Kanada

Kanada: Pritet sërish mocion mosbesimi për qeverinë Trudeau sapo të rifillojë Parlamenti

  • Published in Kanada

Sipas medias shtetërore CBC/Radio-Canada, Partia Konservatore e Kanadasë ka vendosur të paraqesë sërish një mocion mosbesimi për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Trudeau në janar. “Pas 9 vitesh, Justin Trudeau e ka humbur plotësisht kontrollin dhe po mbahet me dëshpërim pas pushtetit”, thuhej në deklaratën e sotme (27.12) të partisë kryesore opozitare, e cila kryeson sondazhet me diferencë 20% ndaj Liberalëve prej më shumë se një viti.

Ndërkohë, pritet që ky mocion mosbesimi i radhës ndaj qeverisë të shqyrtohet nga Komisioni i Përhershëm i Llogarive Publike i cili do të mblidhet duke filluar nga data 7 janar 2025. Nëse mocioni miratohet, raporti i Komisionit do të dorëzohet në Parlament më 27 janar, ditën e parë të rifillimit të punimeve pas gjashtë javësh pushim për festat dhe mund t’i nënshtrohet votimit në Dhomën e Deputetëve që nga e enjtja, 30 janar.

“Duke pasur parasysh mandatin mbikëqyrës të Komisionit të Përhershëm të Llogarive Publike, është e përshtatshme që anëtarët e tij të nisin diskutimet lidhur me mocionin e mosbesimit, edhe pse Parlamenti është i pezulluar deri në fund të janarit”, shkruhej në një letër të presidentit të komisionit në fjalë, John Williamson, të publikuar në platformën X.

Nëse mocioni i mosbesimit miratohet, qeveria liberale në minorancë do humbë besimin e Parlamentit, çka do të çojë në shpërndarjen e Dhomës së Deputetëve dhe organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Ngjarjet e ndodhura javën e kaluar në Ottawa mund të përshpejtojnë zhvillimet, pasi dorëheqja e papritur e ministres së Financave, Chrystia Freeland i dha një goditje të fortë ekuilibrave brenda Partisë Liberale. Kryeministri Trudeau, i cili duket se nuk e kontrollon më grupin e tij parlamentar, po përballet me presion të vazhdueshëm si nga brenda partisë ashtu edhe nga jashtë saj për të dhënë dorëheqjen.

Nga ana e tij, edhe kreu i NDP, Jagmeet Singh, ka premtuar se do ta rrëzojë qeverinë liberale pas rifillimit të sesionit parlamentar. “Pavarësisht se kush e udhëheq Partinë Liberale, koha e kësaj qeverie ka përfunduar. Ne do të paraqesim një mocion mosbesimi në seancën e ardhshme të Dhomës së Deputetëve. I kam kërkuar Justin Trudeau të japë dorëheqjen, dhe ai duhet ta bëjë këtë”, pat deklaruar ai më 20 dhjetor.

Kujtojmë megjithatë se shefi i NDP, edhe pse 4 shtatorin e kaluar njoftoi se nuk kishte më marrëveshje koalicioni me qeverinë liberale, ai më pas votoi disa herë kundër mocioneve të mosbesimit ndaj Justin Trudeau gjatë sesionit të vjeshtës.

I kontaktuar nga Radio-Canada për të komentuar vendimin e Konservatorëve, drejtori i Institutit të Studimeve Kanadeze pranë Universitetit McGill, Daniel Béland, ka pohuar se kjo është lëvizja politike e pritshme e radhës, por sipas tij, asgjë nuk garanton që partitë e tjera opozitare do të votojnë pro këtij mocioni. “Askush nuk e di se si do të votojnë liderët e partive opozitare, pavarësisht se çfarë kanë deklaruar më parë. Nëse qeveria e Justin Trudeau vendos t’u ofrojë diçka të rëndësishme Bllokut të Québéc ose NDP, nuk ka asnjë garanci që liderët e tyre do të votojnë kundër saj”, është shprehur ai.

“Ka disa skenarë në tryezë dhe shumë pasiguri”, vëren Béland. “Justin Trudeau mund të japë dorëheqjen, ose partia e tij mund të vendosë të shtyjë punimet e Parlamentit. Nëse kjo ndodh, deputetët nuk do të rikthehen në Ottawa në janar. Shanset që Liberalët të humbasin zgjedhjet e ardhshme sigurisht janë të mëdha, edhe pse nuk dihet ende se kur do të zhvillohen ato”.

Konservatorët, të cilët kryesojnë fuqishëm në sondazhe, kanë kërkuar zgjedhje prej muajsh. Edhe Blloku i Québéc po bën thirrje vazhdimisht për zgjedhje.

Sipas Gerald Butts, një ish-këshilltar dhe mik i ngushtë i Justin Trudeau, “shanset janë shumë të vogla” që kryeministri të vazhdojë të qëndrojë në krye të Partisë Liberale, sidomos pas dorëheqjes së Chrystia Freeland. Në një mesazh të publikuar po sot (27.12) në rrjetet sociale, ai shprehet se zgjedhjet e përgjithshme ka gjasa të zhvillohen më herët gjatë vitit të ardhshëm dhe ato pritet të sjellin në qeverisje një mazhorancë konservatore. Butts mendon gjithashtu se, nëse Justin Trudeau jep dorëheqjen, partia Liberale duhet të organizojë një garë për zgjedhjen e kreut të ri, në vend që të emërojë Chrystia Freeland ose dikë tjetër si lider tranzitor.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick