë e mundur me rifillimin e aktivitetit.

Përveç pagave më të larta, punonjësit e postës kërkojnë orare më përshtatshme që harmonizojnë më mirë raportin punë-familje, si dhe përmirësim të kushteve të shëndetit dhe sigurisë. Sipas sindikatës, Canada Post ka vendosur sisteme të reja të shpërndarjes që shpesh i detyrojnë postierët të rrinë 8 orë jashtë pa ndërprerje, madje disa prej tyre përshkojnë deri 30 km në këmbë gjatë një turni, ndërsa në qendrat e mëdha urbane, ndryshimi i orareve bën që punonjësit të kthehen shumë vonë në shtëpi, pas kalimit të një turni të tërë jashtë, pavarësisht kushteve të motit.

Palët në konflikt në fakt po përpiqen të arrijnë një marrëveshje prej gati një viti.

Duke marrë në konsideratë humbjet e të ardhurave me të cilat përballet që prej 2018, Canada Post pretendon se oferta e saj për punonjësit e sindikatës është konkurruese (11.5% rritje pagash për katër vjet) duke mbrojtur njëkohësisht skemën e pensioneve me përfitime të përcaktuara dhe dispozitat për sigurinë në punë.

Prej disa kohësh kompania shtetërore po synon të ofrojë, ndër të tjera, shërbime shpërndarjeje të dërgesave shtatë ditë në javë dhe me çmime më konkurruese për klientët. “Ky model i ri i shpërndarjes është thelbësor për të ardhmen e kompanisë”, ka pohuar një zëdhës i saj, sipas të cilit Canada Post ka pësuar një humbje prej 3 miliardë dollarësh që nga viti 2018, sepse po përballet me një konkurrencë të ashpër. Pjesa e saj e tregut në shpërndarjen e pakove ka rënë nga 62% në vitin 2019 në 29% në vitin 2023.

I pyetur dje (15.11) nga gazetarët në Montreal lidhur me fillimin e kësaj greve, ministri federal i Punës, Steven MacKinnon, deklaroi se po ndjek situatën minutë pas minute. “Ka shumë çështje të vështira dhe delikate në tryezën e negociatave dhe shumë pak përparim është arritur”, u shpreh ai, duke shtuar se të gjitha burimet e ministrisë së tij janë mobilizuar për të ndihmuar palët të arrijnë një marrëveshje. Sipas MacKinnon, për momentin ende nuk shtrohet si opsion i menjëhershëm kthimi i detyrueshëm në punë.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Foto: CBC/Ben Nelms; Radio-Canada/Jean-Philippe Robillard; The Canadian Press/ Christinne Muschi