Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 1 dhjetor 2024

  • Published in Kanada

Moraine Lake - Alberta

 

-British Columbia, Environment Canada paralajmëron shi, borë, erë dhe të ftohtë ekstrem

-Alberta, reduktimi i studentëve të huaj do t’i kushtojë 11 milionë dollarë Universitetit të Calgary

-Nova Scotia, fitore spektakolare e Partisë Konservatore të Tim Houston në zgjedhjet e 26 nëntorit

-Newfoundland, policët e RCMP pajisen me kamera të instaluara mbi uniformë

 

British Columbia - Environment Canada ka emetuar disa paralajmërime të cilat përfshijnë një pjesë të rajoneve të qendrës dhe veriut të British Columbia prej ditës së djeshme (30.11). Sipas parashikimeve të agjencisë federale, priteshin reshje të dendura shiu, borë, erë dhe temperatura shumë të ulëta në disa zona. Reshje të dendura shiu priteshin në bregun qendror natën e mbrëmbrshme deri sot (01.12) me një total prej 100 deri në 200 mm. Më në veri, përgjatë bregut verior, u paralajmëruan erëra të forta, reshje shiu, borë e dendur, si dhe shi të ngrirë. Në brendësi të territorit, pritej 10 deri në 20 cm borë, e pasuar nga një periudhë shiu të ngrirë, pastaj reshje të dendura shiu deri në 70 mm për Prince Rupert, ndërsa në rajonet Kitimat, Terrace dhe Nass Valley pritej borë e dendur e shoqëruar me shi të ngrirë dhe më pas shi. Deri sot në mbrëmje (01.12) priten 30 deri në 50 cm borë në disa zona më në brendësi të provinces si Prince George, Stuart-Nechako, distrikti i liqeneve, lugina Bulkley, pranë maleve Cariboo, Yellowhead, McGregor, Williston, Pine Pass etj. Ndërkohë, në veri të provincës, Watson Lake, Swift River, Jade City dhe Dease Lake, u paralajmërua i ftohtë ekstrem pasi era mund ta ulë temperaturën deri në -45 gradë. Megjithatë në buletinin metereologjik të Environment Canada theksohej se një front i ngrohtë që po depërton në rajon do t’i rrisë gradualisht temperaturat drejt -20 gradë, duke ulur rrezikun e të ftohtit ekstrem deri sot në mbrëmje vonë.

Alberta - Sipas informacioneve nga Universiteti i Calgary, një ulje prej pothuajse 9% e regjistrimeve të studentëve të huaj do të sjellë një rënie të të ardhurave prej 11 milionë dollarësh këtë vit për këtë isntitucion të arsimit të lartë. Universiteti njofton se aktualisht pret 6394 studentë të huaj, që janë 604 më pak se në vjeshtën e vitit 2023. Studentët e huaj paguajnë mesatarisht dyfishin, madje edhe trefishin e tarifave të shkollimit krahasuar me studentët vendas. Kjo ulje e rëndësishme e të ardhurave do të rritet gjithashtu sepse studentët e huaj regjistrohen për disa vite gjatë studimeve të tyre. "Kjo do të ketë pasoja mbi cilësinë e mësimdhënies, mbi Albertën dhe mbi të ardhmen që mund të kenë këta studentë të huaj në provincë", është shprehur për CBC Ermia Rezaei-Afsah, president i Shoqatës së Studentëve të këtij universiteti. Rënia e të ardhurave ndodh ndërsa tarifat e shkollimit për studentët vendas janë rritur me rreth 5% dhe numri i përgjithshëm i studentëve është rritur nga 30,402 në vjeshtën e vitit 2023 në 31,781 këtë vit. Ulja e regjistrimeve të studentëve të huaj shpjegohet me vendimin e qeverisë federale për të reduktuar me 10% numrin e lejeve të studimit të dhëna për këtë kategori. Ottawa do të akordojë 437,000 leje për vitet 2025 dhe 2026, një objektiv i ri shumë më i ulët se i mëparshmi prej 485,000 lejesh për këtë vit. Sipas Ottawa, ky vendim do ketë si pasojë 300,000 leje studimi më pak për studentët e huaj gjatë tre viteve të ardhshme. Në një deklaratë të dërguar për CBC/Radio-Canada, Universiteti i Calgary-t pranon se qasja e qeverisë federale krijon një sërë sfidash. Për të mbushur boshllëkun buxhetor, institucioni planifikon të rrisë sërish tarifat e shkollimit me 2% për studentët vendas si dhe për disa programe të studimeve të avancuara. Në rastin e studentëve të huaj, rritja do të jetë 6% për të njëjtat programe.

