Java Kanadeze - Lajme shkurt 15 dhjetor 2024
- Published in Kanada

Okanagan Valley - British Columbia
-British Columbia, zhvillohet ceremonia e lamtumirës për ish-kryeministrin John Horgan
-Alberta, e ardhme e pasigurt për bazën ushtarake Suffield, më e madhja në Kanada
-Saskatchewan, Pylli Magjik i Saskatoon një traditë që ndriçon netët e dimrit
-Nova Scotia, Mike Savage nis ushtrimin e detyrës si zëvendësguvernator i provincës
-Newfoundland, nënshkruhet marrëveshje e re historike me Quebec për shitjen e energjisë së Churchill Falls
British Columbia - Më shumë se 2700 vetë u mblodhën sot (15.12) në Q Centre të Colwood (Greater Victoria) për t'i bërë një homazh të fundit ish-kryeministrit të British Columbia, John Horgan. Ceremonia u drejtua nga pastori Keith Howard, në praninë e zëvendësguvernatores Janet Austin, kryeministrit David Eby si dhe kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau. Gjatë fjalës së tij, Justin Trudeau e kujtoi Horgan si një politikan që nuk u dekurajua kurrë nga sfidat dhe vështirësitë, ndërsa David Eby, kryeministri i provincës, kujtoi bashkëpunimin e tij me John Horgan dhe ndikimin që ai pati në politikën e British Columbia-s. "Ai u largua nga politika më popullor se kurrë", theksoi Eby, duke e përmbyllur fjalimin e tij me fjalët: "John ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ai ishte një mentor për shumë prej nesh. Trashëgimia e tij në provincë do të ndihet për breza të tërë që do të vijnë". Në deklaratën e saj, qeveria e British Columbia theksoi se familja e ish-kryeministrit dëshironte që pjesëmarrësit të dhurojnë për bankat ushqimore në vend që të blejnë lule. Ndërkohë, një libër ngushëllimesh u vu në dispozicion online për publikun në faqen zyrtare të qeverisë provinciale dhe do të qëndrojë i hapur deri nesër (16.12). John Horgan, i cili ndërroi jetë 12 nëntorin e kaluar në moshën 65-vjeçare, ishte kryeministri i 36-të i British COlumbia. Ai shërbeu në këtë post nga korriku i vitit 2017 deri në nëntor të vitit 2022, kur vendosi të largohej nga jeta politike për t’u kujdesur për shëndetin e tij. Nga dhjetori i vitit 2023 deri në vdekjen e tij në Victoria, ku ishte lindur në vitin 1959, John Horgan ishte ambasador i Kanadasë në Gjermani. Ish-kryeministri nga Partia e Demokratëve të Rinj ka hyrë në histori si ai që i dha fund 16 viteve të sundimit liberal në krye të provincës.
