Java Kanadeze - Lajme shkurt 8 dhjetor 2024
- Published in Kanada
Mont Tremblant - Quebec
-British Columbia, rrezik i lartë orteqesh në jug dhe në një pjesë të veriut të provincës
-Alberta, norma e papunësisë më e lartë se mesatarja në rang Kanadaje
-New Brunswick, një klinikë-furgon higjiene dentare ka nisur të përshkojë rrugët e Moncton
-Nova Scotia, përkujtohet në Halifax tragjedia e 6 dhjetorit 1917
British Columbia - Sipas Avalanche Canada, aktualisht në disa zona jugore të provincës British Columbia rreziku i ortekëve është i konsiderueshëm deri në nivelin 3, duke përfshirë dhe vargmalet e bregut verior në rajonin Metropolitan të Vancouver. “Rreziku është rritur ndjeshëm në të gjithë provincën”, ka deklaruar për CBC Jessie Percival nga ky institucion. Këtë të diel, në malet e bregut verior dhe të bregut Sunshine, ekziston rreziku që ortekët të shkaktohen nga aktivitetet njerëzore jashtë piste, si skijimi ose përdorimi i motorrëve të borës. Paralajmërime janë dhënë gjithashtu për zonat malore të ishullit Vancouver dhe për malet që rrethojnë luginën Fraser, që shtrihen nga veriu në perëndim të kufirit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, duke kaluar përmes Whistler dhe Pemberton. “Këto paralajmërime u adresohen kryesisht personave që ushtrojnë aktivitete jashtë piste. Ne u rekomandojmë atyre të shmangin terrenet me rrezik ortekësh”, kujton Jessie Percival duke shtuar se gjithashtu duhet pasur kujdes edhe në zonat me rrezik më të ulët. Të mos rrezikosh kërkon aftësi dhe është e nevojshme të tregohet shumë kujdes në terren. Më në lindje, në rajonin e Revelstoke, rreziku i ortekëve është shumë i lartë (niveli 4), sipas Avalanche Canada, sepse në këtë zonë kanë rënë rreth 60 cm borë brenda disa ditësh. “Kemi marrë raportime për ortekë me pllakë të thatë dhe pllakë stuhie të madhësisë 2. Ne mendojmë se aktiviteti i ortekëve ka qenë shumë më i madh, por raportet ende nuk janë të gjitha të disponueshme”, shkruhet në faqen e internetit të organizatës jo fitimprurëse që monitoron situatën e ortekëve në të gjithë vendin.
Alberta - Sipas Statistics Canada norma e papunësisë në Alberta, që arriti shifrën 7.5% në nëntor, është mbi mesataren kanadeze prej 6.8%. Norma e papunësisë në këtë provincë ka pësuar një rritje prej 0.2% brenda një muaji, megjithëse janë krijuar 24,000 vende të reja pune gjatë kësaj periudhe. “Tregu i punës nuk po i përgjigjet rritjes rekord të popullsisë në Alberta”, ka shpjeguar për Radio-Canada Charles St-Arnaud, kryeekonomist pranë Alberta Central Credit Union. Sipas tij, do të nevojitet një periudhë rritjeje ekonomike shumë më e fuqishme sesa ajo aktuale për të përballuar numrin e të ardhurve të rinj. Ndërsa Mark Parsons, kryeekonomist i ATB Financial, ka pohuar se Alberta po kalon një periudhë përshtatjeje. “Do të duhet kohë që tregu i punës të përthithë të gjithë ata që kanë ardhur në province”, shton ai. Parsons thekson se Alberta tërheq shumë imigrantë të rinj, veçanërisht për shkak të kostos së përballueshme të strehimit. Shumë prej tyre zgjedhin të vendosen në qytetet kryesore të provincës, çka ndikon në normën e papunësisë në këto zona. Në Edmonton, norma e papunësisë është 8.3%, duke e bërë kryeqytetin e Albertës qytetin e dytë me normën më të lartë të papunësisë në Kanada pas Windsor (Ontario), ndërsa Calgary zë vendin e katërt pas Torontos, me një normë papunësie prej 7.9%. “Kjo tendencë, ndikon si te ata që kërkojnë punë, ashtu edhe te punëdhënësit, të cilët marrin një numër të madh aplikimesh”, vëren Claire Marrec, këshilltare e punësimit pranë Prospect Human Services, një organizatë jofitimprurëse që mbështet personat në kërkim të një vendi pune. Ajo thekson se rritja e konkurrencës në tregun e punës mund të jetë e vështirë për disa. “Të sapoardhurit në Kanada, ashtu si të rinjtë, shpesh kanë përvojë pune të kufizuar që mund të njihet zyrtarisht”, shpjegon ajo. Realiteti në terren kërkon shpesh marrjen e një çertifikate të re, ekuivalencën e diplomave ose rifillimin e studimeve, vëren ajo. Ndryshimi i objektivave të imigracionit të shpallur nga qeveria federale mund të ndikojë në situatën aktuale. “Kjo duhet t’i japë tregut të punës pak kohë për të përthithur papunësinë aktuale dhe duhet të çojë në një ulje të lehtë të normës së papunësisë”, parashikon Charles St-Arnaud. Ai shpjegon se këto ndryshime pritet të ndodhin gradualisht dhe situata do të jetë e ngjashme në tre ose katër muajt e ardhshëm. Megjithatë, ai thekson se asgjë nuk është e sigurt. Rritja e tarifave doganore të sugjeruara nga Donald Trump mund të ketë një efekt negativ të rëndësishëm në ekonominë e provincës dhe sipas tij mund të ndikojë mbi këtë tendencë.
