Kanada

Gëzuar Ditën e Kanadasë!

  • Published in Kanada

1 korriku është festa kombëtare e Kanadasë.  Kanadezët nuk do të shkojnë në punë të hënën, dhe është e sigurt që kjo ditë pushimi do t’u paguhet, përveç atyre që jetojnë në Newfoundland-Labrador dhe Nova Scotia, të cilët e kanë ditë pune.

Festimet me parada fillojnë herët në mëngjes në qytete si Ottawa, Toronto, Vancouver etj. Ato vazhdojnë deri në mbrëmje me koncerte, lojëra dhe aktivitete të tjera. Veçanërisht Ottawa, si kryeqyteti i Kanadasë, organizon një shfaqje të madhe çdo 1 korrik.

Dita e Kanadasë

1 korriku shënon ditën e bashkimit të provincave të Amerikës veriore britanike në një federatë të quajtur Kanada. Ky është shpjegimi teknik, por dita e Kanadasë është festa më e madhe kombëtare. Ajo krahasohet me 4 korrikun e Shteteve të Bashkuara, veçse është më pak e zhurmshme sipas “shkallës kanadeze”.

Pak histori

Gjithçka e ka zanafillën në 1 Korrik 1867, me të ashtuquajturin British North America Act. Ishte ligji i Parlamentit Britanik të asaj kohe, që dekretoi krijimin e Dominionit të Kanadasë në formën e një Lidhjeje Federative dhe përcaktoi kornizën ligjore të funksionimit të shtetit të ardhshëm kanadez, strukturat federative, sistemin e drejtësisë dhe atë fiskal. Kësisoj, Kanadaja Federative u festua më 1 Korrik 1867, me rënien e këmbanave të katedrales së St. James në Toronto, me flakadanë e fishekzjarre, paradë ushtarake, koncerte dhe aktivitete të tjera, siç përshkruhet në kronikat e asaj kohe.

Në 20 Qershor të vitit në vazhdim, Guvernatori i Përgjithshëm, Viscount Monck, miratoi një dekret mbretëror që u kërkonte kanadezeve të festonin përvjetorin e Konfederatës.  Pavarësisht ketij dekreti, festa u shpall si e detyrueshme në maj të vitit 1879, kur dhe u përcaktua ajo si Dita e Dominionit, nisur nga fakti që vendi ishte shpallur si i tillë në British North America Act. Festa nuk u shënua në kalendarin zyrtar. Pati festime sporadike aty-këtu dhe një pritje në rezidencën e Guvernatorit.  Asnjë festim zyrtar nuk u bë deri në vitin 1917.

Në vitin 1946, Phileas Cote, deputet nga Quebéc, i propozoi parlamentit nxjerrjen e një akti normativ, në të cilin përcaktohej që Dita e Dominionit të riquhej Dita e Kanadasë.  Propozimi kaloi shpejt në Parlamentin federal por u bllokua nga Senati, i cili e ktheu atë mbrapsht me rekomandimin që festa të quhej Festa Kombëtare e Kanadasë. Ky propozim nuk u pranua dhe emri i festës mbeti si më parë, Dita e Dominionit.

Në fillim të vitit 1958 ishte qeveria Kanadeze e cila filloi të orkestrojë festimet për Ditën e Dominionit. Atë vit, kryeministri në fuqi, John Diefenbaker, i kërkoi Sekretarit të shtetit krijimin e një buxheti prej 14.000 dollarë për festimet përkatëse.  Parlamenti ishte në sesionin e tij të zakonshëm në datën 1 Korrik, por jashtë ndërtesës, në praninë e kryeministrit e gjithë kabinetit të tij po festohej me madhështi, me paradë trupash, fishekzjarre e një koncert të madh, në të cilin morën pjesë për herë të parë trupa artistike nga grupe etnike të ndryshme nga i gjithë vendi. Që nga ai vit, filloi organizimi dhe transmetimi televiziv në gjithë hapësirën federale i një koncerti tradicional multikulturor, që edhe sot quhet Festivali i Kanadasë.

Çfarë pritet në këtë ditë?

Shkollat, bankat, zyrat e shtetit dhe shumë biznese janë të mbyllura në 1 korrik (dhe në datat 2 apo 3 kur ndodh që data 1 qëllon e shtunë ose e diel). Ndërkohë shumë pika që shërbejnë si destinacione turistike qëndrojnë të hapura. Vetëm disa prej tyre i kanë të përcaktuara oraret.

Zakonisht, dita e Kanadasë përmban parade, fishekzjarre, barbeky në kopshte dhe gjera të tjera të organizimeve familjare e shoqërore. Shumëkush zgjedh të vishet kuq e bardhë në nderim të ngjyrave kombëtare.

Dita e Kanadasë në Québec

Në Québec, Dita e Kanadasë nuk festohet me aq zjarr sa në provincat e tjera. Zyrat federale, shkollat dhe bankat janë të mbyllura, por shumë njerëz në Québec e shohin si një “ditë të re”, pasi kjo datë historikisht ka qenë dita e parë e kontratës së re të qirasë dhe një pjesë e tyre atë ditë e kanë ditën e ndërrimit të vendbanimit.

Burimi: www.canada.ca