Java Kanadeze - Lajme shkurt 17 nëntor 2024
- Published in Kanada
Banff National Park - Alberta
-British Columbia, ndahet nga jeta në moshën 65-vjeçare ish-kryeministri neodemokrat John Horgan
-Alberta, pavarësisht inflacionit sezoni i tregut të Krishtlindjeve duket i mbarë
-Saskatchewan, në Regina organizohen aktivitete për 139 vjetorin e vdekjes së Louis Riel
-New-Brunswick, Louise Imbault emërohet zëvendësguvernatore e provincës
-Nova Scotia, kryeministri Tim Huston mbron bilancin e tij në debatin e shefave para zgjedhjeve
British Columbia - Sipas Radio-Canada, të martën e kaluar (12.11) ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare ish-kryeministri i British Columbia, John Horgan, i cili aktualisht kryente funksionin e ambasadorit të Kanadasë në Gjermani. Horgan hyri në histori si i pari lider i NDP në provincën e Pacifikut që drejtoi një qeveri në mazhorancë. Ai e arriti suksesin në vitin 2020, pasi kishte qeverisur tre vjet si kryeministër i një qeverie në minorancë të mbështetur nga një aleancë me Partinë e Gjelbër. I njohur për karizmën, sinqeritetin dhe stilin e punës në ekip, John Horgan solli një ndryshim jo vetëm politik, por edhe kulturor në provincë, pas 16 vitesh pushtet të qeverisë liberale. Pas një jete kushtuar shërbimit publik, John Horgan u dorëhoq nga politika në vitin 2022, në moshën 63-vjeçare, duke zgjedhur si prioritet shëndetin dhe familjen. Në atë kohë, ai po trajtohej për here të dytë pas diagnostimikimit me kancer. Sipas analistëve, ai u tërhoq nga politika në kulmin e popullaritetit. Më pas, në nëntor 2023, ish-lideri neodemokrat u emërua ambasador i Kanadasë në Gjermani, ku atij iu diagnostikua një kancer i tretë, kësaj here në tiroide. “Lajmi për vdekjen e John Horgan, në Victoria, na hidhëroi pa masë”, u shpreh kryeministri i British Columbia, David Eby, i cili e pasoi John Horgan si kryetar i NDP në nëntor 2022. Horgan ka lindur në vitin 1959 në Victoria (ishulli Vancouver). Ai ishte më i vogli nga katër fëmijët e familjes. Në vitin 1984, u martua dhe kishte dy djem me bashkëshorten e tij, Ellie. Gjatë karrierës së tij, Horgan shpesh ka deklaruar me modesti se nuk e kishte paramenduar kurrë veten si një aktor të rëndësishëm në politikë. Pas diplomimit në Histori dhe studime kanadeze në Universitetin Trent të Ontarios, si dhe përfundimit të një masteri në Histori në Australi, ai u kthye në Kanada dhe punoi për disa deputetë në Ottawa si dhe në stafin e kryeministrit të British Columbia. Më pas, në vitin 2001, ai themeloi një firmë konsulence për institucione private dhe publike. Në vitin 2005, John Horgan hyri në Asamblenë Legjislative duke u zgjedhur deputet i Langford Juan de Fuca, ndërsa në vitin 2014 kandidoi për postin e kreut të Partisë së Re Demokratike (NDP), garë të cilin e fitoi pas disfatës së partisë në zgjedhjet provinciale të vitit 2013. Periudha si kryeministër e John Horgan përkoi me krizën e opioideve, pandeminë, si dhe me disa katastrofa natyrore si zjarret në pyje dhe përmbytjet shkatërruese. Ai do të mbahet mend edhe si i pari kryeministër provincial në Kanada, qeveria e të cilit miratoi dhe zbatoi Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Popujve Autoktonë.