Nova Scotia - Kryeministri i Nova Scotia Tim Houston e fitoi bastin e tij të martën e kaluar në zgjedhjet e parakohshme të 26 nëntorit. Ai siguroi një mandat dytë më të fortë se i pari, sepse Partia Progresiste-Konservatore që ai drejton fitoi 43 nga 55 zonat elektorale të provincës. Ndërkohë, Partia e Re Demokratike (NPD) përfitoi nga rënia e Partisë Liberale për të formuar opozitën zyrtare për herë të parë pas 15 vitesh. Me më shumë se dy të tretat e vendeve, Tim Houston do ta fillojë mandatin e tij të dytë me një super shumicë. Një përfaqësim i tillë i mundëson atij të ushtrojë një kontroll më të madh mbi Asamblenë Legjislative, veçanërisht mbi përbërjen e komisioneve dhe kohën e fjalës së deputetëve në seancat plenare, pa kërkuar miratimin e partive opozitare. Progresistët-Konservatorë të Nova Scotia nuk e kishin arritur një rezultat të tillë që nga zgjedhjet e vitit 1984, kur John Buchanan ishte kryeministër. Partia e Tim Houston i rifitoi pothuajse të gjitha zonat elektorale që kishte deri në shpërndarjen e Asamblesë Legjislative 27 tetorin e kaluar. Ajo humbi zonën Sackville-Cobequid në favor të NPD, por kjo humbje u kompensua gjerësisht me fitore të tjera në periferi të Halifax, në Annapolis dhe në jugperëndim të provincës. Duke shpallur zgjedhje të parakohshme, Tim Houston u kërkoi qytetarëve të Nova Scotia një mandat të dytë të fortë për të kontrolluar më mirë rritjen e kostos së jetesës, për të vazhduar reformat e tij në sistemin shëndetësor dhe ndër të tjera, për të përballuar qeverinë federale të Justin Trudeau lidhur me çështjen e taksës së karbonit. "Qëllimi im është të jem në shërbim të të gjithëve për katër vitet e ardhshme. Ne morëm një mesazh të qartë: vazhdoni, vazhdoni!", u shpreh Houston pas fitores spektakolare. Në fushatë lideri progresist-konservator premtoi një ulje të taksës së shitjes së harmonizuar (HST) nga 15% në 14%, rritjen e pagës minimale në 16.50 dollarë për orë, ndërtimin e 41,000 banesave deri në vitin 2028, heqjen e tarifës së dy urave të të Halifax-it si dhe krijimin e një ekipi lëvizës provincial prej 300 infermierësh.

Newfoundland - Në Newfoundland dhe Labrador një pjesë e policëve të RCMP kanë filluar të mbajnë kamera ndërhyrjeje të atashuara mbi uniformat e tyre. Kamerat trupore tani përdoren nga dy njësi policore në këtë provincë, ato në Ferryland dhe Holyrood. Tracy Jenkins-Fudge, menaxher programi pranë RCMP për Newfoundland, deklaroi gjatë një interviste për CBC se procesi po shkon mirë dhe policët po reagojnë pozitivisht. RCMP njoftoi këtë vjeshtë se të gjithë oficerët e vijës së parë do të pajisen me një kamerë ndërhyrjeje brenda një periudhe 12 deri në 18 muaj. 10,000 deri në 15,000 kamera do të shpërndahen për oficerët e policisë federale që ndërveprojnë me publikun. Kamerat janë modele Body 4 të kompanisë Axon, një furnizues amerikan i armëve dhe teknologjive policore dhe ushtarake, më parë e njohur si TASER International. RCMP përdor Axon Evidence, sistemin e ruajtjes dhe menaxhimit të të dhënave të së njëjtës kompani. Në vitin 2020, qeveria Trudeau u angazhua të alokojë 238.5 milionë dollarë kanadezë gjatë gjashtë viteve, dhe 50 milionë dollarë në vit më pas, për vendosjen e kamerave dhe një sistemi të menaxhimit të provave digjitale. Rreth 10% e njësive policore në vend kanë filluar t’i përdorin ato në javët e fundit. RCMP parashikon që 50% e kamerave të jenë në përdorim deri në prill të vitit të ardhshëm. Të mbajtura gjatë gjithë ditës së punës, kamerat duhet të aktivizohen përpara mbërritjes së policisë në një skenë ndërhyrjeje, shpjegoi Tracy Jenkins-Fudge. Pas kthimit në stacion, agjenti duhet të lidhë kamerën me bazën e të dhënave për të shkarkuar videon, e cila do të ruhet. Pamjet mund të shihen nga polici që i ka filmuar dhe nga mbikëqyrësit e tij. Kolegët e tij nuk kanë të drejtë të shohin ato. Kamerat nuk kanë funksionalitet të njohjes së fytyrës. Çdo person që dëshiron të shohë një video që e përfshin atë, ka të drejtë të bëjë një kërkesë zyrtare në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit Personal ose Ligjin për Akses në Informacion, njofton RCMP në faqen e internetit që detajon projektin e kamerave të ndërhyrjes.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; AP; The Canadian Press/Darren Calabrese