Erion Veliaj viziton "incognito" Montrealin
- Published in Kanada
Kryetari i Bashkisë së Tiranës nga datat 19-22 Qershor, ka marrë pjesë në kongresin botëror ICLEI (Local Governments for Sustainability) 2018, që u zhvillua kësaj here në Montreal Kanada. Pjesëmarrja e Erion Veliajt në këtë kongres u bë me dije sot, në datën 28 qershor, në faqen e Facebook-ut të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada, në të cilën janë postuar foto të Erion Veliajt me kryetaren e Bashkisë së Montrealit dhe Ambasadorin shqiptar në Kanada.
Por kur kontrolluam edhe rrjetet e tjera sociale (pasi jeta shtetare, institucionale sot është katandisur vetëm në Twitter dhe Facebook) konstatuam postimin e datës 23 qershor, ku pasqyrohej takimi Veliaj-Plante. Pra, publikisht kemi disa variante datash të ardhjes së Erion Veliajt, 19-22-23-dhe 28 qershor. Çfarë ndodh me zyrtarët shqiptarë? Pse nuk ka një pasqyrim të saktë, korrekt, minimalja e komunikimit publik të atyre që përfaqësojnë një institucion?
Për shembull, Kryetarja e Bashkisë së Montrealit, Valérie Plante, e ka postuar në kohë reale pjesëmarrjen e saj në kongres dhe madje edhe takimin me Veliaj duke cituar si më poshtë:
“Falemnderit kryetarit të Bashkisë Tiranë që u bashkua me ne”.
Ndërsa, ardhja e kryebashkiakut shqiptar nuk është njoftuar në fakt në kohën kur Veliaj ka qenë në Montreal dhe mediat shqiptaro-kanadeze nuk kanë patur mundësinë e pasqyrimit të kësaj ngjarjeje, pasi askush nuk u dërgoi ndonjë e-mail. Jo përditë vjen kryetari i bashkisë më të madhe shqiptare në Kanada. Mediat e diasporës, të cilat me kontribute vullnetare komunitare mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqipe, pa asnjë përkrahje nga shteti amë, kanë interes maksimal të pasqyrojnë çdo ngjarje që lidhet me kombin. Disa mund të ndjejnë ende neveri apo mosinteres për gjithçka prej së cilës janë larguar nga Shqipëria, por media e ka obligim pasqyrimin e ngjarjeve ashtu siç duhet të ketë çdo shtet, institucion e qeverisje, transparencën.
Sidoqoftë, ne nuk i dimë arsyet e mosnjoftimit në kohë reale. Na mbetet të hamendësojmë se ndoshta ka qenë ideja e kryebashkiakut të jetë sa më diskret për këtë pjesëmarrje në kongres, meqenëse nuk ka qenë në “keynote speakers” por tek folësit shtesë. Ose ndoshta Veliaj ka preferuar të shpërndahet lajmi një javë me vonesë, me qëllim mosnxitjen e zjarrit mes artistëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit në Tiranë. Ose ndoshta ngaqë takimi mes Veliajt dhe kryebashkiakes së Montrealit ka zgjatur veç sa një shkrepje blitzi, ose aq sa zonja Plante ta falenderonte veç për faktin që Veliaj iu shtua listës së pjesëmarrësve në kongres. Ose ndoshta ngaqë kryetari Veliaj nuk ka patur shumë kohë të shkojë edhe te monumenti i Nënë Terezës në Montreal (realizim i komunitetit shqiptar të Montrealit) dhe prandaj nuk ka dashur ta bëjë shumë të madhe këtë ardhje. Ose pjesëmarrja në kongres ka qenë i formës jozyrtare dhe kryebashkiaku ka ardhur në Montreal si Erjon dhe jo si kryetar, ku si rrjedhojë edhe fotot dhe postimet do duhej të bëheshin në llogaritë personale.
E megjithatë, vlen të themi se diçka nuk na mbetet merak në këtë histori. Fakti që Ambasada shqiptare në Kanada e ka nxjerrë zbuluar kryebashkiakun e Tiranës pas një jave “incognito” dhe gjithashtu që e ka bërë shumë mirë rolin e zëdhënësit të shtypit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes këtij postimi në Facebook si më poshtë, shoqëruar me foto të ambasadorit Muça me kryetarët, ku bie haptas në sy flamuri simbol i shteti shqiptar, krahas flamurit simbol të Bashkisë së Montrealit. Urojmë të mos keqkuptohet si gafë protokollare, por si një veprim emocional i këtyre takimeve.
“Gjatë takimit tejet konstruktiv javën e kaluar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Kryetarja e Bashkisë së Montrealit, Valérie Plante diskutuan gjerësisht dhe shkëmbyen ide për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës dhe Montrealit. Ndërkohë, prezantimi i Kryetarit Veliaj mbi kryeqytetin e vendit tonë në kuadër të ICLEI u ndoq me interes nga të pranishmit e shumtë”.
©FlasShqip.ca