Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 nëntor 2024

  • Published in Kanada

Prince Edward Island

 

-British Columbia, rikthehet thuajse kudo energjia elektrike pas bombës meteorologjike të fillimjavës

-Alberta, konsultim publik për një linjë të re hekurudhore Calgary-Edmonton

-Saskatchewan, një grup paleontologësh zbulojnë fosile të species centrosaurus

-New Brunswick, sipas Human Development Council një ndër pesë fëmijë në provincë jeton në varfëri

-Nova Scotia, sondazhet paralajmërojnë fitore në mazhorancë për kryeministrin konservator Huston

-Québec, një manifestim në Montréal pro tërheqjes se Kanadasë nga NATO përfundon me akte të dhunshme

-Ontario, një ish-central hidroelektrik në Niagara Falls do shndërrohet në hotel me 5 yje

 

British Columbia - Pas kalimit të një bombe meteorologjike në fillim të javës dhe më pas të një stuhie tjetër të premten (22.11) në provincën e Pacifikut, kompania BC Hydro ka deklaruar se ka rikthyer energjinë elektrike për pothuajse të gjithë klientët e prekur nga ndërprerjet. Enti shtetëror shpjegoi për CBC se ekipet e tij po vazhdojnë të punojnë për të riparuar dëmtimet e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë që kanë prekur shumë klientë në jugperëndim të territorit, veçanërisht në ishullin Vancouver. BC Hydro saktësoi gjithashtu se ka ende disa zona ku energjia elektrike nuk është rikthyer, si në ishujt Gabriola, Quadra dhe Cortes, po ashtu edhe në lokalitetet Nanaimo, Parksville, Qualicum Beach dhe Nanoose Bay të ishullit Vancouver, duke shtuar se ka ende vështirësi për të hyrë në disa zona ku ndodhen instalimet, sepse stuhia e fundjavës i ngadalësoi ritmet e ndërhyrjes. Ndërkohë dje pasdite (23.11), sipas faqes zyrtare web të BC Hydro rreth 2500 klientë ishin ende pa energji elektrike, ndërsa sot (24.11) Environment Canada publikoi një paralajmërim për erëra deri në 90 km/h, i vlefshëm për brigjet qendrore dhe veriore të provincës.

Alberta - Deri më 20 dhjetor, banorët e provincës Alberta do mund të japin mendimin e tyre mbi ndërtimin e një linje treni midis Calgary dhe kryeqytetit Edmonton. Sondazhi online fokusohet kryesisht te çmimi i biletave, shpejtësia e trenave dhe vendndodhja e shtrirjes së shinave. Procesi i konsultimit përfshin gjithashtu edhe disa takime të drejtpërdrejta ku do prezantohet projekti. Gjatë një forumi mbi trenat e pasagjerëve që u mbajt të premten (22.11) në Calgary, kryeministrja Danielle Smith deklaroi që objektivi i qeverisë së saj është “afrimi i mëtejshëm i komuniteteve përmes transportit alternativ, ulja e trafikut, përmirësimi i sigurisë në rrugë dhe autostrada si dhe inkurajimi që turistët të vizitojnë më shumë zona të provincës”. Tashmë qysh nga pranvera e këtij viti ka nisur hartimi i projektit në fjalë së bashku me planin strategjik të zbatimit, që pritet të paraqiten zyrtarisht në mesin e vitit të ardhshëm. Sipas parashikimeve, strategjia e zbatimit të projektit do shtrihet në një periudhë kohore 15 vjeçare, me synimin që trenat e qyteteve përreth të mund të lidhin qendrën e Calgary dhe të Edmonton me aeroportet e tyre përkatëse. Strategjia parashikon gjithashtu një linjë midis Calgary dhe Edmonton, me një ndalesë në Red Deer dhe linja që do të bashkojnë qytetet kryesore të Alberta-s me parqet malore. Kryeministrja Smith ka deklaruar gjithashtu se aktivitetet, infrastruktura, mbledhja e tarifave, mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrjetit mund të menaxhohen nga një institucion i ngjashëm me agjencinë Metrolinx të qeverisë së Ontarios, që funksionon qysh nga viti 2006.

Saskatchewan - Një ekip i përbërë nga paleontologë dhe studentë të Universitetit McGill ka zbuluar në Saskatchewan fosile që i atribuohen një lloj specie dinosauri që quhet centrosaurus. Ky zbulim është i pari i këtij lloji në rajon dhe u realizua gjatë kryerjes së gërmimeve në parkun provincial Saskatchewan Landing, përgjatë pjesës jugore të lumit Saskatchewan. Një studim lidhur me këtë zbulim është publikuar gjithashtu në revistën shkencore Canadian Journal of Earth Sciences, sipas të cilit zona e gërmuar ofron një pamje të parë të një habitati bregdetar në Saskatchewan, ku bashkëjetonin kafshë të mëdha tokësore, si centrosaurus dhe kafshë detare. Alexandre Demers-Potvin, një nga autorët e këtij studimi, rrëfen se ky zbulim jep një vështrim mbi një epokë para se njerëzit të shfaqeshin në Tokë. “Është një kalim interesant në këtë pjesë të Amerikës së Veriut midis faunës detare dhe asaj tokësore. Me shumë gjasa ishte një habitat shumë i pasur dhe i larmishëm,”, ka pohuar ai për CBC. Demers-Potvin ka shpjeguar gjithashtu se ky projekt ka filluar më shumë se një dekadë më parë dhe përfshin gërmime arkeologjike si dhe dokumentim të hollësishëm. Gjatë kësaj kohe, ekipi ka zbuluar gjithashtu një përzierje të rrallë të fosileve të dinosaurëve dhe fosileve detare, përfshirë ato të Citipes elegans, një dinosaur i vogël me dy këmbë që ngjason me një pulë me sqep. Fosilet janë organizuar dhe përgatitur nga Muzeu Redpath i McGill për më shumë se dhjetë vjet, pasi ato u huazuan nga Muzeu Mbretëror i Saskatchewan. Ryan McKellar, kurator i paleontologjisë në Muzeun Mbretëror të Saskatchewan-it, shprehet se ky zbulim u lejon studiuesve të kuptojnë më mirë ndryshimet midis ekosistemeve të Saskatchewan dhe Alberta. Muzeu Mbretëror i Saskatchewan tashmë ka një koleksion fosilesh që daton më shumë se 66 milionë vjet më parë. Ryan McKellar thekson se fosilet e gjetura gjatë këtij gërmimi datojnë 75 milionë vjet më parë. Ato janë gjetjet e para të dokumentuara të këtij lloji depozitash. Sipas tij, “kjo është vërtet emocionuese, sepse jep material për të kryer studime të tjera në të ardhmen. Saskatchewan është një tokë e pasur me fosile dhe njerëzit nuk e kuptojnë këtë derisa t’i shohin ato në muze”.