Alberta - Sipas CBC, aktualisht mbizotëron pasiguria mbi përdorimin e ardhshëm të bazës së Forcave Kanadeze në Suffield, në juglindje të Albertës, veçanërisht pasi ushtria britanike, e cila dërgon atje çdo vit mijëra ushtarë për stërvitje, ka filluar të largohet. E vendosur 260 kilometra në lindje të Calgary-t, në një sipërfaqe prej afro 2700 kilometrash katrorë (dy herë më e madhe se qyteti i Nju Jorkut), baza ushtarake Suffield është qendra më e madhe e stërvitjes ushtarake në Kanada. Që nga fillimi i viteve 1970, ushtria britanike ka dërguar aty çdo vit mijëra ushtarë për t’u stërvitur dhe për të marrë pjesë në manovra ushtarake. Edhe princi Harry u stërvit aty në vitin 2007, përpara se të dërgohej në Afganistan. Gjërat ndryshuan në vitin 2020, kur pandemia COVID-19 shkaktoi ndërprerjen e stërvitjeve në bazë. Në vitin 2023, Ministria Britanike e Mbrojtjes njoftoi se do të reduktonte ndjeshëm aktivitetet e saj operacionale në Suffield dhe se do të ndërpriste të gjitha aktivitetet e stërvitjes për të paktën dy vjet, dhe me shumë gjasa përtej asaj kohe. Të gjitha tanket, automjetet e blinduara për transportin e trupave të këmbësorisë, automjetet e blinduara të lehta për inxhinierinë, si dhe të gjitha pajisjet e artilerisë janë kthyer tashmë në Britani. "Forcat e armatosura britanike nuk po kryejnë aktualisht stërvitje në shkallë të gjerë në njësinë e stërvitjes së ushtrisë britanike në Suffield," thuhet në një deklaratë të Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, ndërasa ministri kanadez i Mbrojtjes, Bill Blair, u mjaftua të pohonte se bisedimet po vazhdojnë. Baza përdoret ende nga njësitë rezervë të Forcave Kanadeze për stërvitje, dhe disa nga këta ushtarakë bashkohen me misionin e NATO-s në Letoni. Çdo vit aty zhvillohet edhe një trajnim mbi agjentët biologjikë dhe kimikë për pjestarë të ushtrive aleate. Baza gjithashtu ka filluar të akomodojë trajnime për helikopterët e forcave të armatosura amerikane. Sipas kolonel Tom Bradley-t, i cili ka qenë komandant i bazës në Edmonton dhe ka shërbyer dy herë në Afganistan, madhësia e bazës në Suffield e bën atë ideale: “Është mjaft e madhe sa që mund të përdorni municione të vërteta dhe të mos shqetësoheni për ndikimin mbi sigurinë, pasi hapësira është më se e mjaftueshme. Trajnimi për produktet kimike? Është i vetmi vend në botën perëndimore ku mund të bëhet një trajnim i tillë në mënyrë të sigurt”, ka pohuar ai. Në një deklaratë, Forcat e Armatosura Kanadeze bënë të ditur se ende po punojnë me Mbretërinë e Bashkuar për të përcaktuar se si do ta përdorin bazën Suffield në të ardhmen.
Saskatchewan - Sipas traditës mbi çerekshekullore, që nga muaji nëntor, Forestry Farm Park në Saskatoon shndërrohet në një përrallë të vërtetë. Pylli Magjik, një hapësirë unikale me llampa të shumëngjyrshme që nuk duhet humbur, do ndriçojë netët e dimrit deri më 5 janar 2025. Paradite dhe pasdite zona duket e qetë, por sapo bie nata, tre kilometrat me drita presin me padurim banorët e Saskatoon dhe vizitorët nga vende të tjera, duke ofruar një përvojë magjike gjatë këtij sezoni festash. Ky projekt i veçantë është bërë i mundur nga një partneritet mes Fondacionit të Kopshtit Zoologjik të Saskatoon dhe Fondacionit të Spitalit të Saskatoon-it. Për më shumë se 25 vjet, ai është integruar me atmosferën e festive të fundvitit dhe mbetet pike reference për banorët e Saskatoon, gjithë Saskatchewan-it dhe madje përtej kufijve provincialë. Sipas Hugh Vassos, drejtor i marketingut të Pyllin Magjik, rreth 75 partnerë e mbështesin këtë iniciativë, disa prej të cilëve që prej 26 vitesh, ndërsa të tjerët janë të rinj. Organizatorët ftojnë të vegjël e të mëdhenj të shijojnë spektaklin, ndërkohë që secili qëndron brenda automjetit, duke krijuar një përvojë magjike dhe të qasshme për familjet. Një risi këtë vit: pemët përgjatë rrugës janë të mbuluara me një vello të shndritshme, duke e shndërruar hapësirën në një pyll të vërtetë magjik. "Është shumë mbresëlënëse. Ka shumë për të parë nga të dyja anët e automjetit, është me të vërtetë e këndshme", ka pohuar për CBC Hugh Vassos. Bashkia e Saskatoon-it e mbështet me krenari Pyllin Magjik, duke e konsideruar atë si një nga spektaklet më të vjetër dhe më të mirë të dritave të Krishtlindjes në Kanada.