Alberta - Ndërkohë që the Rocky Mountains janë mbuluar me një mantel të bardhë prej disa javësh, sezoni i tregjeve të Krishtlindjes sapo ka nisur në Alberta dhe sipas artizanëve në Banff, pavarësisht inflacionit të lartë që ndikon në fuqinë blerëse të kanadezëve, klientët janë të shumtë. “Këtu të duket sikur je brenda një topi dekoracioni Krishtlindjesh”, pohon për CBC Julie Helie, me një gotë verë të ngrohtë në dorë. Me origjinë nga Quebéc, ajo ka vite që ka zgjedhur të jetojë në Alberta dhe e ka vizituar tri here radhazi sivjet tregun e Krishtlindjeve në Banff. “Sigurisht që gjithçka kushton pak më shumë, por kur është prodhuar lokalisht, ka shumë më tepër kuptim. Mendoj se ka shumë më tepër dashuri në këto produkte sesa tek ato të Amazon-it”, ka shtuar ajo. Në vitin 2022, Statistics Canada raportoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit kishte arritur nivelin më të lartë në 40 vitet e fundit. Qysh atëherë, konsumatorët po përpiqen të rifitojnë fuqinë blerëse që kishin përpara pandemisë. “Kemi një ulje të vlerës së dollarit, që reflektohet në rritjen e çmimeve,” shpjegon Myriam Ertz, profesoreshë e marketingut në Universitetin e Québec në Chicoutimi. Ertz vëren se, në një kontekst ku çmimet e ushqimeve dhe strehimit po rriten, konsumatorët po drejtohen më shumë drejt platformave të tregtisë online. “Nuk ka madje nevojë të dalësh dhe të krahasosh çmimet, sepse ato zakonisht janë më të ulëta online”, thekson ajo Megjithatë, tregjet e Krishtlindjeve mund të bashkëjetojnë shumë mirë me blerjet online, sipas ekspertes së sjelljes së konsumatorëve. “Tregjet janë shumë interesante nga pikëpamja e përvojës; njerëzve u pëlqen atmosfera dhe ndonjëherë mund të tundohen për blerje më spontane.” Ndërkohë, në jug të Calgary, në Spruce Meadows, pritet që rreth njëqind mijë klientë të parakalojnë nëpër rreshtat e tregut të Krishtlindjeve, sipas organizatores Krista Poffenroth. Për artizanët që dëshirojnë të bëhen të njohur, kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.
Saskatchewan - Më shumë se një shekull pas ekzekutimit të tij, kujtimi i Louis Riel, figurë emblematike e komunitetit Métis, vazhdon të nderohet. I dënuar për tradhti të lartë, themeluesi i provincës Manitoba u ekzekutua në vitin 1885 në Régina. Me këtë rast, gjatë ditës së djeshme (16.11) u organizuan disa aktivitete në kryeqytetin e Saskatchewan për të përkujtuar 139-vjetorin e ekzekutimit të Louis Riel. Rreth pesëdhjetë vetë u mblodhën në Batoche për t'i bërë homazh atij dhe veteranëve Métis. “Kjo ishte një mundësi për të nderuar kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të popujve autoktonë dhe ruajtjen e kulturës Métis gjatë epokës së kolonializmit. Si komunitet, duam të nderojmë të gjithë veteranët tanë, Louis Riel, dhe ata që ranë në vitin 1885. Ata ishin heronj, ata luftuan për të drejtat tona, ata luftuan për lirinë tonë dhe është shumë e rëndësishme të nderohen këto sakrifica”, u shpreh David Morin, koordinator i programeve pranë Institutit Gabriel Dumont. I lindur në Saskatchewan në vitin 1844, Louis Riel i udhëhoqi Métisët e Red River në formimin për herë të parë të qeverisë provinciale në vitin 1869. Ai arriti të negociojë me qeverinë federale të Kanadasë për të garantuar të drejtat e tyre dhe popujve autoktonë që jetonin atje. Megjithatë, ai u ekzekutua në vitin 1885, në moshën 41-vjeçare. “Është e rëndësishme të nderojmë Louis Riel dhe luftëtarët që u vranë këtu bashkë me të. Thjesht sepse kjo na tregon kush jemi, na kujton historinë tonë, histori që edhe fëmijët tanë duhet ta mësojnë”, ka pohuar për Radio-Canada autorja e librit Métis Matriarchs: Agents of Transition, Maria Campbell, vepra e të cilës u prezantua gjatë ceremonisë përkujtimore. Ky libër evidenton rolin që gratë Métis të Perëndimit Kanadez luajtën nga fundi i shekullit të 19-të deri në mesin e shekullit të 20-të. Sipas Cheryl Troupe, historiane dhe redaktore e librit, “është shumë e vlefshme që këto histori të trajtohen dhe të njihen nga një audiencë më e gjerë, sepse ato janë shumë të njohura brenda familjeve dhe komunitetit Métis, por ato janë të panjohura për publikun e gjerë”.