New Brunswick - Sipas të dhënave nga Human Development Council, shkalla e varfërisë së fëmijëve në New Brunswick vazhdon të rritet, e nxitur nga rritja e kostos së jetesës. Sipas raportit më të fundit mbi varfërinë e fëmijëve dhe familjeve në New Brunswick, publikuar nga ky grup në Saint John, përqindja e fëmijëve të New Brunswick që jetojnë në varfëri në vitin 2022 ishte 21.9%, gati katër pikë përqindje mbi normën kombëtare. Vitin e kaluar, kjo përqindje ishte 18.7%. Të dhënat e raportit, të llogaritura nga deklaratat tatimore, tregojnë se ndër tre qytetet më të mëdha të provincës, Saint John ka performancën më të keqe, me një shkallë prej 31.2%. Përqindja e fëmijëve që jetojnë në varfëri në Moncton është 26.9%, në Fredericton është 23.9% dhe në Dieppe 14.4%. Sipas Dr. Sarah Gander, pediatre në Klinikën e Pediatrisë Sociale Komunitare, varfëria e fëmijëve ka një efekt negativ të vazhdueshëm mbi komunitetet, arsimin, ekonominë dhe sistemin shëndetësor. “Në kushte familjesh që mbijetojnë në varfëri si mund të presim që një fëmijë të jetë gati për të shkuar në shkollë apo të arrijë potencialin e tij të plotë në një mjedis shkollor?” pyet ajo. “Nëse nuk arrijmë të nxjerrim një brez nga varfëria, duhen disa breza për ta rikuperuar, sepse fëmijët duhet të kenë mundësi të arrijnë potencialin e tyre të plotë për të dalë nga kjo gjendje”, shton Dr. Gander në një komunikim me CBC. Në vitin 2020, niveli i varfërisë së fëmijëve në këtë provincë ra ndjeshëm falë ndihmave qeveritare të ofruara gjatë pandemisë. Qysh atëherë, përparimi i bërë ka shkuar mbrapsht dhe provinca ka të njëjtat nivele varfërie për fëmijët si në vitin 2016. Të mërkurën që kaloi (20.11), Avokati për Fëmijët, të Rinjtë dhe të Moshuarit në New Brunswick, Kelly Lamrock, njoftoi se zyra e tij së shpejti do të nisë një konsultim pesëmujor me grupe komunitare dhe organizata jofitimprurëse për t’u marrë me çështjen e varfërisë së fëmijëve në provincë. Sipas tij, sistemi i ndihmës sociale i qeverisë së New Brunswick është jo funksional, por ekzistojnë zgjidhje. “Ka shumë njerëz që bëjnë një punë shumë të mirë në të gjitha komunitetet dhe në sektorin jofitimprurës. Shumë nga zgjidhjet janë aty. Ne kemi një qeveri me një mandat të ri dhe shpresojmë që zyra jonë të mund të ndihmojë në nxitjen e ndryshimeve”, deklaroi ai.

Nova Scotia - Një sondazh i fundit paralajmëron se Partia Progresiste-Konservatore e Nova Scotia është në rrugën drejt një “mazhorance solide” në Asamblenë Legjislative pas zgjedhjeve të 26 nëntorit. Anketimi i firmës MQO Research i jep partisë së kreyministrit Tim Houston 51% të probabilitetit të votës disa ditë para zgjedhjeve. Nga tre sondazhet e kryera që nga fillimi i fushatës, sondazhi i MQO është ai që i jep qeverisë aktuale epërsinë më të madhe ndaj kundërshtarëve të saj. Partia e re Demokratike (NPD) e udhëhequr nga Claudia Chender renditet e dyta me 24% të votës mes votuesve që kanë bërë zgjedhjen e tyre ose që kanë prirje ndaj një partie. Partia Liberale e drejtuar nga Zach Churchill vjen pas me 22%, ndërsa Partia e Gjelbër mbyll listën me 2%. Sipas MQO, progresistët-konservatorë dominojnë në të gjitha rajonet e provincës, përfshirë edhe zonat urbane të kryeqytetit Halifax, ku ata sigurojnë 39% të mbështetjes, kundrejt 36% për NPD dhe 22% për liberalët. Sipas sondazhit, në Cape Breton, partia e Tim Houston arrin 59%, kundrejt 29% për liberalët dhe 10% për NPD. Sondazhi parashikon që një mbështetje kaq e gjerë në gjithë provincën do të shndërrohet në një numër të madh vendesh për progresistët-konservatorë. Ata kishin 34 nga 55 vendet në Asamblenë Legjislative para shpërndarjes së saj, kundrejt 14 vendeve për liberalët dhe 6 për neo-demokratët. Një deputete ishte e pavarur. MQO Research anketoi 500 votues përmes internetit dhe telefonit nga data 14 deri më 20 nëntor. Shakalla e gabimit e sondazhit llogaritet 4.4%.