New Brunswick - Një higjieniste dentare nga Moncton ka nisur të ofrojë që nga gushti shërbime pranë shtëpisë me furgonin e saj, një iniciativë kjo që synon të plotësojë nevojat e një pjese të komunitetit që e ka të vështirë të shkojë në një kabinet dentar për një arsye apo për një tjetër. Colleen Duguay shpjegon se për disa njerëz, ankthi, mbindjeshmëria ndaj stimujve ose kufizimet në lëvizshmëri mund të bëhen arsye që i pengojnë të realizojnë vizita tek dentisti. Këto vështirësi e frymëzuan atë për të krijuar modelin e ri të biznesit të saj. "Kam punuar në këtë sektor për më shumë se pesë vjet dhe vura re vërtet se kishte një nevojë për t'i bërë shërbimet më të aksesueshme", rrëfen ajo për CBC. "Kisha pacientë që më thoshin: Oh, motra ime do të donte një pastrim, por nuk ka kush ta çojë, ose ajo jeton në një shtëpi kujdesi. Gjithmonë kishte diçka që ndoshta pengonte këta pacientë të përfitojnë kujdes", vazhdon higjienistja dentare. Colleen Duguay vendosit ta adaptonte në një realitet të ri përvojën e shërbimit ndaj klientit. "Mendova: Si mund ta ofroj këtë shërbim tek kjo kategori dhe të kem gjithashtu të gjithë pajisjet e mia me vete? Për këtë arsye më lindi ideja ta realizoja në një furgon", shton ajo. Furgoni i ka të gjitha pajisjet e nevojshme që i mundësojnë Colleen Duguay të kryejë punën e saj. Partneri i Colleen, Stéphane Bourque, e adaptoi furgonin dhe u kujdes për aspektet teknike dhe mekanike të projektit, falë videove në YouTube dhe kërkimeve në internet. Ai pohon se është frymëzuar nga dy ose tre klinika mobile që aktualisht qarkullojnë në Quebec. Colleen Duguay konfirmon se ka një mungesë higjienistësh dentarë në këtë periudhë në rajonin e Moncton. "Ka mungesë kohe në klinikat private. E kam përjetuar edhe vetë, e di që nuk është gjithmonë e lehtë dhe nuk është faji i askujt. Shumë takime anulohen dhe kërkesa është aq e madhe sa që", sipas saj, "higjienistët dentarë në sektorin privat nuk kanë më kohë në dispozicion gjatë takimeve për t'iu ofruar klientëve edukim mbi shëndetin oral". Colleen Duguay shpreson të vazhdojë të ofrojë një shërbim efektiv me afate të arsyeshme për klientët kur anulohen takimet.
Nova Scotia - Pasardhësit e viktimave të katastrofës së Halifax-it u mblodhën të premten (06.12) në parkun Fort Needham, me rastin e 107-vjetorit të kësaj tragjedie. Kjo është tashmë një traditë e krijuar brez pas brezi. Këshilltarja bashkiake Virginia Hinch ftoi publikun të mbante një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e personave që humbën jetën në shpërthimin e datës 6 dhjetor 1917. Rreth njëqind vetë ishin mbledhur para monumentit përkujtimor të Fort Needham për të nderuar qëndresën, rimëkëmbjen dhe jetën e të mbijetuarve të shpërthimit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, mbi 1900 persona u vranë dhe 9000 të tjerë u plagosën kur anija franceze Mont-Blanc, e ngarkuar me municione, u përplas me anijen norvegjeze Imo në portin e Halifax-it. Dritaret e shtëpive në qytet u thyen deri në një distancë prej 16 kilometrash nga porti dhe vala goditëse u ndie madje edhe në Sydney, në Cape Breton, 435 kilometra në verilindje. I riu Josh Jaillott pasi vendosi një kurorë lulesh tek monumenti përkujtimor u shpreh se dëshiron të dijë më shumë për shpërthimin e vitit 1917. Deputetja provinciale Suzie Hanson, zona elektorale e së cilës, Halifax-Needham, u prek drejtpërdrejt nga shpërthimi, theksoi rendësinë e faktit që kjo ngjarje e pazakontë duhet të vazhdojë t’u rrefehet brezave të rinj. Ndërkohë, një pasardhës i njerit prej të mbijetuarve të shpërthimit, John Murphy, e mori fjalën për herë të parë gjatë një ceremonie vjetore përkujtimore. Ai theksoi rëndësinë e rikujtimit të kësaj ngjarjeje që la gjurmë përjetësisht mbi familjen e tij. “Babai im ishte person shumë diskret. Deri në një moshë të caktuar, ai nuk donte të fliste për atë që ndjeu kur humbi 14 anëtarë të familjes” rrëfeu ai. Shtëpia e familjes së John Murphy-t, që u rrafshua e tëra gjatë shpërthimit, më pas u rindërtua identike në rrugën Russell, në lagjen North End të Halifax-it. “Prandaj, kur them që nuk do të shkoj kurrë të jetoj diku tjetër, e kam fjalën si në kuptimin e drejtpërdrejtë, ashtu edhe në atë figurativ,” përfundoi Murphy.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada