Java Kanadeze - Lajme shkurt 22 dhjetor 2024
- Published in Kanada

Quebec City - Quebec
-British Columbia, Wendy Lisogar-Cocchia emërohet zëvendës-guvernatore e provincës
-Alberta, Bashkia Calgary shton me 16.8% personelin për të përballuar rritjen demografike
-Nova Scotia, sipas CanaDon banorët e kësaj province janë më bujarët në Kanada
-Prince Eward Island, Maritime Electric synon të investojë 427 milionë dollarë për të rritur prodhimin e energjisë
-Newfoundland Labrador, gati 100 poste vakante në radhët e Policisë Federale të provincës
British Columbia - Wendy Lisogar-Cocchia, sipërmarrëse dhe mbrojtëse e të drejtave të personave autistë, është emëruar zëvendës-guvernatore e British Columbia nga kryeministri Justin Trudeau. Ajo do zëvendësojë Janet Austin, e cila e mban këtë post që nga viti 2018. Roli i zëvendës-guvernatorit është të përfaqësojë monarkinë në provincë, në të njëjtën mënyrë si guvernatori i përgjithshëm i Kanadasë e përfaqëson atë në nivel federal. Wendy Lisogar-Cocchia do të ketë, ndër të tjera, detyrën të organizimit të ceremonive për ata që bëhen anëtarë të Urdhrit të British Columbia dhe do të luajë gjithashtu një rol në qeverisjen e provincës, duke hapur çdo sesion të Asamblesë Legjislative, duke nënshkruar projektligjet provinciale për t’i kthyer ato në ligje zyrtare dhe duke paraqitur fjalimin vjetor të Fronit mbretëror, që përmban prioritetet e qeverisë për vitin në vazhdim. Zëvendës-guvernatorja zakonisht emërohet për një mandat prej 5 vitesh. Kryeministri Justin Trudeau deklaroi se “Wendy Lisogar-Cocchia ka mbrojtur prej kohësh interesat e komunitetit të saj, të provincës dhe të Kanadasë”. Sipas biografisë së saj zyrtare, ajo është themeluese e Absolute Spa Group, që është bërë rrjeti më i madh i pavarur i spa-ve në Kanada. Së fundi, ajo ka qenë drejtoreshë e përgjithshme e Crew Management Ltd. dhe e hotelit Century Plaza në Vancouver. “Kampione për të drejtat dhe shërbimet e personave me aftësi të kufizuara, znj. Lisogar-Cocchia është bashkëthemeluese e Pacific Autism Family Network (PAFN) në British Columbia”, shkruhet gjithashtu në biografinë e saj. Wendy Lisogar-Cocchia ka qenë gjithashtu anëtare e bordit të Këshillit të British Columbia, gruaja e parë që mbajti postin e administratores së Fondacionit të Policisë së Vancouver si dhe gruaja e pestë dhe më e reja në moshë që mbajti postin e presidentes së Dhomës së Tregtisë të Metro Vancouver.
Alberta - Bashkia Calgary ka rritur numrin e stafit të saj me 2268 persona gjatë dy viteve të fundit. Sipas administrates bashkiake, kjo rritje ka qenë e domosdoshme për të vazhduar ofrimin e shërbimeve për një popullsi që është rritur ndjeshëm. Më 31 dhjetor 2022, 13,483 persona punonin për Bashkinë Calgary. Sipas të dhënave të siguruara nga CBC News, ky numër u rrit në 15,751 persona më 30 shtator 2024. Këto shifra përjashtojnë, ndër të tjera, punonjësit roje, studentët, punonjësit sezonalë dhe bashkëpunëtorët e policisë. Në vitin 2023, rritja e stafit ishte rezultat i integrimit të Autoritetit të Parkimeve të Calgary-t, që menaxhon parkingjet në qytet, si dhe e punësimeve të reja për transportin publik të Calgary Transit dhe Departamentin e aktiviteteve rekreative dhe programeve sociale. Në vitin 2024, kjo rritje rezulton kryesisht nga punësimet e reja në Departamentin e zjarrfikësve, transportin publik dhe Departamentin e emergjencave dhe sigurisë. Në një deklaratë të saj, bashkia thekson se numri i përgjithshëm i stafit mbetet më i ulët sesa rritja e popullsisë, ndërkohë që Calgary është qyteti kanadez që po rritet më shpejt nga pikpamja demografike. “Kjo rritje e shpejtë ka shtuar dhe vazhdon të shtojë kërkesën për shërbime, gjë që kërkon gjithashtu investime shtesë për të ruajtur nivelet e shërbimit, duke përfshirë edhe numrin e stafit”, theksohet në deklaratë. Sipas vlerësimeve të Statistics Canada të publikuara në fillim të vitit 2024, popullsia e Calgary-t u rrit me rreth 96,000 persona vitin e kaluar, një rritje prej 6% brenda 12 muajve, ndërsa sipas Bashkisë Calgary, numri i punonjësve të saj për banor është më i ulët se ç’ishte dhjetë vjet më parë. Lori Williams, profesoreshë e asociuar në fushën e studimeve politike pranë Universitetin Mount Royal, mendon se “kjo është një gjë pozitive, pasi dëshmon që qyteti është më mirë i menaxhuar ose më efikas se shumica e qyteteve të tjera të kësaj madhësie”. Nga ana tjetër, ajo shton se ekzistojnë disa arsye përse stafi i një institucion rritet ose zvogëlohet me kalimin e kohës. “Nuk është gjithmonë një llogaritje e thjeshtë mes numrit të njerëzve dhe asaj që duhet bërë. Mund të jetë shumë më komplekse dhe më e ndërlikuar se kaq”, thekson ajo. Sipas saj, kjo zakonisht varet nga lloji i kërkesave me të cilat përballet institucioni, dhe shifrat nuk japin gjithmonë një pasqyrë të plotë të situatës. Nga ana e tij, Jeromy Farkas, ish-këshilltar bashkiak, mendon se bashkia duhet të japë më shumë detaje mbi rritjen e stafit të vet. “Nuk mendoj se banorët e Calgary-t presin përsosmëri nga bashkia, por ata duan shpjegime dhe përgjigje. Nëse bashkia dëshiron të justifikojë këto rritje, ajo duhet të demonstrojë punën e saj dhe të tregojë rezultatet”, i ka deklaruar ai CBC News. Farkas mendon se banorët e Calgary-t duhet të shohin se çfarë përfiton qyteti nga rritja e stafit të administratës. Në veçanti, sipas listës së publikuar të pagave të bashkisë, pak më shumë se 27% e punonjësve me kohë të plotë fitojnë midis 100,000 dhe 125,000 dollarë në vit, 26% fitojnë midis 50,000 dhe 75,000 dollarë në vit dhe më pak se 15% fitojnë më shumë se 125,000 dollarë në vit.
Nova Scotia - Platforma bamirëse CanaDon e ka shpallur Nova Skocia si provincën më bujare në vend. Nova Skocia mbetet fituesja e madhe në podiumin e bujarisë për të dytin vit radhazi, sipas platformës më të madhe të dhurimeve dhe mbledhjes së fondeve online në Kanada. Në vitin 2024, 2.63% e banorëve të Nova Skocia-s dhuruan dhjetë milionë dollarë për organizata bamirëse. Ndërkohë edhe numri i banorëve të Ontarios që dhuruan u rrit sivjet krahasuar me vitin e kaluar. Provinca u ngjit nga vendi i katërt në të dytin, me 2.35% të qytetarëve që kryen një dhurim. Drejtoresha e përgjithshme e shërbimeve për dhuruesit e CanadaHelp, Julie Fiorini, vuri në dukje për CBC bujarinë e banorëve të Nova Skocia-s, edhe pse ata nuk kanë të ardhurat më të larta në vend. “Pra, nga këndvështrimi ynë, ajo mbetet gjithmonë provinca më bujare”, u shpreh ajo duke sqaruar se renditja bazohet vetëm në dhurimet e kryera përmes CanaDon. Julie Fiorini theksoi gjithashtu se provincat e Atlantikut janë më bujaret në Kanada. Newfoundland Labrador renditet në vendin e tretë me 2.32% të qytetarëve që kryen një dhurim, ndërsa në Prince Edward Island kjo përqindje është 2.29%, duke e renditur këtë provincë të katërtën më bujare në vend pas Ontarios.
Prince Edward Island - Kompania Maritime Electric planifikon të investojë 427 milionë dollarë për pajisje të reja, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në provincën Prince Edward Island. Furnizuesi kryesor i energjisë elektrike në ishull synon të blejë një turbinë, motorë me djegie të brendshme dhe bateri për depozitimin në rezervë të energjisë. Sipas Jason Roberts, drejtor i përgjithshëm i Maritime Electric, “ky është një investim më i mirë afatgjatë sesa të vazhdohet me blerjen e energjisë elektrike nga jashtë provincës”. Në një intervistë për CBC, ai shpjegoi se ky plan ka dy objektiva: sigurinë energjetike të ishullit dhe një integrim më të madh të burimeve të rinovueshme në prodhimin e energjisë elektrike. Maritime Electric e blen 72% të energjisë që shpërndan në ishull nga Nouveau-Brunswick Power dhe po has vështirësi për të përmbushur një kërkesat që po rriten vazhdimisht. Në një mbledhje komisioni parlamentar këtë vjeshtë, numri dy i Maritime Electric, Angus Orford, u shpjegoi deputetëve se nevojat për energji elektrike të provincës janë dyfishuar gjatë 14 viteve të fundit. Kompania tani ka 90,000 klientë, një shifër kjo rekord. Përveç rritjes së madhe të popullsisë në ishull gjatë viteve të fundit, banorët janë inkurajuar të instalojnë termopompa në vend të përdorimit të mazutit për ngrohje, gjë që rrit kërkesën për energji elektrike. Kjo kërkesë arriti një rekord prej 395.7 megavatësh gjatë një episodi të ftohti ekstrem, më 4 shkurt 2023. Kapaciteti i rrjetit u vu në provë dhe drejtuesit e Maritime Electric nuk besojnë se rrjeti mund të përballojë kushte të ngjashme për një kohë të gjatë. Maritime Electric i ka paraqitur Entit Rregullator të Prince Edward Island një kërkesë për të autorizuar blerjen e pajisjeve të reja. Kompania synon që gjithçka të jetë e integruar dhe funksionale brenda pesë viteve të ardhshme.
Newfoundland Labrador - Zëdhënësja e opozitës parlamentare për çështjet e drejtësisë vlerëson se mungesa e policëve në Newfoundland Labrador është shqetësuese dhe përbën një rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e banorëve të provincës, veçanërisht në komunitetet rurale. Deputetja progresiste-konservatore e Harbour Main, Helen Conway-Ottenheimer, ka veçuar faktin se provinca nuk ka një plan të mirëfilltë për t’u marrë me këtë problem. Ajo ka deklaruar për CBC se RCMP (Policia Federale) ka vështirësi për të plotësuar nevojat e komuniteteve rurale. Përmes një kërkese për qasje në informacion, ajo është informuar se ndër 456 vendet e punës ekzistuese të RCMP në Newfoundland dhe Labrador, 94 janë të paplotësuara. “Duke qenë se policia nuk ka mbështetje me burime të përshtatshme, kjo do të përbëjë një sfidë edhe më të madhe në lidhje me ngarkesën e saj të punës dhe aftësinë për të përmbushur detyrat e saj”, theksoi ajo. Referuar Statistics Canada, shkalla e kriminalitetit është rritur me 5% në provincë midis viteve 2022 dhe 2023. Helen Conway-Ottenheimer i ka kërkuar qeverisë Liberale të sigurojë më shumë burime dhe financime për RCMP dhe forcat e tjera të zbatimit të ligjit në provincë, por sipas saj, “ata që e kanë për detyrë nuk e marrin problemin seriozisht, pavarësisht faktit që kjo çështje është ngritur disa here”. Mbikëqyrja policore në Newfoundland dhe Labrador është një sfidë e madhe për shkak të distancave të mëdha që policët duhet të përshkojnë për të arritur nga një bashki në tjetrën, shpjegoi deputetja dhe për mendimin e saj, një forcë ndihmëse e përbërë nga policë të dalë në pension që punojnë me orar të pjesshëm do të lehtësonte barrën mbi forcat e zbatimit të ligjit. “Duhet një plan strategjik i mirëfilltë për të mbështetur siç duhet institucionet tona të zbatimit të ligjit”, përfundon prononcimi i saj për CBC.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; Istock/Lauren Proctor