Québec - Një manifestim kundër pjesëmarrjes së Kanadasë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) degjeneroi pas përplasjeve me policinë të premten në mbrëmje (22.11) në zjarrvënie të automjeteve dhe thyerje të vitrinave. Shërbimi Policor i Montreal deklaroi se ka kryer të paktën tre arrestime, por pritet të kryejë ende të tjera. Një manifestim i parë filloi rreth orës 16:30 në parkun Émilie-Gamelin, në qendër të qytetit. Protestuesit filluan të marshonin në orën 17:00 dhe u bashkuan me një grup të dytë në Place des Arts rreth orës 17:30. Gjatë marshimit, janë përdorur tymues dhe më pas barriera metalike janë hedhur në rrugë për të penguar punën e policisë, kanë pohuar forcat e rendit sipas të cilave “janë kryer gjithashtu sulme ndaj policëve, janë hedhur fishekzjarre në drejtimin e tyre dhe janë thyer vitrina dyqanesh dhe të Pallatit të Kongreseve”. Policia përdori irritues kimikë rreth orës 18:50 dhe u përpoqën të shpërndante turmën. Pas kësaj, protestuesit dogjën dy automjete para se të thyenin disa vitrina ndërsa rreth orës 19:00 ata u shpërndanë pë t’u mbledhur sërish dje (23.11) për të kërkuar tërheqjen e Kanadasë nga NATO. Manifestimet u organizuan nga grupet Désinvestir pour la Palestine dhe Convergence des luttes anticapitalistes. Benoît Allard, një anëtar i grupit Désinvestir pour la Palestine, akuzoi policinë për veprime të dhunshme. Ai pohoi se disa protestues, përfshirë atë vetë, u plagosën nga dhuna e policisë dhe katër protestues u dërguan në spital. Nga ana e saj klasa politike si në nivel federal ashtu edhe provincial i dënoi ngjarjet duke denoncuar veçanërisht aktet e antisemitizmit. Por Benoît Allard i hodhi poshtë akuzat për antisemitizëm. Ai deklaroi për mediat se manifestimet kishin në shënjestër veprimet e shtetit të Izraelit dhe jo popullin hebre, duke kujtuar dhe faktin se, më herët gjatë kësaj jave, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër ndërkombëtar arresti kundër kryeministrit izraelit Benyamin Netanjahu. Jad Kabbanji, president i Lëvizjes Québec për Paqe, u shpreh për CBC se Kanadaja duhet të refuzojë të përmbushë objektivat e shpenzimeve ushtarake të NATO-s. Ai gjithashtu theksoi se, pavarësisht se e cilëson veten si një aleancë mbrojtëse, NATO ka destabilizuar shumë rajone të botës dhe ka krijuar konflikte ushtarake, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Ndërkohë, Asambleja Parlamentare e NATO-s zhvilloi një mbledhje dy ditore në Montreal, që nisi dje dhe përfundoi sot (24.11).

Ontario - Një godinë në Niagara Falls të Ontarios, e shpallur objekt historik kombëtar, do të transformohet në një hotel luksoz, falë një projekti privat prej 200 milionë dollarësh të miratuar nga qeveria provincale. Një muze, një galeri arti, një fabrikë birre artizanale, një spa dhe madje edhe një teatër janë parashikuar të shtohen aty nga Society Developments dhe Pearle Hospitality. E gjithë kjo do të realizohet në ish-hidrocentralin Toronto Power, i cili u mbyll në vitin 1974. Godina e hidrocentralit u ndërtua në stilin Beaux-Arts në vitin 1906, në brigjet e lumit Niagara. Fillimisht hidrocentrali furnizonte me energji elektrike rajonin metropolitan të Torontos. Sipas Vjetarit të Emërtimeve Historike Federale të Parks Canada, struktura përfaqësonte një arritje të rëndësishme teknike në shkallë të gjerë për kohën e saj dhe luajti një rol të madh në zhvillimin e biznesit, industrisë dhe teknologjisë në Ontario dhe Kanada. Hoteli, i cili pritet të jetë i vetmi me 5 yje në Niagara Falls, do të hapet në vitin 2027. Qeveria Ford ka deklaruar prej kohësh se dëshiron ta bëjë Niagara Falls “Las Vegas-in e Veriut”. Qyteti turistik dhe kufitar është i njohur për ujëvarat e tij. Sipas Zyrës Turistike të Niagara Falls, qyteti disponon tashmë tre kazino dhe më shumë se 12,000 dhoma hoteli.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Darren Calabrese; Destination Canada; Getty Images/Rudi Suardi