New Brunswick - Louise Imbeault do pasojë Brenda Murphy në funksionin e zëvendësguvernatores së provincës New Brunswick. Kryeministri Justin Trudeau e bëri këtë njoftim të premten pasdite (15.11) nëpërmjet një komunikate për mediat. "Urime Louise Imbeault për emërimin e saj zëvendësguvernatore e New Brunswick. Ajo ka demonstruar një përkushtim dhe lidership të palëkundur në komunitetin akadjan dhe jam i bindur se do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve të New Brunswick me dinjitet në këtë rol të ri", deklaroi kreu i qeverisë kanadeze. "Jam ende e surprizuar, por është një surprizë e cila gjithsesi më jep kënaqësi. Është me të vërtetë një nder i jashtëzakonshëm që nuk e kisha parashikuar, as kërkuar, as menduar", u shpreh nga ana e saj Louise Imbeault gjatë një interviste po të premten për emisionin L’heure de pointe-Acadie në valët e Radio-Canada. Kancelare e Universitetit të Moncton që nga viti 2018, Louise Imbeault e konsideron emërimin e saj si një zgjerim të angazhimit të saj komunitar. "Ideja e shërbimit publik, ideja e të mirës së përbashkët, ajo që është më e mira për të gjithë, është ajo në të cilën besoj dhe do të vazhdoj të besoj e ta mbroj", deklaroi zëvendësguvernatorja e emëruar. Kryetare e Shoqatës Kombëtare të Akadisë nga viti 2017 deri në vitin 2021, Louise Imbeault pranoi se pati një moment reflektimi përpara se të pranonte detyrën si përfaqësuese zyrtare e Kurorës Britanike. "Si akadjanë, mendoj se ne kemi dëshmuar, për gati 300 vite se jemi integruar në këtë vend dhe do të jetojmë këtu, do vazhdojmë të ndërtojmë jetët tona dhe do të mbështesim vlerat tona, të cilat mund t’i ndajmë me komunitete të tjerë. Kushtetuta Kanadeze është riatdhesuar dhe ne vendosim për punët tona", theksoi ajo. Louise Imbeault shpjegoi vizionin e saj për rolin e vet në një monarki kushtetuese si ajo e Kanadasë. "Përfaqësuesit e mbretit janë një mburojë për demokracinë, duke siguruar që nuk ka kaos sa herë që ndryshon një qeveri dhe që ekziston një strukturë që e bën këtë me respekt për qytetarët që kanë votuar". Zëvendësguvernatorët emërohen për të paktën pesë vjet nga Guvernatori i përgjithshëm i Kanadasë, me rekomandimin e kryeministrit. "Për shkak të kohëzgjatjes relativisht të shkurtër të mandatit të tyre, ata nuk janë në mëshirën e një qeverie që mund t’i pëlqejë ose jo", deklaroi Louise Imbeault, e cila gjithashtu drejton prej 12 vitesh shtëpinë botuese Éditions Bouton d’or Acadie. Ish-gazetare dhe moderatore në Radio-Canada, ajo ishte gruaja e parë që mbajti postin e shefes së lajmeve në provincat atlantike dhe drejtoi Radio-Canada Acadie nga viti 1996 deri në vitin 2011. Ajo do të jetë personi i 32-të që mban funksionin e zëvendësguvernatores së New Brunswick. Ajo është gruaja e pestë - dhe e treta radhazi që emërohet - pas Margaret McCain (1994-1997), Marilyn Trenholme Counsell (1997-2003), Jocelyne Roy-Vienneau (2014-2019) dhe Brenda Murphy (nga viti 2019). Para saj, Hédard Robichaud (1971-1981), Gilbert Finn (1987-1994), Herménégilde Chiasson (2003-2009) dhe Jocelyne Roy-Vienneau kanë qenë akadjanët e tjerë që kanë ushtruar këtë detyrë.
