Kriza politike kanadeze: “Besnikët” i paraqesin Justin Trudeau opsionet e mundshme
- Published in Kanada

Dy të tretat (67 %) e të anketuarve në një sondazh të Abacus Data mendojnë se Justin Trudeau duhet të japë dorëheqjen, 19 % besojnë se ai duhet të qëndrojë dhe 14 % nuk e dinë.
Sipas The Canadian Press, kryeministri kanadez Justin Trudeau po shqyrton opsionet e tij pas dorëheqjes së papritur të Chrystia Freeland të hënën më 16 dhjetor, ngjarje që shkaktoi një tërmet politik në Ottawa dhe që ka nxitur thirrje të njëpasnjëshme për largimin e vetë kreut të qeverisë nga posti.
Freeland, që ishte dhe numri dy i kabinetit Trudeau, dha dorëheqjen nga posti i saj si ministre e Financave pikërisht ditën kur pritej të paraqiste në Dhomën e Deputetëve Deklaratën ekonomike të vjeshtës në emër të qeverisë dhe vetëm dy ditë pasi Trudeau i kishte njoftuar se kishte në plan ta largonte nga Financat, duke i ofruar një post ministri pa portofol.
Vendimi i shefit të qeverisë kanadeze duket se pati efekt të kundërt nga ai i pritur. Përveç qëndrimit të njohur të Konservatorë dhe Bllokut të Quebec, thirrjet për dorëheqjen e tij u shumëfishuan, përfshirë ato nga shumë deputetë liberalë, nga kreu i NDP, Jagmeet Singh apo dhe nga redaksitë e disa gazetave të rëndësishme.
Në një takim urgjent të Grupit parlamentar liberal të hënën në mbrëmje (16.12), kreyministri Trudeau premtoi se do të reflektonte ndaj thirrjeve që iu bënë. Sipas një burimi liberal që e njeh mire situatën brenda kampit qeveritar, konfirmohet tashmë se kreu i qeverisë po shqyrton se bashku me “grupin e besnikëve” të gjitha opsionet, përfshirë dhe atë nëse duhet të qëndrojë në post, apo të japë dorëheqjen. Ndërkohë, Trudeau i anuloi të gjitha intervistat e fundvitit me mediat dhe ende nuk ka dalë publikisht për të komentuar largimin e Chrystia Freeland.
Deri tani, kreu liberal i ka rezistuar thirrjeve për dorëheqje për më shumë se një vit edhe pse po për aq kohë vazhdon të jetë 20% më poshtë se Konservatorët në sondazhe. Nëse situata aktuale e shtyn të ndryshojë mendim, ai ka disa opsione: të japë dorëheqjen menjëherë ose të qëndrojë në detyrë deri sa të zgjidhet një lider i ri. Të dyja opsionet do të kërkonin ndoshta një pezullim afatshkurtër të Parlamentit për të zhvilluar një garë të shpejtë për liderin e ri të partisë.
Një burim tjetër liberal, i afërt me rrethin e ngushtë të Justin Trudeau, por që nuk është pjesë e qeverisë, ka pohuar se ekipi i kryeministrit po përpiqet të funksionojë për të dhënë përshtypjen që ai e kontrollon situatën. Ndërkohë, ish-anëtari i stafit liberal Greg MacEachern, i ka deklaruar The Canadian Press se dorëheqja e Freeland ka rritur numrin e të pakënaqurve në radhët e deputetëve të cilët e konsiderojnë të gabuar lëvizjen e kryeministrit për largimin e saj nga portofoli i Financave.
Nëse vendos të qëndrojë, Trudeau do të duhet të përballet me një lëvizje kundërshtare gjithnjë në rritje brenda grupit të tij parlamentar, sepse tashmë flitet se të paktën një e treta e deputetëve po kërkojnë largimin e tij.
Dje (18.12), deputeti i New Brunswick-ut, Wayne Long, i cili ka qenë ndër të parët që ka kërkuar dorëheqjen e Justin Trudeau, u ka dërguar një mesazh me shkrim të gjithë deputetëve liberalë duke e cilësuar si të turpshëm menaxhimin amatoresk të dorëheqjes së Chrystia Freeland. Ai ka treguar me gisht rrethin e ngushtë të kryeministrit, kaotik dhe i izoluar nga realiteti sipas tij.
Ministrat e larguar nga qeveria Trudeau në 6 muajt e fundit
Fakti që Dhoma e Deputetëve është tani në periudhën e pushimeve të festave të fundiviti, i jep kryeministrit disa javë kohë për të vendosur se çfarë do bëjë para rikthimit të deputetëve në Ottawa më 27 janar.
Të marten në mbrëmje (17.12) Trudeau mbajti një fjalim gjatë takimit të fundvitit të Grupit parlamentar liberal në Ottawa, ku ishte e pranishme dhe Chrystia Freeland e cila u prit me duartrokitje të forta. Nga ana e tij kryeministri iu referua në mënyrë indirekte ngjarjeve të së hënës, dhe pohoi se ditët e fundit “kanë qenë të ngarkuara, nuk ka qenë e lehtë dhe prandaj jam shumë i lumtur që ju shoh bashkë”, duke i krahasuar Liberalët me një familje të madhe. “Si shumica e familjeve, ndonjëherë kemi mosmarrëveshje gjatë festave. Por, sigurisht, si shumica e familjeve, gjejmë një mënyrë për t’i zgjidhur ato”, u shpreh ai.
Dorëheqja e Chrystia Freeland ndodhi në të njëjtën ditë kur ministri i Strehimit, Sean Fraser (deputet i Nova Scotia), njoftoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, duke përmendur arsye familjare. Një zyrtar i lartë i qeverisë, që nuk ka pranur të identifikohet, ka pohuar për The Canadian Press se deputeti i Torontos, Nathaniel Erskine-Smith, është kandidat për të zëvendësuar Sean Fraser në ministrinë e Strehimit gjatë një rikompozimi së afërmi të kabinetit qeveritar.
Aktualisht, disa ministra po mbajnë disa role njëkohësisht, ndërsa të tjerë kanë deklaruar publikisht se nuk planifikojnë të kandidojnë përsëri. Ministrat e rinj, përfshirë atë që do të marrë rolin e rëndësishëm të Rendit Publik, aktualisht të mbajtur nga Dominic LeBlanc (që iu besua portofoli i Financave), pritet të emërohen para 20 janarit 2025, dita kur Donald Trump do të bëhet zyrtarisht president i Shteteve të Bashkuara.
© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Spencer Colby