Kanada

Toronto-Ambasadat organizojnë pritje zyrtare në nderim të ministrave Majko dhe Gashi

  • Published in Kanada

Në vijim të vizitës zyrtare në Kanada të dy ministrave të Diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës, Pandeli Majko e Dardan Gashi, është organizuar më 8 mars, nën kujdesin e dy Ambasadave përkatëse një pritje e posaçme në ambientet e Parlamentit të Ontarios.

Në pritje morën pjesë anëtarë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-kanadez, mes tyre edhe drejtuesit e shoqatave të Torontos, Hamiltonit dhe Londonit.

Nga autoritetet kanadeze të provincës ishin të pranishëm Kryetari i Parlamentit Dave Levac, Ministri i Kerkimit Shkencor dhe Inovacionit Reza Moridi, Ministrja e Emigracionit Laura Albanese si dhe deputeti liberal Shafiq Kaadri.

Kujtojmë që këta dy të fundit ishin politikanët që pilotuan dhe bënë të mundur miratimin nga Legjislativi i Ontarios të aktit ligjor që sanksionon muajin nëntor në Ontario si muajin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare.

Pas fjalimeve të rastit të mbajtura nga ambasadorët, ministrat shqiptarë dhe ata të Ontarios, të pranishmit vizituan ekspozitën fotografike “Gruaja shqiptare në vite”, e hapur posaçërisht me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në përfundim te aktivitetit, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u prit në një takim nga Ministrja e Emigracionit Laura Albanese. Ajo është me origjinë nga Rajoni Puglia, Itali dhe vitet e fundit ka qenë shumë aktive në mbështetje të komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto, ku dhe është e zgjedhur si deputete. Majko e ka falenderuar atë në mënyrë të veçantë, në ëmër të Qeverisë, për rolin kyç që luajti në favor të miratimit të ligjit Për Trashëgiminë Kulturore Shqiptare. 

©FlasShqip.ca