Nova Scotia - Kryetarët e tre partive politike në Nova Skocia u përballën për 90 minuta të enjten mbrëma (14.11) në Halifax gjatë debatit të parë të fushatës elektorale. Zgjedhjet e përgjithshme në provincë do të mbahen më 26 nëntor. Kryeministri progresist-konservator Houston, i cili e pat shndërruar fushatën elektorale të vitit 2021 në një referendum mbi gjendjen e sistemit shëndetësor të provincës, nuk u paraqit më si njeriu i ndryshimit, por si ai i vazhdimësisë. Ai shpalli zgjedhje të parakohshme me shpresën për të marrë një mandat të dytë dhe tani ka një bilanc për të mbrojtur. Një pjesë e debatit të së enjtes e detyroi atë të shpaloste argumentet e tij për të bindur votuesit se sistemi shëndetësor publik është në gjendje më të mirë sesa kur ai e mori në dorë. “Është një punë në proces,” pranoi ai që në fillim të pjesës së debatit kushtuar shëndetësisë. Tim Houston përmendi hapjen, nën drejtimin e tij, të 75 klinikave, si dhe rekrutimin e afro 2000 infermiereve të reja dhe realizimin e një milion takimeve mjekësore shtesë në vit. “Kjo nuk ndodh brenda një dite, por kemi bërë përparime të jashtëzakonshme,” këmbënguli kryeministri në detyrë. Që në minutat e para të debatit, Tim Houston u sulmua për krizën e strehimit. “Qiratë janë rritur me 70%,” kujtoi kryetarja e NDP. “Nuk ka asnjë vend tjetër në Kanada ku mungojnë kaq shumë banesa”, deklaroi kryetari liberal. Disa herë, Zach Churchill akuzoi Tim Houston për përkeqësimin e krizës së strehimit duke insistuar te dyfishimi i popullsisë - i vetmi premtim, ironizoi ai, që ka arritur ta mbajë - ndërkohë që ajo çka provinca mund të ofrojë ka arritur në pikën kritike. Debati kryesisht u përqendrua rreth një çështjeje ideologjike, çka Tim Houston gjithashtu e theksoi duke insistuar se zgjidhja e vetme e vërtetë është ndërtimi i më shumë banesave. Dy liderët e tjerë u kundërpërgjigjën se kjo nuk ka kuptim nëse banorët e Nova Skocia nuk mund t’i përballojnë çmimet. Ndërkohë, kryeministri në detyrë përmendi faktin se qeveria e tij ka mundësuar në vitin 2023 një numër ndërtimesh që nuk është parë në 40 vitet e fundit në provincë. Çështja e mjedisit, e trajtuar në mes të debatit, nxiti disa nga shkëmbimet më të ashpra, kur kryeministri nisi një tiradë kundër taksës së karbonit të qeverisë federale. Tim Houston akuzoi kundërshtarët e tij për mungesë sinqeriteti. “NDP e Claudia Chender” tha ai, “mbështet taksën e karbonit, ndërsa liberalët e provincës duan një taksë karboni me një emër tjetër”. Në realitet, Partia Liberale propozon që Nova Skocia të vendosë një sistem të kufizimit dhe tregtimit të karbonit për të zëvendësuar taksën federale, ashtu siç ka bërë Quebec. NDP premton të pezullojë pjesën provinciale (15,5 cent për litër) të taksës mbi karburantin. Tre shefat do të takohen sërish në nesër (18.11) në një debat të organizuar në mëngjes nga Dhoma e Tregtisë e Halifax.
Tim Houston (majtas), Zach Churchill dhe Claudia Chender
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; Istock/Ruslan Kaln; AP/Jeff Chiu; The Canadian Press/Darren Calabrese