Kanada

Kanada: Mot i nxehtë me 33 viktima në Quebec

  • Published in Kanada

Deri tani 33 persona kanë humbur jetën si pasojë e një vale të nxehti që ka mbërthyer pjesën jugore të provincës kanadeze Quebec.

Moti i nxehtë nisi të premten e kaluar me temperatura që shkuan në 35 gradë celsius dhe lagështi të lartë.

Vala e të nxehtit është më e rënda që provinca ka përjetuar në dekada. Autoritetet zyrtare u kanë kërkuar qytetarëve të pinë ujë me shumicë dhe të qëndrojnë në hije. “Po bëjmë gjithçka që mundemi”, tha kryebashkiakia e Montrealit, Valerie Plante.

Qyteti ka hapur pishinat dhe hapësirat me ajër të kondicionuar për publikun. Kryebashkiakia tha se skuadrat e reagimit të shpejtë kanë nisur të shkojnë derë më derë, për të kontrolluar rreth 15 mijë banorë vulnerabël.

Deri tani, 12 nga 33 viktimat, janë regjistruar në Montreal, qytetin me popullatën më të madhe në provincë. Vala e të nxehtit mund të jetë veçanërisht vdekjeprurëse për të miturit dhe të moshuarit – thanë zyrtarët e shëndetit publik. E sipas tyre, viktimat e regjistruara nuk kishin patur ajër të kondicionuar.

Temperaturat mesatare në Montreal në këtë periudhë të vitit, janë zakonisht 25 gradë celsius. Zyrtarët shpresojnë që vala e të nxehtit të ndalet të premten. Meteorologët parashikojnë që temperaturat do të bien në rreth 24 gradë.

Burimi: Le Journal de Montreal

Përgatiti: Albanian Montreal Press

Tagged under Montreal Quebec