Nova Scotia - Provinca Nova Scotia ka tashmë një zëvendësguvernator të ri. Ish-kryetari i bashkisë Halifax, Mike Savage, pasoi zyrtarisht të premten (13.12) gjyqtarin akadian në pension, Arthur LeBlanc, si përfaqësues i Kurorës Britanike në këtë territor. Zëvendësguvernatori i 34-të i Nova Scotia që prej Konfederatës së vitit 1867 bëri betimin gjatë një ceremonie në Sallën e Kuqe të Asamblesë Legjislative, në Halifax. Para se t’i dorëzoheshin çelësat e rezidencës nënmbretërore në rrugën Barrington, në qendër të kryeqytetit, Mike Savage ka qenë deputet federal i Dartmouth-Cole Harbour nga viti 2004 deri në 2011 dhe kryetar i Bashkisë Rajonale Halifax nga viti 2012 deri në tetor të këtij viti. "Është një nder i madh për mua që më janë besuar detyrat dhe përgjegjësitë e këtij funksioni. Angazhohem me vendosmëri për t’i shërbyer Kurorës dhe qytetarëve të kësaj province të jashtëzakonshme, duke vlerësur dhe mbështetur njëkohësisht trashëgiminë e saj të pasur, diversitetin e komuniteteve dhe potencialin e pakufizuar për të ardhmen", deklaroi ai në një komunikatë për mediat. Mike Savage është emëruar për një mandat pesëvjeçar. Nga ana e tij, kryeministri Tim Houston vlerësoi angazhimin e gjatë të përfaqësuesit të ri provincial të Mbretit Charles III ndaj shërbimit publik, zhvillimit ekonomik, pjesëmarrjes komunitare dhe vullnetarizmit. "Pasioni i tij për komunitetin do të vazhdojë të jetë i dukshëm në këtë rol të ri", u shpreh Houston. Siç e do tradita, pas ceremonisë së betimit, Mike Savage inspektoi trupat e Forcave të Armatosura Kanadeze me bazë në Halifax. Paraardhësi i tij, Arthur LeBlanc, e ushtroi detyrën e zëvendësguvernatorit për shtatë vjet e gjysmë. Ai ishte akadiani i parë që u emërua në këtë funksion në provincën Nova Scotia. Ditët e fundit, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Nova Scotia mbikëqyri betimin e deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet provinciale të 26 nëntorit, si dhe të Këshillit të Ministrave të qeverisë së re Houston.
Newfoundland - Sipas CBC/Radio-Canada, kryeministrat Andrew Furey (Newfounland-Labrador) dhe François Legault (Quebec) kanë firmosur në parim të enjten (12.12) në St John’s një marrëveshje historike "fitimprurëse për të dyja palët", e cila do t’u mundësojë provincave përkatëse të përfitojnë më mirë nga kompleksi hidroelektrik i Churchill Falls (Labrador), duke ndërtuar njëkohësisht diga të reja që do të rrisin prodhimin e energjisë në vitet e ardhshme. Kjo marrëveshje parimore parashikon, ndër të tjera, një rritje të konsiderueshme të kostos që paguan Hydro-Québec për të blerë energjinë elektrike të prodhuar në Churchill Falls, duke filluar nga viti 2025. Marrëveshja synon të zëvendësojë marrëveshjen që aktualisht lidh dy provincat deri në vitin 2041. Nëse kjo do të miratohet, Québec do të paguajë mesatarisht 4 cent për kilovat/orë (kWh) gjatë 50 viteve të ardhshme, sipas çmimit të ri, pra 20 herë më shumë se aktualisht. “Sot gjithçka ndryshon për Newfoundland dhe Labrador”, deklaroi Andrew Furey gjatë konferencës për shtyp pas nënshkrimit, mes duartrokitjeve, në sallën e mbushur