Festivali i librit shqip në Toronto - Nga Avdulla Kënaçi
- Published in Kanada
Avdulla Kënaçi
Një ngjarje e madhe kulturore pritet të nisë nesër në Toronto; Festivali i Librit Shqip, i cili fillon në orën pesë mbasdite dhe përfundon ditën e diel, po në mbasdite. Ky festival shënon një moment historik të rëndësishëm për komunitetin shqiptar, duke qenë kulmi i aktiviteteve shumëvjeçare që përfshijnë libra, letërsi dhe shkrimtarë. Gjatë viteve, nga komuniteti shqiptar në Toronto janë organizuar ngjarje të ndryshme për të festuar dhe promovuar letërsinë shqipe. Edhe ky festival qendron si një realizim i veçantë i atyre përpjekjeve kolektive nga bashkatdhetarët tanë.
Në Diasporë, përfshirë edhe Kanadanë, janë bërë të zakonshme koncertet me këngëtarë shqiptarë me raste festash kombëtare, ose edhe thjesht koncerte për qejf, por takimet për librat shqip kanë qenë të rralla, edhe pse është krijuar opinion se në Kanada shumica e të emigruarve nga Shqipëria janë intelektualë. Kjo është arsyeja që lajmi për këtë event është pritur pak me habi, aq më tepër që pjesmarrës aktivë në në këtë ngjarje janë edhe shkrimtarë shqiptarë nga Amerika. Festivalin e çel shkrimtari bestseller Gazmend Kapllani me një përvojë të gjatë në emigracion, Greqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai do të ligjërojë temën “Kufijtë, librat dhe Ballkani”.
Po kush janë organizatorët dhe mentorët e këtij Festivali pa të cilët nuk do të ishte i mundur realizimi? Organozator është shqiptaro-kanadezi, mjeku Rudin Dakli, zëvendëspresident i shoqatës Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim, me origjinë nga një familje patriote e qytetit të Elbasanit, e cila ka kontribuar për hapjen e Shkollës Normale, përpara më shumë se një shekulli. Ne e takuam dje duke përgatitur enturazhin e veprave letrare të shkrimtarëve shqiptarë që do të ekspozohen në këtë Festival.
-Ta dija që kjo punë dhe ky organizim është kaq i vështirë, nuk do t’i hyja, por çfarë t’i bëj Ajkunës që më rri çekan mbi kokë?! - përgjigjet me të qeshur Rudini. E ka fjalën për të motrën e tij shkrimtare, Ajkuna Dakli, edhe ajo pjesmarrëse aktive në Festivalin e Librit. Pastaj vazhdon:
-Edhe pse Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim (ACDA) po udhëheq këtë iniciativë, ne nuk jemi e vetmja organizatë që e kemi ndarë këtë vizion. Fryma bashkëpunuese e komunitetit shqiptar ka qenë vendimtare për ta kthyer këtë ëndërr në realitet, duke siguruar që letërsia shqipe të prezantohet me gjithë pasurinë dhe diversitetin e saj si për shqiptarët në Kanada, ashtu edhe për publikun e gjerë kanadez. Ky festival ofron një mundësi unike për të eksploruar veprat e autorëve shqiptarë dhe shqiptaro-kanadezë dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm kulturor për komunitetin tonë këtu dhe më gjerë. Aty shkrimtarët do njihen më shumë me njeri-tjetrin, do shkëmbejnë ide dhe libra, pa mohuar këtu argëtimin.
-Kush e sponsorizon?
-Albanian-Canadian Development Alternative (ACDA). Festivali fillon të shtunën mbasdite dhe përfundon të dielën aty nga ora 17:00. Kemi ftuar edhe një grup muzikor me emër.
Intelektuali Rudin Dakli është një emigrant si shumë të tjerë. Flitet se në Kanada janë më shumë se 40 mijë shqiptarë. Vetëm gjatë luftës në Kosovë kanë ardhur në një kohë 7 mijë shqiptarë të rraskapitur nga lufta kundër Serbisë.
Rudini ka mbaruar Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë. Është specializuar për radiolog në Toronto, ka punuar për tetë vjet në spitalin “Mount Sinai” dhe që nga themelimi është zëvendëspresident i Alternativës Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim. Ai përpiqet me mish e shpirt të lërë gjurmë në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze. Provë është edhe organizimi i Festivalit të Librit Shqip në Toronto.
Ai e mbyll kështu bisedën:
-Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ide deri më tani dhe kërkojmë ndihmën e tyre për ta bërë këtë një sipërmarrje vërtet të suksesshme. Mbështetja dhe pjesëmarrja e vazhdueshme e bashatdhetarëve tanë janë thelbësore për të siguruar që ky festival të arrijë potencialin e tij të plotë dhe të bëhet një ngjarje kulturore e festë për të gjithë.
Dëshirojmë të flasim shumë më gjatë me të, por koha është e shkurtër dhe ai ka ende shumë punë për të mbaruar. Shkëputemi për t’u parë në Festival dhe ne i urojmë mbarësi Rudin Daklit dhe gjithë pjesmarrësve.
© Avdulla Kënaçi - Toronto, 29 Nëntor 2024