plot Qendrës Kulturore në St John’s, ku atmosfera ishte e mbushur me emocione, pasi ky konflikt historik ende përbën një çështje të ndjeshme në këtë provincë. “Në afatshkurtër, do japim më shumë para”, pranoi François Legault, “por në politikë, duhet të mendosh në afatgjatë,” shtoi ai. Marrëveshja aktuale e firmosur që në vitin 1969, parashikon një kosto blerjeje prej 0.2 cent/kWh, një çmim jashtëzakonisht i papranueshëm për qeverinë aktuale të Newfoundland dhe Labrador, e cila e pat kundërshtuar pa sukses atë në gjykatë. Një kosto prej 4 cent/kWh përkon me koston e prodhimit të digave të mëdha historike të Hydro-Québec dhe për presidentin e kësaj kompanie, Michael Sabia, është një çmim i jashtëzakonshëm që nuk ekziston askund në Amerikën e Veriut. Sipas vlerësimeve aktuale, kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga instalimet e ardhshme, të parashikuara në Planin e Veprimit 2035 të Hydro-Québec, pritet të arrijë në 13 cent/kWh. Nëse marrëveshja miratohet, kostoja që do të paguajë ndërmarrja shtetërore do të rritet gradualisht. Çmimi i energjisë elektrike të prodhuar në Churchill Falls do të kalojë nga 0.2 cent/kWh në 1 cent/kWh që nga viti 2025. Më pas do të rritet duke arritur mesatarisht 2 cent/kWh nga viti 2025 deri në vitin 2041 dhe 7 cent/kWh nga viti 2041 deri në vitin 2075. Hydro-Québec e vlerëson në 33.8 miliardë dollarë vlerën e këtij aspekti të marrëveshjes. Megjithatë, duke qenë se ndërmarrja shtetërore do të mbetet aksionare me 34.2 % të kompanisë që operon Churchill Falls, ajo e vlerëson koston neto të asaj që do të shpenzojë deri në vitin 2075 në 26 miliardë dollarë. Ndikimi në financat e Hydro-Québec do të jetë 500 milionë dollarë në vit. Një pjesë e kësaj kostoje shtesë (300 milionë) do t’u kalojë klientëve industrialë dhe komercialë, ndërsa pjesa tjetër (200 milionë) do të financohet nga dividentët që merr qeveria. Këto 300 milionë dollarë do të rrisin tarifat me 0.4 %, por klientët rezidencialë të Hydro-Québec nuk do të preken, premton ndërmarrja shtetërore, sipas së cilës kjo rritje do të përfaqësojë 75 dollarë më shumë në vit në faturën e një biznesi të vogël dhe 10,000 dollarë më shumë për një biznes të madh industrial. Nëse marrëveshja miratohet, fuqia e Churchill Falls do të rritet gradualisht duke filluar nga viti 2028 falë turbinave të reja që do të mundësojnë prodhimin e 550 megavatëve (MW) shtesë. Një qendër e re hidroelektrike, e quajtur Churchill Falls 2, do të ndërtohet gjithashtu në të njëjtin rezervuar dhe do të ketë një kapacitet prej 1100 MW. Ajo do të vihet në funksionim në vitin 2035. Megjithatë, pjesa kryesore e projektit do të jetë ndërtimi deri në vitin 2035 i një qendre krejtësisht të re hidroelektrike me kapacitet prej 2250 MW, Gull Island, ku Hydro-Québec do të jetë aksioner me 40 %. Kostoja e këtyre tre projekteve vlerësohet në 25 miliardë dollarë. Hydro-Québec do të blejë 90 % të energjisë elektrike të re që do të prodhohet dhe do të paguajë proporcionalisht për këto kosto projektesh, pra 90 % të 25 miliardëve.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Darryl Dyck/Paul Daly;